E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për koncesionet, qeveria bën disa ndryshime

Ligjit për koncesionet i janë bërë disa ndryshime. Qeveria në mbledhjen e radhës miratoi dje disa ndryshime në ligjin Për koncesionet. Sipas këtij vendimi, është ndryshuar emërtimi Agjencia e Koncesionit me Agjencia e Prokurimit Publik. Në bazë të këtij vendimi mbikëqyrja e zbatimit të procedurave koncesionare bëhet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Në ushtrim të mbikëqyrjes së procedurave të koncesioneve, Agjencia e Prokurimit Publik ka këto kompetenca, ajo u kërkon autoriteteve kontraktuese raportime periodike, një herë në 6 muaj, për gjendjen e koncesioneve. Po kështu verifikon zbatimin e procedurave koncesionare, në mënyrë periodike, pas fazës së nënshkrimit të kontratës së koncesionit, në përputhje me këtë ligj e aktet e tjera të dala në zbatim të tij, duke u kërkuar autoriteteve koncesionare të gjithë informacionin e nevojshëm. Kjo agjenci propozon, në përfundim të verifikimeve sipas shkronjës b, të kësaj pike, masa disiplinore dhe vendos gjoba, në rastet kur vëren shkelje të procedurave të këtij ligji. Agjencia shpall përjashtimin nga procedurat koncesionare të ofertuesve, të cilët, gjatë një procedure koncesionare, kanë depozituar dokumente false apo kanë deklaruar informacion të rremë, në bazë të propozimit të autoritetit kontraktues ose në rastin kur i konstaton këto shkelje në përfundim të verifikimit të parashikuar në shkronjën b, të kësaj pike, dhe, kur është rasti, bën kallëzim penal. Agjencia në fjalë mban dhe administron regjistrin e koncesioneve, si dhe dokumentacionin origjinal që dërgohet nga autoritetet kontraktuese brenda 3 (tre) muajve nga data e miratimit të kontratës së koncesionit. Ajo i paraqet Këshillit të Ministrave rekomandime të përgjithshme për gjendjen dhe kuadrin ligjor të koncesioneve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›