E Diel, 1 Nëntor 2026

Lihet i lirë shefi i Onkologjikut

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Shefi i repartit të Onkologjisë, Agim Karaj, i arrestuar për marrje ryshfeti, ka lënë qelinë tri ditë pas ndalimit. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun e akuzuar për korrupsion. Vendimin e saj gjykata e ka argumentuar me mungesën e provave për të mbajtur në burg kirurgun. Ndalimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar "Plaga e hapur", pas kallëzimeve se përfitonte ryshfete nga të afërm të pacientëve, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale. Pas arrestimit, policia bëri të ditur se, në cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestrua shuma prej 40 mijë lekësh të reja dhe 8000 euro.
Masa
Gjykata e Shkallës së parë Tiranë ka vendosur që të lërë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, shefin e repartit të Onkologjisë, Agim Karaj, i cili u arrestua pak ditë më parë. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se gjatë një seance të zhvilluar dje, përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar lënien në qeli për mjekun. Por gjyqtari i gatshëm nuk është bindur nga provat e paraqitura prej prokurorisë dhe i ka kthyer lirinë kirurgut të QSUT-së. Përfaqësuesi i akuzës, gjatë seancës së masës së sigurisë, ka kërkuar që Karaj të lihej në qeli, pasi ndaj tij ekzistonin të gjitha provat që ai ka marrë ryshfet. Sipas burimeve, mësohet se gjatë fjalës së tij, prokurori tha se kanë qenë përgjimet telefonike të bëra gjatë një muaji që kanë sjellë dhe sigurimin e provave.
Arrestimi
Mjeku onkolog Agim Karaj, u arrestua pak ditë më parë, pasi akuzohej për mitëmarrje. Ishin specialistët e antikorrupsionit pranë Policisë së Tiranës që kishin siguruar provat kundër kirurgut të njohur. Sipas policisë, mjeku Karaj merrte nga 50 deri në 70 mijë lekë, për një operacion. Gjykata e Tiranës ka përcaktuar sot masën e sigurisë, arrest shtëpie për shefin e klinikës së onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë. Ndërkohë që pas arrestimit të tij u deklarua se policia kishte kohë që e mbante nën kontroll. Me cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestrua shuma prej 40 mijë lekësh të reja dhe 8000 euro. Kjo çështje po hetohet nga Njësia Task Force, e ngritur në Prokurorinë e Tiranës për luftën kundër korrupsionit.

Precedent
07 korrik 2008
Arrestohet mjeku i QSUT-së, akuzohet për korrupsion. Mjeku urolog i spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë është vënë në pranga në kushte flagrante teksa merrte shumën prej 50 mijë lekësh për një operacion. Arrestimi i mjekut Kastriot Dautaj, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit, është realizuar pas një sërë hetimesh e përgjimesh nga ana e policisë. Sipas të dhënave nga policia, mësohet se mjeku i QSUT-së merrte para për operacionet që kryente në këtë spital. Shuma që ai merrte mendohet të jetë 50 mijë lekë për çdo operacion. Ndërkohë mësohet se mjeku Dautaj ishte me gradën “Profesor” është vënë në pranga për akuzën e korrupsionit.

31 tetor 2008
Prangoset Ardian Nelaj, mjeku i spitalit të burgut. Burimet nga policia konfirmuan ditën e ndalimit se mjeku në spitalin e burgut në Tiranë, është prangosur nga forcat e policisë së antikrimit ekonomik në kryeqytet, nën akuzën e korrupsionit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Ardian Nelaj, mjek në spitalin e burgut, është ndaluar nga policia, i akuzuar edhe për mitëmarrje.
Prangat mbi doktorin u vunë pasi kishte marrë 25 mijë lekë për një operacion që kishte kryer. Mjeku Nelaj është edhe kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Korrupsioni në mjekësi është një fenomen mjaft i përhapur, por arrestimet e mjekëve janë të pakta. Gjatë arrestimit atij iu sekuestrua, me cilësinë e provës materiale, shuma e parave prej 545.000 lekësh, 760 euro, 100 dollarë.

03 nëntor 2008
Përfundon në qeli shefi i klinikës në spitalin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”, i akuzuar për korrupsion pasiv. Strukturat Kundër Krimit Financiar pranë Policisë së Tiranës kanë realizuar operacionin e koduar “Plaga e hapur”, ku kanë vënë në pranga mjekun Agim Murat Karaj. Sipas burimeve nga policia, pas dokumentimit ligjor u bë ekzekutimi i urdhrit të arrestit për Agim Murat Karajn, 58 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion kirurg, me detyrë shef i klinikës në spitalin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”. Ndalimi i tij u krye pasi, duke qenë në këtë detyrë, u kërkonte dhe përfitonte ryshfete nga të afërm të pacientëve në shumën 45.000 lekë, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›