Misteret e krimit të trefishtë, njëri nga viktimat, i dënuar për përdhunim
DURRËS – Disa orë pas krimit të trefishtë që tronditi qytetin e Durrësit, hidhen dyshimet e para, pasi njëri nga viktimat ishte i dënuar nga Drejtësia për përdhunimin e një të miture. Kjo ka bërë që ekspertët ta marrin në konsideratë këtë pistë në mes të pistave të tjera për shkaqet e vrasjes, ku gjetën vdekjen tre persona në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë. Burimet zyrtare pohojnë se shtetasi Luan Curri, 43 vjeç, mund të jetë personi në shënjestër të krimit, pasi Gjykata e Apelit e Durrësit e ka dënuar me 10 vjet burg një vit më parë. Për këtë ngjarje janë shoqëruar 23 persona, ku disa prej tyre, të pranishëm në vendngjarje, e kanë përshkruar killerin me automatik në dorë si një person gjakftohtë, që nuk i dridhej dora teksa vriste njerëz. Bashkë me Luan Currin gjetën vdekjen edhe nipi i tij, Andi Curri dhe shtetasi Edmond Shemsi.
Hetimet
Disa orë pas masakrës në qytetin bregdetar, ku tre persona gjetën vdekjen pas një ekzekutimi të organizuar, policia hedh dritë mbi të kaluarën e njërit prej viktimave që mbeti i vrarë. 43-vjeçari Luan Curri dyshohet të jetë shënjestra e atentatit. Prej një viti jetonte në kërkim, pasi ishte i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 10 vjet burg për marrëdhënie seksuale me të mitura në grup. Por, pavarësisht arrestimit të tij, të kryer në shkurt 2009, viktima ka vuajtur vetëm pak kohë i dënuar në qeli dhe më pas ka rifituar lirinë. Gjithsesi, nuk jepen detaje se për çfarë arsyesh 42-vjeçari ka fituar lirinë, ndonëse në vendimin e dhënë shpjegohet për mungesë provash.
Pikërisht këto fakte kanë nxitur ekspertët e policisë që të ngrenë një pistë të mundshme për hakmarrje, në morinë e pistave të tjera në të cilat po hetohet për zbardhjen e ngjarjes. Policia deklaron se në vendngjarje janë gjetur 22 gëzhoja të zbrazura mbi Luan Currin, 42 vjeç, nipin e tij Andi Curri, 23 vjeç, si edhe mikun e tyre, Edmond Shemsi. Ka edhe pista të tjera, si hakmarrja dhe larja e hesapeve për shkak të së kaluarës së viktimave, e cila dyshohet të jetë e ndërlikuar me persona të tjerë të botës së krimit. Por, Policia e Durrësit ende nuk ka një pistë zyrtare për motivet që çuan në vrasjen që tronditi qytetin bregdetar.
Ngjarja
Luan Curri, bashkë me nipin e tij dhe mikun e tyre me profesion inxhinier ndërtimi, Edmon Shemsi, kanë qenë duke pirë një kafe në një lokal në Lagjen Nr. 9 në qendër të qytetit bregdetar, i cili ishte në pronësinë e njërit prej viktimave. Rreth orës 22:50 të ditës së mërkurë është ndaluar një motor dhe një person ka zbritur prej tij me një armë në dorë. Më pas ai ka hyrë në lokalin ku ndodheshin tre personat dhe ka drejtuar armën për t’i qëlluar. Një breshëri me dhjetëra plumba ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend shtetasit Luan Curri, 44 vjeç, Andi Curri, 23 vjeç dhe Edmond Shemsi. Në mjediset e lokalit kanë qenë të pranishëm edhe disa persona të tjerë, të cilët janë shtangur kur kanë parë gjakftohtësinë e atentatorit në realizimin e krimit. Pas vrasjes, ekzekutori ka dalë jashtë dhe është larguar me mjetin që kishte lënë të ndezur para lokalit.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga krimi, policia ende nuk ka arritur që të zbulojë autorin e vrasjes së trefishtë. Policia shkoi në lokalin ku ndodhi krimi dhe shoqëroi në komisariat personat e pranishëm. Sipas dëshmive, Luan Curri ka qenë me nipin e tij në tavolinë, dhe në tavolinën ngjitur ishte inxhinieri Edmond Shemsi, bashkë me një person tjetër.
Po ashtu, u sekuestruan në vendngjarje rreth 20 gëzhoja plumbash të armës automatike të kalibrit 72 milimetra, që janë administruar në vlerën e provës. Agjentët e policisë gjetën edhe një çantë, në të cilën dyshohet se është mbajtur arma. Ajo është sekuestruar bashkë me gjërat e tjera, të cilat janë pjesë e materialeve hetimore.
Atentati në lokalin në qendër të Durrësit ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te banorët e qytetit bregdetar.
Mbytet në pus, po i hidhte klor ujit
DURRËS - Teksa mbushte ujë nga pusi ka rënë brenda për të mos dalë më. Ky ka qenë fundi i hidhur i shtetasit Fiqiri Domi, lindur dhe banues në fshatin Xhafëzotaj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes. Viktima po hidhte klor me kovë në pus për të pastruar ujin kur ka rënë brenda. Burime policore thonë se ai ka pasur bllokim frymëmarrje, gjë që solli edhe vdekjen e tij. Ekspertët e policisë po hetojnë për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes.
Arrestohen kosovari, tentoi të shkonte në Itali me pasaportë false
DURRËS – Një 24-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia pasi tentoi të kalonte kufirin me dokumente false. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Visar Tavrlani, 24 vjeç, lindur në Kievë dhe banues në Pejë të Kosovës, është kapur të mërkurën në mbrëmje në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit, duke tentuar të udhëtojë në mënyrë të kundërligjshme për në Itali, me një nga tragetet e linjës “Durrës-Bari”. Ai ka paraqitur një pasaportë kosovare në emër të tij, në faqen 5 të së cilës ndodhej një vizë sllovene, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar në datën e saj të vlefshmërisë. Policia kreu sekuestrimin, në cilësinë e provës materiale, të dokumentit të falsifikuar si dhe kreu veprimet e nevojshme procedurale.
29 Janar 2010