E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, reagon Shoqata e Prokurorëve: Kërkojmë mbrojtje

Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje partive politike që votuan me konsensus një ditë më parë Ligjin për Prokurorinë, që të rishikojnë nenin për mbrojtjen e ligjshme të prokurorit. Shoqata e riformuloi nenin 34, dhe kërkoi nga partitë që të mos cënojnë pavarësinë e drejtësisë 

TIRANE-Një ditë pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me konsensus Ligjin për Prokurorinë dhe e dërgoi për miratim në Kuvend, reagon Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, Shoqata kërkoi rishikimin e disa neneve që nuk garantojnë mbrojtjen me ligj të prokurorit dhe kërkoi nga partitë që e votuan në komisionin e ligjeve ta marrin parasysh sugjerimin e tyre.
”Ne mendojmë se marrëveshjet e partive politike, nuk duhet të prekin pavarsinë e organeve të drejtesisë. Për këtë arsye, meqënësë ligji nuk ka kaluar ende në seancë parlamentare për votim, ne i kërkojme partive politike parlamentare, deputetëve të parlamentit shqiptar, që të marrin parasysh edhe këto sugjerime”.
Shoqata u shpreh sot se për hartimin e projektligjit të ri “Për organizimin dhe funksionim e Prokurorisë në Republiken e Shqipërisë”, prokurorët kanë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, që u janë bërë prezent në rrugë zyrtare antarëve të komisionit të ngritur për këtë qëllim përfshirë edhe e misionin Europian te Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), Misionin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara ( OBDAT )”.
Duke mos përjashtuar se pr/ligji ka përmirësim në shumë nene të tij, Shoqata shpreh rezerva për disa nene, që cënojnë pavarësinë e drejtësisë.
“Ne jemi për rishikimin e nenit 36 të ligjit aktual. Ky nen tashmë është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për Prokurorët, për tu hetuar e gjykuar për cdo vepër penale që ata mund të kryejnë, me procedurë ligjore si të gjithë shtetasit e tjerë.Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t’i ndodhin”.

“Po keshtu ne mendojmë se (neni 27 i këtij projektligji i cili ndryshon nenin 56 të ligjit aktual, rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe më e rëndësishmja i jep të drejtën ti rekomandojë Prokurorit të Përgjithshem marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra”.
Këto dy nene megjithëse të kundështuara nga prokurorët, Komisioni i Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë . Për këtë arsye Shoqata sugjeroi sot që të rishikohen nenet e kundërshtuara pasi “duhet tu garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve”
Duke argumentuar me detaje sepse duhet rishikimi i nenit për mbrojtjen e prokurorëve, Shoqata e tyre riformuloi nenin 34.
“Kundër masës disiplinore shkarkim nga detyra, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykaten e Lartë . Kur Gjykata cmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos kthimin e Prokurorit në detyrën që ka ushtruar më parë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›