E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dixhitalizohet muzeu arkeologjik

Korçë - Të gjitha objektet e rralla që janë zbuluar nga gërmimet arkeologjike në 20 vitet e fundit në qarkun juglindor të vendit do të dixhitalizohen. Muzeu Arkeologjik i qytetit të Korçës synon të ketë një hartë të re dhe të dixhitalizojë të gjitha objektet që zotëron si vlera të rralla, që përfshijnë etapa dhe periudha nga më të hershmet, për t‘i ekspozuar më pas për vizitorët. Sipas drejtorit të këtij muzeu, Florenc Cenolli, do të jenë të paktën 1200 objekte të periudhave të ndryshme, që janë pjesë e projektit më ambicioz të tyre atij të dixhitalizimit. Që nga objektet e qeramikës, veglat e punës që përdornin njerëzit e lashtë, objektet e zbukurimit dhe stolitë, tashmë nëpërmjet futjes në një sistem dixhital, do të kalojnë brenda pak kohe para syve të vizitorëve. Këto imazhe do të shoqërohen edhe nga një informacion për secilin objekt, si dhe një pasaportë të tij. Për Cenollin, kjo është një nismë pozitive, për të realizuar një ekspozim sa më bashkëkohor e të pasur të fondit të muzeut dhe objekteve të veçanta që ruhen aty. Ky projekt do të zbatohet në dy faza. Dixhitalizimi i objekteve, që është dhe faza e parë është drejt përfundimit të plotë. Ndërsa gjatë fazës së dytë do të bëhet hedhja e të dhënave për objektet, mbi atë çfarë përfaqësojnë, të dhëna historike, zona ku janë gjetur, datimi i tyre dhe funksioni që kanë pasur në periudhën që janë përdorur. Kështu, turisti do ta ketë më të lehtë të informohet rreth objekteve të rralla që ai do të shohë në këtë muze. Sipas Cenollit, dixhitalizimi i objekteve të muzeut do të jetë hapi i parë për modernizimin e këtij institucioni, ndërkohë që nga ana e drejtuesve dhe specialistëve është në ndërtim edhe harta arkeologjike e Korçës që përfshin krejt rajonin. Janë të paktën 100 pika arkeologjike që përbëjnë hartën e rajonit të Korçës, ku përfshihen vendbanimet e shumta prehistorike, tumat, kalatë, e kështu me radhë. Harta e pikave arkeologjike do të jetë në shërbim të turistëve të interesuar për të vizituar këto vende. Kryesisht janë të huajt ata që kanë më shumë kureshtje për të eksploruar në pika të ndryshme historike të këtij qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›