Ligji për koncesionet dhe partneritetin publik, nxitje e fuqishme për zhvillimin ekonomik
Këshilli i Ministrave shqyrtoi në mbledhjen e djeshme projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Kryeministri Berisha vlerësoi ligjin e mëparshëm për koncesionet, i cili në fushën e energjetikes ka funksionuar në mënyrën më të fuqishme, por vuri në dukje se këtij ligji i mungonte qartësia e partneritetit publik, privat.
Kryeministri shpjegoi se ligji i ri bën dallimin e koncesionit nga partneriteti publik privat dhe decentralizon plotësisht procesin e partneritetit.
“Çështje e rëndësishme e kësaj mbledhje, është një ligj shumë i rëndësishëm, ligji për koncesionet dhe partneritetin publik, privat. Ne kemi pasur një ligj të shkëlqyer për koncesionet, i cili në fushën e energjetikes ka funksionuar në mënyrën më të fuqishme, por këtij ligji i mungonte qartësia e partneritetit publik privat. Pra, ligji bën dallimin e koncesionit nga partneriteti publik, privat. Pra në të vërtetë njësitë kontraktuese të partneriteteve dhe koncesioneve janë tashmë të pavarura nga Këshilli i Ministrave. Në dallim nga ligji i parë, ato veprojnë në mënyrë autonome dhe nuk është Këshilli i Ministrave që përcakton bonuset dhe probleme të tjera”, sqaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë shpjegoi se për sa u përket HEC-ve, ligji mban në fuqi nenin e quajtur “swiss article”, nenin zviceran, i cili është marrë nga Kodi i Organizatës botërore të Tregtisë dhe ky nen do të jetë në fuqi deri në fund të mandatit të ardhshëm 2017, ku më pas do të zëvendësohet me nenin respektiv.
“Për sa u përket HEC-ve, ligji mban në fuqi nenin e quajtur “swiss article”, nenin zviceran, i cili është marrë nga Kodi i Organizatës botërore të Tregtisë dhe ky nen do të jetë në fuqi deri në fund të mandatit të ardhshëm 2017. Atëherë ky nen do të zëvendësohet me nenin respektiv”, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për vendin sepse i jep një koncept të ri dhe një nxitje të fuqishme partneritetit publik privat, pra pjesëmarrjes së sektorit publik dhe atij privat në ndërtime veprash të rëndësishme, në veprimtari të rëndësishme ekonomike.