E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji i standardeve më të mira të vendeve që kanë dëshmuar vullnet të hekurt kundër krimit”

Kryeministri Berisha flet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, për ligjin anti-mafia

Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve demokratë që në seancën e radhës parlamentare, të miratojnë pa hezitim ligjin antimafie, i cili i jep një goditje të rëndë mafies dhe krimit të organizuar në vend. Berisha e konsideroi tepër të rëndësishëm miratimin e këtij ligji, duke shtuar se lidhet në mënyrë direkte edhe me procesin e liberalizimit të vizave.
“Ligji anti mafia është ligj i standardeve më të mira të vendeve që kanë dëshmuar vullnet të hekurt në luftën kundër mafies. Javën që kaloi, Ministri i Brendshëm i Italisë, bëri një vizitë në Tiranë, realisht shumë të suksesshme. Mund t’ju them se zoti Maroni shprehu një vlerësim shumë të madh për efiçencën, suksesin e organeve të rendit dhe e organeve të tjera të zbatimit të ligjit në vend, në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në këtë fushë. Por, nga ana tjetër, ai më tha se, të gjitha sukseset e fundit në Itali të luftës kundër mafies, të cilat janë suksese shumë të mëdha, e kanë bazën e tyre në zbatimin rigoroz të ligjit antimafie dhe të një disipline të caktuar në burgjet e Italisë, për bosët e mafies. Ky ligj i jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit, të vendosur nga mafia, bllokimit të saj, çka do të thotë ‘de facto’ bllokim i mundësisë së funksionimit të degëve të klanit, të pa goditura për vepra penale nga ligji”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se standardi për këtë ligj është marrë nga vende me traditë ndër më të konsoliduar demokratike. Sipas kryeministrit ai është shqyrtuar me misionin e Bashkimit Europian, për të ndihmuar organet e drejtësisë shqiptare në ligjbërjen e tyre dhe ka pasur mbështetjen e plotë të këtij misioni.
“Nuk ka diskutim se ligjet antimafia në gjithë botën, ngjallin diskutimet e veta. Kjo është normale. Por, absolutisht, pa ligje të rrepta, mafia nuk mund të luftohet. Ne jemi shumë të detyruar të përshtatim ligjet tona me Italinë, në këtë aspekt, sepse pikërisht këtë çështje ngriti edhe ministri i Brendshëm italian”, deklaroi Berisha.
Në këtë drejtim, kryeministri u apeloi deputetëve demokratë që seancën e ardhshme, për hir të lkëvizjes së lirë të qytetarëve, të votohet pa mëdyshje ligji.
Për sa i takon  reformave, shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se ato bënë të mundur nxjerrjen e Shqipërisë nga protektorati i krimit dhe drogës së Aldo Bares dhe ndjekësve të tij në pushtet.
Berisha i apeloi dhe zërave që tentojnë ta bllokojnë këtë proces, duke paralajmëruar se janë të destinuar të dështojnë rëndë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›