Van Gal: Kujtime të këqija nga Juve
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, nuk ka kujtime të mira nga përballjet me Juventusin. Holandezi kujton humbjen e finales së Romës, në vitin 1996, kur ishte në krye të stolit të Ajaksit. "Juventusi është një skuadër shumë e mirë", deklaroi ai për faqen zyrtare të klubit bavarez. "Ata janë në formë të mirë, megjithëse në ndeshjen e fundin të kampionatit kanë barazuar. Bardhezinjtë ndodhen në krye të klasifikimit në Itali. Ata janë mes skuadrave më të mira në Europë. E kam përgatitur skuadrën ashtu sikundër bëj përpara takimeve me çdo kundërshtar. Megjithatë, nuk kam kujtime të mira nga Juve. Në periudhën kur punoja si trajner i Ajaksit, humba një finale të Ligës së Kampioneve me penallti pikërisht kundër kësaj skuadre". Në atë takim, trajneri aktual i italianëve, Çiro Ferrara, shënoi njërin prej golave nga pika e bardhë, ndërsa rezultati përfundimtar ishte 5:3 (pas barazimit 1:1 në kohën e rregullt). Për Bajernin, sfida në Champions do të shërbejë edhe si një mundësi për të reaguar pas humbjes 1:0 në fushën e kryesuesve të Bundesligës, Hamburgut. "E pranoj se mund të kishim fituar. Në fakt, jam i sigurt se duhet të kishim marrë pikët e plota në atë ndeshjes. Na u dha një shans i madh dhe nuk u treguam të aftë për ta shfrytëzuar. Në vend që të ndanim kreun e klasifikimit, me pikë të barabarta me Hamburgun, tashmë e shohim veten gjashtë pikë mbrapa. Unë dhe futbollistët u zhgënjyem shumë nga ai rezultat", shtoi Van Gal. Trajneri pranoi se humbja mund të ketë një efekt negativ përpara përballjes me Juventusin. "Humbja ndikon gjithmonë negativisht te skuadra, shtoi ai. Po të kishim regjistruar fitoren e pestë radhazi, morali i skuadrës do të ishte më i lartë. Fatmirësisht jeta vazhdon dhe të mërkurën (sot) luajmë me Juventusin, ku do të kërkojmë të nisim një tjetër seri me fitore". Trajneri foli edhe rreth faktit që të hënën, Riberi dhe Roben nuk u stërvitën me ekipin: "Do ta vlerësojmë situatën e këtyre dy lojtarëve deri në minutën e fundit".