Alonso-Ferrari, marrëveshje me vlerë 150 milionë euro
Kalimi i Fernando Alonsos te Ferrari do të realizohet nëpërmjet një marrëveshje me vlerë të përgjithshme 150 milionë euro. Në fakt, sipas së përditshmes spanjolle, "AS", dy herë kampioni i botës do të firmosë kontratë 6-vjeçare me "kokëkuqen", nga e cila do të përfitojë 25 milionë euro në sezon. Zyrtarizimi i akordit pritet të bëhet publik që prej ditës së enjte në Japoni, ku gjatë fundjavës do të zhvillohet Çmimi i Madh i Suzukas. Ndërkohë, sot MekLaren pritet të konfirmojë rikthimin e Kimi Raikonen. Sipas burimeve panë Alonsos, të cituara nga radio "Cadena Ser", piloti e ka firmosur kontratën që e lidh me Ferrarin për pesë vjet, nga viti 2010 deri më 2014, me opsion edhe për një sezon tjetër, me mirëkuptimin e të dyja palëve. "Bëhet fjalë për tri vjet të garantuara në kontratë, plus dy vjet rinovim automatik, ndërsa bashkëpunimi për sezonin e gjashtë është i negociueshëm". Gjithsesi, rroga e pilotit aktual të Renaultit duket se do të jetë disi më e ulët nga ajo që ka përfituar Raikonen deri më tani. Alonso, i cili kishte firmosur parakontratë që prej vitit 2008 me Luka Kordero di Montexemolo, ka zhvilluar disa takime me krerët në Maranelo, për të hartuar planin e punës për sezonin e ardhshëm të Formula 1.