Më 1 gusht, në qeveri, lista e pronarëve për 35 zona informale
Agjencia e Legalizimit dhe Integrimit të Zonave Informale do të dërgojë në datën 1 gusht në qeveri listën me emrat e pronarëve të parë që përfitojnë nga procesi i kompensimit. Ky detyrim është i sanksionuar në ndryshimet e fundit të miratuara në ligjin e legalizimeve. Ndërkohë, drejtuesit e lartë e Agjencisë së Legalizimeve kanë konfirmuar nisjen e procesit për hartimin e listës së parë, që do të marrë “bekimin” e qeverisë.
Kompensimi
Aktualisht Agjencia e Legalizimeve është duke punuar në 35 zona informale për të verifikuar sipërfaqet e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje. ALUIZNI, në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bën verifikimin e çdo zone informale për të gjetur sipërfaqet e zëna nga ndërtimet pa leje, të cilat kanë pronarë të tretë. Sipas nëndrejtorit të ALUZINI-t, Ferdinand Shehu, 35 zonat informale ndodhen në të gjithë Shqipërinë, ndaj dhe nuk mund të përcaktohet ende se sa do të jetë numri i pronarëve që do të përfitojnë kompensim. Më tej Shehu bën të ditur se ALUIZNI po punon edhe me bllok-banime të veçuara dhe me shtëpi të veçuara, për të cilat është vërejtur se janë ndërtuar në tokën e pronarëve të tretë.
Sipas Shehut, në të gjitha rastet kur vërtetohet që pronësia e truallit të zënë i përket një pronari të ligjshëm, emri i tij përfshihet në listën e pronarëve që do të përfitojnë kompensim nga shteti. Kompensimi do të realizohet në dy mënyra. Ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar duke u paguar në bazë të vlerës së tregut për çdo metër katror të zënë, por mund të përfitojnë dhe kompensim fizik. Edhe procesi i kompensimit fizik është i ndarë në dy etapa. Pronarëve të truallit do t’u jepet një pjesë trualli e mbetur e lirë nga ndërtimet pa leje në zonën informale, por mund t’u jepen dhe toka të cilat janë pjesë e fondit të lirë të tokave, që do të përdoren për procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Sipas ligjit të legalizimeve, do të legalizohen me çmimet e parashikuara nga ky ligj vetëm 300 metra katrorë truall nëse ndodhet brenda vijës së verdhë dhe 500 metra katrorë truall në rast se ndodhet jashtë vijës së verdhë. Pjesa tjetër e truallit të zënë do të paguhet nga qytetarët me vlerën reale të tregut. Në rastet kur sipërfaqja në të cilën është ndërtuar një objekt pa leje është shumë e madhe, pjesa e mbetur do të përdoret për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.
Paratë për kompensim
Sipas drejtuesve të ALUZINI-t, paratë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, do të vilen nga procesi i legalizimit të këtyre objekteve. Në ligjin e legalizimeve është parashikuar se 80% e të ardhurave që do të përftohen nga procesi i legalizimeve do të përdoren për kompensimin e pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale dhe 20% do të përdoren nga njësitë e qeverisjes vendore për urbanizimin e këtyre zonave. Sipas Shehut, në zonat informale 30% e objekteve janë ndërtuar në tokat private të ndërtuesve, 30% janë në tokë shtetërore dhe 30% në tokat e pronarëve të ligjshëm, pra ua kanë zënë të tretëve. Pra të ardhurat që do të mblidhen nga 30% e qytetarëve që do të paguajnë për objektin e ndërtuar në tokën e tjetrit në çdo zonë informale do të shkojnë për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.
Të dhëna
1 gusht ALUIZNI dërgon në qeveri listën e pronarëve që përfitojnë kompensim
35 janë zonat në të cilat po punohet për hartimin e listës
2 janë mënyrat e kompensimit, financiar dhe fizik
300 metra katrorë truall brenda vijës së verdhë paguhet me çmimet e parashikuara në ligj
500 metra katrorë truall jashtë vijës së verdhë paguhet me çmimet e parashikuara në ligj
80% e të ardhurave nga legalizimet do të përdoren për kompensimin e pronarëve
20% do të përdoren nga njësitë e qeverisjes vendore për urbanizimin e këtyre zonave
30% e objekteve janë ndërtuar në tokat private të ndërtuesve
30% e objekteve janë ndërtuar në tokë shtetërore
30% e objekteve janë ndërtuar në tokat e pronarëve të ligjshëm
11 Korrik 2008