"Spiunët", Topalli: E gatshme për tu verifikuar
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zgjedhur të njëjtën formë për të reaguar ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, lidhur me deklaratën e këtij të fundit, se hapja e dosjeve duhet të fillojë nga ajo vetë. Në një intervistë televizive, Kryetarja e Kuvendit është shprehur e hapur për tu verifikuar, proçes ky, që, sipas saj, duhet të ndiqetedhe për kryetarët e partive politike e drejtues të tjerë të lartë. “Është parim bazë dhe e kam përsëritur edhe herë tjetër që verifikimi të nisë nga Kryetari i Parlamentit e të vazhdojë me të gjithë zyrtarët e lartë dhe Kryetarët e Partive Politike”, - tha ajo. Në reagimin e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është pozicionuar ashpër ndajish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, duke theksuar se kjo kategori duhet të përjashtohet nga jeta politike në vend.“Gjithmonë kam besuar se ky ligj duhet të jetë një ligj me "tolerancë zero" ndaj çdo oficeri dhe spiuni të Sigurimit te Shtetit, pa klauzola lehtësuese, pra një ligj me një nen, po të ishte për mua. Pa ç'rrënjosur nga jeta publike rrjetin e "gestapos" shqiptare ky vend nuk ka të ardhme ne Evropë, dhe këtë po jua them si një njeri që sigurimin e shtetit dhe spiunët e tij i kam pasur ne kurriz, jo që nga dita kur kam lindur, por 20 vjet para se të lindja, që në 1944-ën”,- shtoi ajo. Ndryshe nga Partia Socialiste, Kryetarja e Kuvendit mbron tezën e deritanishme të Partisë Demokratike se subjektet që janë verifikuar një herë duhet të jenë sërish pjesë e proçesit të verifikimit. “Personalisht mbroj fort idenë që edhe politikanët që janë verifikuar 2 apo 3 herë edhe nga PS edhe nga PD, të riverifikohen.Duke votuar dhe firmosur këtë ligj si deputete dhe Kryetare e Kuvendit, do të jetë një ditë kur do të jem krenare se po i bëj një shërbim të madh vendit tim për t'u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara”,- tha ajo. Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pyetur pikërisht mbi hapjen e dosjeve, deklaroi se ndarja me të shkuarën, nuk është problem i Partisë Socialiste, por i Partisë Demokratike. “Nuk do të ishte keq që ata që flasin më shumë për këtë, duke filluar nga spikerja e kuvendit, të hapin dosjen e tyre dhe të tregojnë se nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, apo nuk kanë të bëjnë me këtë të kaluar”,- u shpreh ai, dy ditë më parë. Vetëm pas dy vitesh arkivimi në Kuvend, drafti për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë filloi të diskutohej vetëm në fund të sesionit të kaluar parlamentar, kur Partia Demokratike pas disa propozimeve edhe nga përfaqësues të saj, doli në një variant përfundimtar, pikat kryesore të së cilës, nuk u pranuan nga Partia Socialiste. Megjithatë, nisur edhe nga përmbajtja, miratimi i këtij drafti u shty për në muajin Shtator, me qellim marrjen e konsensusit të opozitës por edhe diskutimin me grupet e interesit, përfaqësues të së cilës, dje dhanë qëndrimin e tyre në mbledhjen e parë të komisionit të ligjeve për këtë sesion parlamentar.
N.Perndoj