E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumeve të Edi Ramës u kundërpërgjigjet edhe Ilir Meta: “Protestat e opozitës, si festat e Pezës”

Ultimatumit të Edi Ramës për hapjen e kutive, i është përgjigjur dje edhe LSI, përmes kryetarit të saj dhe njëherazi Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta. Kreu i LSI, u shpreh se ultimatumet e Ramës janë jashtë çdo logjike demokratike, qytetare dhe çdo mendësie evropiane. “Një ultimatum u dha përpara që në datën 20 nëntor do të bëhej nami, ndërsa ju sot e shikoni apo jo, që jemi këtu me ju  me të gjithë mediat”, ironizoi Meta, duke ftuar edhe njëherë tjetër lidershipin e PS-së që të heqë dorë nga politika e dështuar e nxitjes së tensioneve, të rrëmujave, të ultimatumeve të pa vlera, pasi Shqipëria është një vend tërësisht demokratik, është një vend që ka Kushtetutën e saj, është një vend që është anëtar i NATO-s, është një vend që po përgatitet tashmë për të hyrë në një fazë të re të anëtarësimit BE.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, theksoi se, “Shqipëria është një vend që brenda vitit të ardhshëm pret që qytetarët e saj të fitojnë një të drejtë të ëndërruar prej kohësh, atë të liberalizimit të vizave me Evropën, dhe në këtë drejtim opozita ka vetëm një rrugë, atë të respektimit të votës së qytetarëve shqiptarë”.
Ai i cilësoi si të dështuara përpjekjet e Ramës, duke shtuar se “nuk ka njeri në Shqipëri që të besojë përrallën e Kryetarit të PS-së, për hapjen e kutive”.
“Të gjithë e dinë që kutitë e zgjedhjeve i bëri vetë Edi Rama.  Edhe numërimin, edhe firmosjen, edhe vulosjen, pra ishte vetë Edi Rama me 20 mijë komisionerët e tij në të gjithë Shqipërinë që i bëri. Kjo është një histori e mbyllur”, deklaroi Meta.
Sipas tij, alibia e kutive për të justifikuar marrjen e pushtetit me forcë, absolutisht jo vetëm që është e dështuar, jo vetëm që po kthehet në një gjë qesharake, por është edhe e turpshme sepse nuk ka qenë në traditën e PS-së. Duke iu referuar protestave një dy ditëve më parë, Meta tha se këtë herë Festa e Darkës së Pezës, u bë në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›