E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitimet e bankave kërcejnë në 130 milionë dollarë

Falë Taksës së Sheshtë dhe shtimit të biznesit me ligj qeverie, sektori bankar po konkurron celularët për normat e fitimit

Bankat në Shqipëri arritën një nivel rekord të ardhurash prej 10.5 miliardë lekësh (83 milionë euro ose 131 milionë dollarë) gjatë vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e disa vendimeve të qeverisë që i dhuroi bankave me qindra-mijëra klientë të rinj, bëhet e ditur nga të dhënat e bilanceve të bankave. Fitimet e bankave u rritën me 47% gjatë vitit të kaluar, por pritet të rriten akoma më shumë këtë vit, për shkak se vetëm Tatimi i Sheshtë mbi Fitimin që hyri në fuqi nga 1 Janari, pritet t’i japë bankave mbi 10 milionë euro fitime shtesë.

Fitimet nga komisionet

Suksesi i sistemit bankar gjatë vitit të kaluar i dedikohet, para së gjithash, vendimeve të qeverisë për të transferuar me detyrim pagat e institucioneve buxhetore dhe të kompanive private përmes sistemit bankar. Në korrik të vitit të kaluar, në emër të luftës kundër evazionit fiskal, qeveria detyroi biznesin të rrisë përdorimin e bankave për pagesat e veta, pa marrë parasysh se kjo gjë nënkuptonte tarifa shtesë për kompanitë private. Si pasojë e faktit se tashmë çdokush që punon në Shqipëri është i detyruar të ketë një llogari bankare rrjedhëse, pothuajse asnjë bankë nuk ofron më sot llogari pa komision mujor, ndërsa shumë banka aplikuan për herë të parë komisione për të gjitha pagesat e qytetarëve, përfshirë edhe pagesat e faturave telefonike. Për disa nga bankat, shërbimet e pagesave ofrojnë një normë fitimi prej 500%.

Dhe qytetarët as që e ndjejnë komisionin...

Bankat në Shqipëri veprojnë në një klimë prej parajse për shërbimet për klientët individë. Pa asnjë kufizim mbikëqyrës dhe pothuajse asnjë detyrim transparence, bankat janë të lira të shtojnë ose ulin komisionet bankare sipas dëshirës. Shumë prej tyre nuk marrin mundimin as të njoftojnë klientët kur i rrisin komisionet, siç vepruan kur vendosën për herë të parë komision mirëmbajtjeje për llogarinë. Në këto kushte, qytetarët shpesh as nuk e vërejnë fare se po humbasin para. Përveç fitimeve nga komisionet, bankat në Shqipëri realizojnë edhe një normë fitimi prej 230% nga interesat. Për pasojë, sistemi bankar shqiptar po bëhet me të shpejtë një nga sistemet më fitimprurës në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›