E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për spiunët, PS: Të hapen arkivat

 

Fejzi Braushi

TIRANË- Çështja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit duket se do të shoqërojë debatin politik në vend edhe gjatë këtij sesioni parlamentar. Kjo pasi ndryshe nga sa pritej, palët në debat janë kthyer edhe një herë në pozicionet e tyre të para. Një e tillë është vënë re dje në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve ku e majta dhe e djathta, në prani edhe përfaqësuesve të shtresës së ish-përndjekurve politikë, kanë rikonfirmuar edhe një herë qëndrimet e tyre fillestare, ku demokratët kërkojnë miratimin e një drafti me një konsensus sa më të gjerë ndërsa socialistët kërkojnë hapjen e arkivave të regjimit komunist.

Socialistët

Socialistët kanë hequr dorë nga diskutimi i çdo projektligji që ka të bëjë me hapjen e pjesshme të dosjeve duke iu rikthyer idesë së hapjes së të gjitha arkivave të periudhës komuniste. Me anë të relatorit të tyre për këtë çështje Arben Isaraj, të majtët kanë tentuar ti japin një drejtim të ri këtij diskutimi duke hedhur në tryezë propozimin për hapjen e arkivave, si mundësia më e mirë që opinioni i gjerë të njihet me të shkuarën e çdo individi që kërkon të bëj jetë publike. “Të hapim arkivat në mënyrë që personi i interesuar, ai qo do të votojë, presidenti që emëron, kryeministri që shkarkon e çdo kush tjetër, të ketë mundësi që të njohë dosjen e gjithkujt që është i interesuar. Vetëm kështu mund të dalë gjykatësi i asaj kohe, prokurori apo bashkëpunëtori, të hapim pra dosjet në këtë mënyrë. Kështu ne do ti jepnim fund çdo lloj debati që mban peng këtë çështje, - u shpreh Isaraj duke iu drejtuar njëkohësisht edhe demokratëve, por edhe shtresës së ish të përndjekurve që të shprehen mbi këtë propozim. Ndërkohë lidhur pikërisht me këtë propozim kanë reaguar vetëm përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve politikë që ishin thirrur në komision për të dhënë vlerësimet e tyre për mënyrën sesi duhet të hartohet ligji. Përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës, Adriatik Kati pasi ka vlerësuar parimisht këtë propozim është shprehur skeptikë për zbatimin praktik të tij, për shkak të implikimit të një numri shumë të madh njerëzish me krimet e komunizmit.

Demokratët

Ndërkohë, nga ana tjetër, demokratët, ndryshe nga vendosmëria që kishin demonstruar më parë për ta miratuar këtë ligj sa më shpejt, dje janë treguar më të kujdesshëm në qëndrimin e tyre, duke dhënë hapur sinjalet e një tërheqje nga qëndrimi i tyre për të vijuar miratimin e draftit të tyre (dy nenet e para demokratët i votuan në mbledhjen e fundit të komisionit për muajin korrik), duke lënë të kuptohet hapur se mazhoranca do të tentojë edhe një herë që të paraqitet në komision me një projektligj që të ketë marrë paraprakisht dhe pëlqimin e opozitës. Kështu, dje kryetari i ri komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali nuk ka urdhëruar shpërndarjen e projektligjit për asnjë nga anëtarët e komisionit dhe të ftuarit. Një fakt i tillë është evidentuar nga kryetarja e shoqatës së Drejtave të Njeriut Elsa Ballauri, e cila megjithëse ishte ftuar që të jepte vlerësimin e saj mbi këtë nismë ligjore, nuk ka pasur përpara asnjë draft të tillë. Insistimit të saj për të pasur një projektligj, kryetari i komisionit të ligjeve Rusmali i është përgjigjur se ende komisioni nuk ka një draft konkret mbi të cilin edhe të diskutojë pavarësisht se në komision janë depozituar plot katër drafte për këtë çështje. Ndërkohë sipas relatorit demokrat Aldo Bumçi do të tentohet edhe një herë që të gjendet konsensusi edhe me opozitën përpara se projektligji të vijë përsëri në komision. Sipas tij, çështjet që mbajnë peng konsensusin kanë të bëjnë me ndërprerjen e mandatit për ata zyrtar që do të rezultojnë me dosje dhe me çështjen tjetër nëse duhet apo jo të verifikohen edhe një herë ata zyrtarë që i janë nënshtruar këtij procesi gjatë ligjeve të mëparshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›