E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre veta në pranga për grabitjen me pasojë vdekjen në vitin 1996

VLORË – E drejta vonon, por nuk harron. Pas 14 vitesh, Prokuroria e Sarandës rihap dosjen e një grabitjeje me pasojë vdekje dhe vë në pranga tre autorët e krimit. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se më datë 23.04 2009, organi i akuzës ka regjistruar aktet e procedimit penal për veprën penale ”vjedhje me pasojë vdekjen”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin korrik të vitit 1996, ku pavarësisht mungesës së provave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në bashkëpunim me policinë, ka arritur të rihapë dhe rimbledhë provat e të dhënat e kësaj ngjarjeje. Për ngjarjen e vitit 1996 nuk ka pasur të dhëna për numrin e procedimit apo për persona të dyshuar në kryerjen e veprës penale, pasi për shkak të trazirave të ndodhura në muajin mars të vitit 1997, fashikulli i procedimit në prokurori dhe gjykatë, janë djegur dhe personat janë shmangur nga përgjegjësia penale. Pavarësisht mungesës së provave, për këtë dosje të vitit 1996, gati të mbyllur, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në bazë të të dhënave të mbledhura, arriti të ndalojë tre shtetas.

Krimi
Në lidhje me këtë procedim penal rezulton se, në fshatin Dyrmish të rrethit Sarandë, në muajin korrik të vitit 1996, është kryer vjedhje e një sasie valute (dhrahmi) shtetasit (të ndjerit) Jorgo Zisi. Më pas, autorët pasi kanë mundur të marrin sasinë e parave të ndodhura në kasafortë dhe njëri prej autorëve e ka ekzekutuar me thikë shtetasin Jorgo Zisi. Mbi deklarimin e të dhënave nga bashkëshortja e të ndjerit Jorgo Zisi, shtetases Gafuro Zisi i është marrë dëshmi e hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lokalin e saj në muajin korrik të vitit 1996. Burimet zyrtare të organit të akuzës shprehen se “mbi këtë bazë, më datë 22.06.2009 është rifilluar hetimi në lidhje me procedimin penal duke u regjistruar procedimi penal me Nr. 180, për veprën penale ‘vjedhje me pasojë vdekjen’”.

Të arrestuarit
Në bazë të provave të grumbulluara janë ndaluar shtetasit: Shahin Ismaili, banues në fshatin Gjashtë në rrethin e Sarandës; Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq të Sarandës dhe Metush Bushaj, banues në fshatin Gjashtë, rrethi Sarandë. Hetimet e këtij procedimi penal kryhen nga oficerët e Policisë së Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në grabitjen që përfundoi me vrasjen e Zisit, të cilit i morën edhe një sasi të konsiderueshme parash.

Prokuroria kërkon 15 vite burg për Ilir Pajën

TIRANË – Prokuroria kërkoi dje 15 vite burg për Ilir Pajën. Në seancën e radhës, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi kolegjit penal që i pandehuri të cilësohej fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij dhe në bashkim të dënimeve ai të kryente një dekadë e gjysmë burg. Pas kërkesës së tij, kolegji penal i la një javë kohë avokatit të përgatiste konkluzionet përfundimtare ndaj klientit të tij. Pritet që pas mbrojtjes së avokatit, Gjykata të shprehet me një vendim përfundimtar ndaj Ilir Pajës. Prokurori i dosjes risolli dje para Gjykatës të gjithë versionin e ngjarjes në të cilën pasqyroheshin detajet kur i pandehuri Ilir Paja ka tentuar të shtypë me automjetin e tij punonjësin e policisë Bledar Haxhimali, i cili po e ndiqte në përpjekje për ta arrestuar. Paja, mjaft i njohur edhe në shtetin italian, ku ka mundur të arratiset dy herë, u përball në këtë proces gjyqësor me akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta dhe armëmbajtjes pa leje. Dosja mban numrin 28 dhe është dërguar në gjykatë veçmas një procedimi tjetër për Pajën, që flet për krimet e tij në shtetin italian. Nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se në datën 6 mars 2008, rreth orës 10:00, punonjësit e Policisë Bledi Haxhimali dhe Roland Mete, me detyrë agjentë në njësinë e operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë Tiranë, kanë qenë me shërbim në vendin përballë maternitetit “Koço Gliozheni”, Tiranë. Aty, rastësisht, agjenti Bledi Haxhimihali ka parë një person që po lëvizte me një automjet të markës “Fiat Punto” me targë BC 983 DP, ngjyrë gri dhe që ngjasonte shumë me personin në kërkim, Ilir Paja. Menjëherë ka njoftuar eprorin e tij, oficerin e Policisë, Dorian Muça, me detyrë shef i Seksionit të Mbikëqyrjes dhe Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, nga i cili është udhëzuar të vihet në ndjekje të personit, pasi edhe ai, bashkë me shefin e Sektorit të Operacioneve Speciale në atë kohë, Arben Caka, po vinin drejt vendit për të cilin ishte dhënë informacioni. Prokuroria deklaron se në vazhdim dy punonjësit e Policisë, me motorin e tyre të shërbimit të tipit "Skuter", janë vënë në ndjekje të automjetit, me të cilin po lëvizte personi në kërkim me drejtim nga kryqëzimi i quajtur "Bërryli", drejt tregut industrial përballë Rrugës Bardhyl. Gjatë kësaj kohe, komunikimi midis agjentit Bledi Haxhimali dhe oficerit të Policisë, Dorian Muça, ka qenë i vazhdueshëm me qëllim përcaktimin dhe koordinimin e saktë të pozicioneve të objektit në ndjekje dhe të secilit prej tyre.

Ekstradohet nga Greqia, vrau për grabitje emigrantin

TIRANË – Një person i kërkuar nga Drejtësia për vrasjen e një emigranti për qëllim grabitjeje është ekstraduar nga Greqia në vendin tonë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje, në orën 15:00, nga zyra Qendrore e Interpol Tiranës është kryer ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Andrea Berberi, 42 vjeç, lindur në Korçë. Sipas tyre, Gjykata e Apelit në Korçë, me vendimin penal nr. 103, datë 03.10.2008, e ka dënuar Berberin me 20 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim. Burimet policore bëjnë të ditur se më 4 janar 2000, në fshatin Kapshticë të rrethit të Devollit, në vendin e quajtur Qershitë, shtetasi Andrea (Sejdin) Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Qose, kanë ndaluar disa shtetas (që po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin për t’u futur në territorin grek) dhe të maskuar, përmes kanosjes me armë automatike, u kanë grabitur atyre paratë. Njëri prej emigrantëve ilegalë, Xhemal Guri, i cili tentoi të largohet, është qëlluar me armë nga dy autorët dhe për pasojë gjeti vdekjen. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, më datë 06.10.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit të kërkuar nga Drejtësia. “Në aeroportin ‘Nënë Tereza’ ky shtetas iu është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.

29 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›