E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama filloi tranzicionin drejt Shtëpisë së Bardhë

Autori i Lajmit: red.
Obama po ngre zyrën në Uashington për të parë procesin e tranzicionit gjatë 75 ditëve, deri në marrjen e postit të Presidentit. Presidenti aktual, Xhorxh Bush, i ka ofruar Obamës bashkëpunimin e plotë gjatë periudhës së tranzicionit

Presidenti i sapozgjedhur Barak Obama filloi tranzicionin drejt Shtëpisë së Bardhë. Ai po krijon ekipin që do ta shoqërojë në Uashington. Presidenti Bush ofroi bashkëpunim të plotë gjatë fazës 75- ditore. Informacionet e mediave flasin se kongresmenit Rahm Emanuel i është ofruar posti i shefit të stafit nga Obama. Emanuel, i cili ashtu si dhe Obama vjen nga Çikago, ka shërbyer si këshilltar në administratën “Klinton”. Gjatë periudhës së tranzicionit, Obama pritet të marrë rregullisht dhe raportet e CIA-s, shërbimit amerikan të zbulimit. Obama po ngre zyrën në Uashington për të parë procesin e tranzicionit gjatë 75 ditëve, deri në marrjen e postit të Presidentit. Presidenti aktual, Xhorxh Bush, i ka ofruar Obamës bashkëpunimin e plotë gjatë periudhës së tranzicionit. Demokrati Barak Obama u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e mundur republikanin Xhon Mekejn dhe duke u bërë kandidati i parë me ngjyrë që ndonjëherë ka fituar zgjedhjet presidenciale. Obama fitoi bindshëm në zgjedhjet e së martës, duke fituar betejat në shtetet kyçe të Ohajos, Floridës dhe Pensilvanisë, me ç rast i siguroi 270 votat elektorale të nevojshme për ta siguruar Shtëpinë e Bardhë. Në fjalimin e fitores, Obama i tha turmës prej rreth 100 mijë mbështetësve në park, para shtëpisë së tij në Çikago, se "në Amerikë ka ardhur ndryshimi". Obama tha se zgjedhja e tij dëshmon se forca e vërtetë e Amerikës buron nga idealet e saj të demokracisë dhe lirisë. “Atyre që duan ta përmbysin botën, u themi: Ne do t ju mundim. Atyre që duan të kërkojnë paqe dhe siguri, u themi: Ne do t ju mbështesim. Dhe, të gjithë atyre që kanë pyetur veten nëse fanari amerikan ende ndizet i bardhë, u themi: Sonte ne dëshmuam edhe një herë se forca e vërtetë e kombit tonë nuk vjen nga fuqia e armëve dhe shkallës sonë të pasurisë, por nga fuqia e qëndrueshme e idealeve tona: demokracisë, lirisë, mundësisë dhe shpresës së palëkundur”, - tha Obama. Ai i shprehu mirënjohje edhe rivalit Xhon Mekejn. “Senatori Mekejn luftoi gjatë në këtë fushatë, por ka luftuar gjatë edhe për vendin që e do. Ai i ka duruar sakrificat për Amerikën, të cilat shumica prej nesh as mund t i imagjinojë”, - tha Obama. Mekejn e pranoi humbjen dhe uroi Obamën, duke thënë se "populli amerikan e tha fjalën". “Pak kohë më parë pata nderin ta thërras senatorin Obama dhe ta uroj, ta përgëzoj që u zgjodh president i ardhshëm i vendit tonë, të cilin të dy ne e duam”, - tha Mekejn. Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që e mbështetën, që të urojnë Obamën për t i gjetur kompromiset e nevojshme dhe për të kapërcyer dallimet, në mënyrë që të rivendoset prosperiteti, të mbrohet siguria në këtë botë të rrezikshme. Rrjetet e lajmeve projektuan se Obama ka fituar të paktën 338 vota elektorale kundrejt 156 votave të Mekejnit. Senatori nga Illinois, 47-vjeçari Barak Obama, do të bëjë betimin si president i 44-të i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar 2009.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›