Dita Kombëtare e Shqipërisë në Expo-Shangai 2010, një sukses i madh
Dita Kombëtare e Shqipërisë në Expo-Shangai 2010 u zhvillua dje dhe rezultoi tepër e suksesshme, duke paraqitur më së miri vlerat ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë. Panairi Expo-Shangai 2010 zhvillohet në Kinë në datat 1 maj deri në 31 tetor 2010. Qëllimi i tij është tërheqja e shteteve dhe njerëzve nga mbarë bota me temën Better City, Better Life, ku pjesëmarrësit do të shkëmbejnë eksperiencat për zhvillimin urban, të ndajnë idetë e avancuara mbi qytetin dhe të eksplorojnë arritjet e reja rreth habitatit, mënyrën e jetesës dhe punës në shekullin e ri. Panairi në fjalë është i një rëndësie tepër të madhe dhe zhvillohet në një nga qytetet më të zhvilluara të botës. Në këtë event marrin pjesë kompani biznese nga shumë vende të botës dhe është një mundësi tepër e mirë ku çdo vend mund të paraqesë hapësirat e veta për investime. Nën përkujdesjen e ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, një delegacion shqiptar mori pjesë dje në Ditën Kombëtare të Shqipërisë në Expo-Shangai 2010. Në panairin Expo-Shangai 2010, ku marrin pjesë 194 vende dhe 50 organizata kombëtare, ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë dhe të biznesit shqiptar. Ceremonia për Ditën Kombëtare të Shqipërisë zgjati rreth 6 orë. Ajo nisi me takimin e ministrit të Bujqësisë, z. Genc Ruli me zv.komisionerin e Expo-Shangai 2010, z. Wo Jiuhong. Në fjalën e tij, ministri i Bujqësisë, z. Genc Ruli vlerësoi marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës dhe bëri një prezantim të situatës ekonomike të vendit tonë, si dhe të reformave që ka ndërmarrë e po ndërmerr qeveria shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një vend lider ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Z. Ruli theksoi faktin se prej disa vitesh Shqipëria ka një rritje ekonomike të vazhdueshme, në një kohë që e gjithë bota u prek nga efektet e krizës ekonomike globale. Ministri i Bujqësisë tha se Shqipëria paraqet një potencial për investitorët kinezë dhe përmendi disa sektorë, si energjetikën, mineralet, turizmin, agrikulturën etj. Sektori energjetik paraqet shumë interes. Vetëm 1/3 e potencialit energjetik ujor është duke u përdorur. Sektori energjetik paraqet mundësi të mëdha për investime, - u shpreh z. Ruli