Lika: “Sfida me Vllazninë, e vështirë”

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e cilësoi si jetike në luftën për titull fitoren ndaj Vllaznisë në javën e 31-të Kampionatit Shqiptar. Skuadra shkodrane fitoi të mërkurën Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës (2-0), që nga ana e saj pësoi humbjen e katërt rresht midis kupës dhe kampionatit.
Ish-trajneri i Besës pohoi se sfida me Vllazninë në kryqytet është e vështirë. "Edhe pse vimë pas një fitoreje në transfertë me Besën, jam i bindur se na duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë për të përballuar një Vllazni shumë të motivuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm".
Nga përfundimi i Kampionatit kanë mbetur edhe tri javë për t'u luajtur dhe Partizani ndodhet dy pikë larg kryesueses Dinamo, që do të ndeshet në fundjavë me Besën e Kavajës dhe një javë më pas në Shkodër me Vllazninë.
Të kuqve u duhet patjetër fitorja me Vllazninë, për të përgatitur në një klimë më të qetë ndeshjen pasardhëse me Skënderbeun e vendit të fundit dhe të rrëzuar në Kategorinë e Parë.
Dy skuadrat kryesuese të kampionatit maksimal shqiptar, Dinamo e Partizani do të përballen me njëra-tjetrën në javën e 33-të, njëherësh edhe e fundit e kampionatit, që do të jepte edhe verdiktin përfundimtar, ku Partizani është në pritje të titullit pas 15 vjetësh, ndërsa Dinamo nuk e shijon atë që nga viti 2002.
Së fundi është hedhur edhe idea e gjykimit të takimit nga një gjyqtar i huaj, parë faktin se dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana u arbitrua nga gjermani Babak Rafati.