Lihtenshtejni vendos të hapet
Principata e vockël dhe e famshme e Lihtenshtejnit në Alpe, njoftoi se fundmi se ka plane për të ashpërsuar rregullat bankare dhe për të hequr dorë nga statusi i “parajsës fiskale”, duke e bërë më të vështirë për të pasurit e huaj, që deri më sot kanë parapëlqyer të fshehin paratë në bankat e saj. Princi Alois, i cili sundon vendin me 34 mijë banorë, pritet të shpallë planet për rritjen e transparencës të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare së shpejti. Shumë nga të pasurit e Europës arrijnë të shmangin pagesën e taksave në vendet e tyre duke transferuar paratë në Lihtenshtejn, ku autoritetet fiskale të vendeve të tjera nuk mund të kryejnë hetime për evazion fiskal. Kjo gjë pritet të ndryshojë. “Tashmë është koha e duhur për të hequr dorë nga sekreti bankar”, - deklaroi Otmar Hasler, kryeministri i principatës. Gjithsesi, këto masa nuk do të prekin ata që kanë fshehur më parë pasuritë e tyre në Lihtenshtejn. Plani i qeverisë parashikon një periudhë të ndërmjetme para zbatimit të ligjit, ku të gjithë klientët e bankave do të njoftohen paraprakisht dhe do të kenë mundësi të transferojnë paratë e veta para hyrjes në fuqi të ligjit. Lihtenshtejni ka zemëruar shumë autoritetet gjermane, të cilat kanë zbuluar mijëra gjermanë të pasur me llogari bankare në principatë. Disa të dhëna që qenë vjedhur nga një ish-punonjës banke, iu dorëzuan autoriteteve në Berlin e në vende të tjera. Të dhënat treguan një listë shumë më të gjatë njerëzish me pasuri të fshehur në Lihtenshtejn nga sa imagjinohej më parë.