Elektra, thirrje morale në Teatrin Kombëtar
“Elektra” e Sofokliut do të vijë në Teatrin Kombëtar me elementë shqiptarë dhe si një bashkëpunim ndërkombëtar. Regjisori Adonis Filipi, por edhe aktorët e kanë theksuar disa herë këtë fakt gjatë konferencës që i paraprin premierës së sotme. Për të vënë në skenën shqiptare tragjedinë greke, e përkthyer në shqip nga aktori grek, regjisori Filipi ka zgjedhur kostumografin maqedonas Bllagoj Micevski dhe koreografen greke Mariela Nestora. Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, në rolet kryesore, Bujar Asqeriu, Ahmet Pasha, Vasian Lami, Marjeta Larja, Monika Lubonja, Violeta Trebicka, Erjona Kakeli, Ermela Teli, Elida Janushi, etj., janë stafi i aktorëve përfshirë edhe korin. “Ka qenë një punë impenjuese dhe me përgjegjësi, duke pasur parasysh se veprat e antikitetit janë pika referimi për vlerat filozofike e morale që ato përcjellin”, është shprehur regjisori Filipi. “Elektra” është nga ato vepra të antikitetit që përbëjnë një sfidë për teatrin tonë, të cilit i kanë munguar vënie të tilla. Aktoret kryesore shprehen se kanë arritur të depërtojnë në psikologjinë e këtyre personazheve. “Që në fillim ne punuam për zbërthimin e filozofisë së këtyre personazheve me teatrologen greke Dimitra Kokino, e cila erdhi posaçërisht nga Londra për këtë pjesë. Ndonëse në Akademinë tonë të Arteve nuk kemi vënë pjesë antike në skenë, ne kemi një formim të plotë teorik për to”, shprehet Luiza Xhuvani, aktore protagoniste në rolin e Elektrës. E pyetur nëse e kanë penguar angazhimet politike për këtë rol, Xhuvani është shprehur se “unë jam pjesë e këtij teatri dhe ftesa që më është bërë për angazhimin tjetër ka pasur si bazë punën që kam bërë këtu. Unë nuk kam ikur asnjëherë nga teatri dhe nuk do ta tradhtoj vetveten. “Elektra” është një përgjegjësi e madhe dhe një përvojë e jashtëzakonshme, gjatë së cilës kam gjetur mbështetjen e gjithë stafit të aktorëve. Roza Anagnosti kthehet në skenën e Teatrit Kombëtar pas 14 vjetësh që nga koha e shfaqjes “Nata e trokitjeve në xham”. “Kjo është një vepër e korifeut të antikitetit grek dhe përjetoj sërish emocione të forta bashkë me kolegët e mi. I falënderoj që më ftuan në skenë, ndonëse pak me vonesë dhe unë do t’i shtoj në këtë moshë repertorit tim rolin e Klitemnestrës, që në këtë vënie vjen e parë nga një dritare tjetër. E rëndësishme për ne në këtë pjesë është të komunikojmë”, është shprehur aktorja Roza Anagnosti. Regjisori Filipi, duke theksuar punën e vështirë me elementë specifikë të kësaj shfaqjeje siç është kori, thekson se shoqëria ka nevojë për vepra të tilla, që në teatër janë thirrje për humanizëm. “Elektra nuk është thjesht një personazh, është fenomen dhe ndaj vihet në skenë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Ajo vjen si një thirrje për një moral të shëndoshë të familjes”, thekson Filipi. Skenografia e pjesës është realizuar nga Fatbardh Marku, ndërsa drejtues muzike është Dritan Lumshi. Veç premierës së sotme, “Elektra” do të shfaqet më 12, 13, 14 mars.
#