Ligjvenesit miratojne me 72 vota pro buxhetin e vitit 2013

Ligjvënësit shqyrtuan sot në seancë parlamentare nen për nen dhe në tërësi projektligjin për “Për buxhetin e vitit 2013”.
Me nisjen e seancës mazhoranca parlamentare ka rrëzuar 72 vota kundër propozimet e Partisë Socialiste për projektbuxhetin e vitit 2013.
Forcat parlamentare e kanë deklaruar tashmë qëndrimin e tyre pro dhe kundër këtij buxheti, ndaj dhe kjo seancë u përcoll me debat. Kjo për vetë faktin se opozita që me nisjen e diskutimeve e ka kundërshtuar me forcë atë duke u deklaruar se buxheti do ta zhysë vendin në krizën e borxheve.
Ndërsa mazhoranca e ka cilësuar këtë buxhet si më të madhin në historinë e vendit.
Nuk kanë munguar debatet gjatë kalimit të çdo neni të projektbuxhetit. Deputetët e opozitës propozuan amendamente për disa prej neneve. Kryesisht për menaxhimin e të ardhurave nga privatizimi i Albpetrolit, për shpërndarjen jo të qartë të shpenzimeve të çdo ministrie, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve ndaj pushtetit vendor ku penalizohen të majtët, për fondet jo të qarta për ndërtimin e rrugëve si dhe me administrimin e dështuar të borxhit publik. Të gjitha këto propozime janë rrëzuar me votim nga mazhoranca. Përsa i përket nenit 18 për heqjen e kufirit të borxhit ministri i Financave Bode ka sqaruar edhe njëherë socialistët se borxhi nuk mund të lidhet asnjëherë me Bankën Qendrore të vendit. Këto lloj reformash sipas tij i përkasin vetëm regjimit totalitar dhe jo ekonomive të zhvilluara.
Seancën e kaluar ky buxhet u votua në parim duke marrë 74 vota pro nga mazhoranca dhe 56 vota kundër nga opozita.