Ligji i ri për shëndetin në punë, ndjekje penale për mungesë sigurie
dhe ka filluar të zbatohet rreth një muaj më parë. Ditën e djeshme në një takim të organizuar nga Ministria e Punës me pjesmarrjen e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Z.Spiro Ksera u theksua garantimi i sigurisë e shëndetit në punë e cila është një nga fushat prioritare të Ministrisë së Punës. Garantimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, mbrojtja e punonjësve në marrëdhëniet e punës, mbrojtja e shoqërisë dhe e mjedisit nga efektet e pafavorshme të punës, janë objektiva të politikbërjes së MPÇSShB. Inspektorja e Përgjithshme Vikrita Çuto e cila ishte e pranishme në këtë takim bëri një prezantim mbi të rejat që sjell ky ligj duke cilësuar se, Qëllimi i këtij ligji është, të garantojë për të gjithë punonjësit Shqiptarë siguri dhe shëndet në punë, nëpërmjet parandalimit të rreziqeve në punë, eliminimit të faktorëve që përbëjnë risk për aksidente, informimin e punëmarrësve, konsultimin, pjesëmarrje e balancuar e gjithë aktorëve që operojnë në fushën e sigurisë e shëndetit në punë duke përfshirë këtu rolin e madh të përfaqësuesve të punëmarrësve, trajnimin e punëmarrësve dhe përfaqësuesve të tyre.Ligji Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka për objekt garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve dhe përcaktimin e përgjegjësive të punëmarrësve për të arritur një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes së shëndetit të punonjësve ndaj rreziqeve në punë, duke hartuar masa koherente, të koordinuara dhe efikase për parandalimin e rreziqeve në punë . Ky ligj rregullon detyrimet e punëdhënësve për sigurimin e mbrojtjes së punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe merr masat e nevojshme nëpërmjet parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, informimit dhe formimit profesional të punëmarrësve, organizimit të mbrojtjes kolektive dhe individuale, sigurimit të organizimit të vendit të punës dhe mjeteve të nevojshme. Është parashikuar ngritja për herë të parë dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe Këshillit Ndërministror të sigurisë dhe shëndetit në punë. Këto struktura do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna. Një tjetër risi është detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieno- sanitare, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit. Projektligji parashikon që çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës. Një tjetër detyrim është që në rastet e aksidenteve në punë, si dhe të sëmundjeve profesionale punëdhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoratin e Punës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Organet e prokurorisë, etj. Risi që sjell ligji është klasifikimi në 4 shkallë i aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar.
Last Updated on E Merkure, 14 Prill 2010 21:02