E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Kulit i kujtoj “Operacionin e Dimrit”

Jeton Selimi
Mbërrin në klub në orarin e caktuar me benzin e tij portokalli, tip 240. Një përshëndetje të lehtë me kokë dhe shkon në zyrë. Ka filluar ditën e punës trajneri i Partizanit, Hasan Lika, por, gjithsesi, ka mirësinë që t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, pyetje të cilat e kanë shtuar intensitetin pas pozitave të të kuqve në superligë. "Partizani? Është mirë. Por do jemi më mirë" Nuk i pëlqen të sulmohet Partizani i tij dhe është i pari që i del në mbrojtje. Ashtu sikurse ka bërë rolin e kritikut gjatë këtyre ditëve, po ashtu nuk lejon që të thumbohet vendi i parë i stërmerituar dhe i përgjigjet me ironi sarkazmave të kundërshtarëve. "Kuli? Besoj se ka dëgjuar për të famshmin "Operacion Dimri". Me sa di unë, partizanët kanë triumfuar aty!" Lika, 5 javë 15 pikë. Do të kërkoni tre pikët e radhës në Vlorë? Ne po punojmë për këtë qëllim. Do të luftojmë të mbajmë vendin e parë dhe dihet që kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë. Flamurtari ka një skuadër të mirë, por ne do të shkojmë si kryesues në Vlorë. Në dy transferuat e deritanishme keni marrë pikë të plota. Sa shanse keni për të bërë tris? Shumë shanse, po aq shanse sa ka Flamurtari për të bërë tris edhe me klubet e kryeqytetit. Por, të kuptohemi. Ne do të ikim atje për të bërë lojën tonë dhe nëse arrijmë këtë gjë, atëherë jemi "ok". Besoj e se dini që jeni një fitore larg rekordit të sezonit 1992-93. Atë vit Partizani është shpallur kampion dhe ju keni qenë pjesë e stafit... Ashtu është vërtet, por ne nuk kemi asnjë interes për thyerje rekordesh. Kërkojmë të bëjmë më të mirën tani për tani. Mjafton që e kemi nisur me këmbë të mbarë. Ndeshja me Flamurtarin është e vështirë, sepse ata janë të karikuar pas fitores së arritur ndaj Dinamos. Cfarë të përbashkëte ka Partizanit i sezonit 1992-93 me këtë aktual? Janë dy skuadra të forta, por mund të them pa frikë se Partizani i titullit të fundit kampion ishte më i mirë. Atëherë ne ishim skuadra më e mirë nga gjithë të tjerat. Këtë sezon ka disa skuadra që janë në nivele të larta. Nëse do të kishit mundësi, cilin repart do të përmirësonit? Të jem i sinqertë, nuk dua të bëj diferencime. Ne jemi një skuadër që luajmë fort në bllok. Për ne, është e mjaftueshme që grupi të jetë në gjendje të mirë, që cdo lojtar të bëjë detyrën e tij dhe atëherë e kemi lehtësisht të mundshme të arrijmë objektivat tona. Kuptohet që faza e parë është deri në janar dhe më pas mund të ketë edhe afrime apo largime, por unë dua që grupi im të jetë kompakt. Kjo është më e rëndësishmja. Partizani ka bindur me Teutën. 4 gola të shënuar, si për të larguar imazhin e katër sfidave të para ku fitonte vetëm me një gol diferencë. E vërtetë, por nuk është se jemi tërësisht të kënaqur. Kemi ende për të përmirësuar dhe shpërdorojmë shumë. Pastaj, të mos harrojmë që Teuta është një skuadër që po kalon një krizë dhe ne e patëm relativisht të lehtë për ta mposhtur. Një tjetër sukses për Partizanin është edhe grumbullimi i Elis Bakajt në Kombëtare. Jemi të lumtur për të, se është shpërblimi i një pune të mirë që ka bërë Bakaj, i uroj suksese dhe shpresoj që të aktivizohet dhe të jetë sa më dinjitoz në fushë. Sa përshtypje ju ka bërë deklarata e mesfushorit të Dinamos, Bekim Kuli, i cili ka thënë se "bora e kuqe do të shkrijë shpejt"? Bora e kuq do të shkrijë shpejt? Kuli e di se kush shkel në borë, lë gjurmë. Ne kemi lënë tonat dhe do t'i lëmë gjatë. Madje, kam përshtypjen se ai duhet të ketë dëgjuar për "Operacionin e Dimrit". Me sa di unë, partizanët kanë triumfuar aty, në borë. Ardit Beqiri mungon ndaj Flamurtarit. Është e sigurt, kapiteni Ardit Beqiri nuk do të jetë prezent në ndeshjen e radhës në Vlorë kundër Flamurtarit. Kapiteni i të kuqve është dëmtuar në sfidën e fundit ndaj Teutës dhe vetëm sot do të mund të hedhë hapat e para, sepse ka qëndruar në regjim shtrati. Periudha e rikuperimit të tij parashikohet në rreth 20 ditë. Megjithatë, Lika do t'i besojë të riut Tafaj në këtë takim dhe do të shpresojë që kapiteni të përfitojë sa më shumë nga java pushim e kampionatit, për shkak të angazhimit të Kombëtares.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›