E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Ruli, ftesë kinezëve për investime

06/05/2010 Panairi

Shqipëria fton biznesmenët kinezë të investojnë në sektorin energjetikë, minerale dhe atë bujqësor në Shqipëri. Kjo ftesë u bë nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili mbajti fjalën e rastit në Ditë Kombëtare të Shqipërisë në panairin “Expo Shangai” 2010. Nën përkujdesjen e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, një delegacion shqiptar mori pjesë në këtë panair që vlerësohet një ndër më të rëndësishmit e këtij lloji në botë dhe zgjat nga 1 maj deri në 31 tetor 2010. Në fjalën e tij, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, theksoi faktin se prej disa vitesh Shqipëria ka një rritje ekonomike të vazhdueshme, në një kohë që e gjithë bota u prek nga efektet e krizës ekonomike globale. Ministri i Bujqësisë tha se Shqipëria paraqet një potencial për investitorët kinezë dhe përmendi disa sektorë, si energjetikën, mineralet, turizmin, agrikulturën, etj. “Sektori energjetik paraqet shumë interes. Vetëm 1/3 e potencialit energjetik ujor është duke u përdorur. Sektori energjetik paraqet mundësi të mëdha për investime”, u shpreh Ruli, ndërsa theksoi se Shqipëria është e pasur në minerale dhe ftoi kompanitë kineze të investojnë në këtë fushë. Gjithashtu, ai vuri në dukje faktin se qeveria shqiptare ka ndërmarrë shumë reforma në kuadër të nxitjes së investimeve të huaja në Shqipëri, duke përmendur regjimin e ulët të taksave dhe mbrojtjen e posaçme për investitorët e huaj. Nga ana e tij, zv/komisioneri z. Wo Jiuhong u ndal në marrëdhëniet e hershme të Kinës me Shqipërinë, si dhe shprehu interesin e madh të shumë kompanive kineze për të vazhduar investimet në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›