E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafajt, ku vdekja është treguar më e ashpër se kurrë

Prindërit dhe vajza 12-vjeçe kanë gjetur vdekjen në autobus ndërsa tre fëmijët e tjerë po luftojnë për mbijetesë në spital


FUSHË-ARRËS- Në banesën njëkatëshe të familjes Mustafa në Fushë Arrës janë vendosur arkivolet me trupat e pajetë të çiftit Adem e Lavdije Mustafa, përkatësisht 52 dhe 41 vjeç, si dhe vajzës së tyre Elona Mustafa 12 vjeçe. Vëllai i Ademit dhe motra e Lavdijes rrëfejnë se kjo që ka ndodhur është tepër e rëndë.


Ademi me familjen e tij, gruan dhe katër fëmijët kishin qenë për të pushuar disa ditë tek vëllai i tij në Durrës dhe të shtunën kanë dashur të vijnë në shtëpi.
"Kam marrë dijeni për aksidentin dhe e dija nga vëllai tjetër se në autobuz ishte Ademi me Lavdijen e fëmijët.


Kam pyetur për vëllanë dhe më thanë ka vdekur, pastaj kam pyetur për gruan e tij dhe më thanë dhe ajo ka vdekur. Kur kam pyetur për fëmijët më kanë treguar për Elonën, ndërsa të tjerët ishin të plagosur. Nuk e di si kam mundur të qëndroj në këmbë dhe pasi jemi mbledhur të afërmit jemi ndarë, disa në morg disa në Tiranë.


Po shpresoj të shpëtojnë tre fëmijët e tjerë", thotë vëllai i Ademit. Nga të afërm të kësaj familjeje, mësohet se në spital në Tiranë ndodhen Armando Mustafa, 8 vjeç, Mirsad Mustafa, 10 vjeç dhe Dona Mustafa, 6 vjeçe, e cila ndodhet në gjendje të rëndë.
Njerëzit e familjes Mustafa i gjetëm pak pas mesnatës së djeshme edhe në dyert e morgut të Pukës.


Pasi kanë bërë identifikimin e kufomave ata nuk dinë më se ç'të thonë pasi të gjitha të zezat e botës po përjetojnë tani. Ata tregojnë se dy ditë më parë Ademi kishte nisur pushimet, disa prej të cilave, bashkë me fëmijët dhe gruan kishte vendosur t'i kalonte në qytetin e tij të lindjes.


Ky ka qenë destinacioni i pushimeve të verës për familjen Mustafa, ndaj dhe kanë qenë pjesë e autobusit të linjës Durrës-Fushë-Arrëz. Destinacion ky që është kthyer në udhëtimin e vdekjes për gjysmën e familjes. Tashmë i gjithë fisi, por edhe i gjithë Fushë-Arrësi, kanë një lutje të përbashkët:


Të shpëtojnë tre fëmijët që ndodhen në spital. Ata do të jetojnë pa nënë e pa baba pasi kanë parë tmerr me sy por të paktën do jetojnë dhe do mund të mbajnë gjallë kujtimin e mirë që njerëzit kanë për prindërit e tyre.


Të afërmit e shoferit: Zefi ishte i kujdesshëm


Në familjen e Zef Mark Frrokut ( Gjergji) në fshatin Gojan ka vetëm lot dhe heshje. Përveç dhimbjes për humbjen e 47 vjeçarit, familjarët e të afërmit duket se i mundon dhe fakti se Zefi ishte drejtuesi i mjetit të aksidentuar. "E bënte prej vitesh këtë rrugë dhe nuk ka patur asnjëherë probleme. Ishte i kujdesshëm dhe mjetin e kontrollonte vazhdimisht për të mos patur defekte rrugës.


Nuk dimë të themi asgjë tjetër",- shprehen të afërm të tij. Ndërsa Fushë Arrësi e Gjegjani jetojnë mes dhimbjes që i ka përfshirë, dhe kjo që ka ndodhur ka pushtuar të gjitha bisedat, banorët thonë se shpresojnë të shpëtojnë ata që janë gjallë.


Dy të plagosurit në spitalin e Shkodrës, Gentian Meçi 19 vjeç dhe Ilir Preni 10 vjeç, i cili ka humbur dhe nënën në këtë aksident, mësohet se kanë dalë nga spitali dhe janë dërguar pranë shtëpive të tyre. Ashtu si dhe një ditë më parë, edhe gjatë së dielës, në pjesë të veçante të aksit rrugor Pukë-Fushë Arrës- Gjegjan ka patur reshje shiu deri në rrebesh. Duket se dhe natyra po përjeton dhimbjen e 14 jetëve të humbura në aksidentin e ndodhur të shtunën.


Politikanët ngushëllojnë viktimat


Familjet e viktimave janë ngushëlluar dhe nga kryeministri Sali Berisha i ndodhur të dielën në këtë zonë si dhe nga kryeparlamentarja Topalli dhe deputetët e PD për qarkun e Shkodrës. Ndërkohë nga Partia Socialiste kanë shkuar në Fushë Arrës për ngushëllime deputetët Ilir Beqja, Astrit Beci, Ndue Kola dhe Gjok Jaku. Ilir Beqja ka theksuar se kjo ngjarje është mjaft tragjike dhe ngushëllimet për këta familje janë të mëdha.


Ndërsa kryeministri Berisha tha: Humbjen e njerëzve tuaj të dashur nuk e zëvendëson asgjë, por sot pranë jush janë të gjithë shqiptarët që ju ngushëllojnë për këtë tragjedi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›