Adi Krasta: "Ethet", gazetaria dhe ca gjëra për veten...
Adi Krastën nuk është e lehtë ta intervistosh. Edhe ti vesh një titull intervistës me Krastën hyn te gjërat e vështira. Jo pse Krasta është tip i vështirë, as për faktin që nuk i pëlqen të intervistohet kudo dhe nga kushdo..Por sepse mbi të gjitha, Krasta është nga ata të pakëtit, që ia ka bërë vendin vetes aq gjershëm, sa nuk mund ta trajtosh si të tjerët.. Lexim të këndshëm!
Në edicionin e mëparshëm "eksperimentuat" me një formë të re konkurimi (liderët dhe grupi), pse nuk e vijuat këtë mënyrë konkurrimi? Nuk ju rezultoi e suksesshme, apo shumë shpenzime, shumë punë…
Ishte një eksperimentim i menduar, ne fakt i iniciuar nga ne, në një mënyrë për ti shpëtuar presionit popullor për "gjëra të reja". Nuk mund të përcaktoj nëse ishte i suksesshëm apo jo, por ishte një devijim nga formula origjinale britanike. Sidoqoftë, fituesit e atij edicioni janë po aq të simpatizuar sa edhe të edicioneve të tjera dhe janë po aq të suksesshëm.
Gjatë marrëdhënies në grupe, në rrafshin njerëzor, dhe jashtë kamerave, kemi kuptuar shumëçka që e ka bërë atë edicion të rëndësishëm.
Vazhdimisht e përmendni faktin që këta të rinj janë në garë për t'u bërë të famshëm. Mendoni se duhet të jetë vërtetë ky synimi për këta të rinj 16-vjeçarë?
Vazhdimisht përmend faktin se këta të rinj duhet të bëhen të suksesshëm, të ndershëm dhe në 16 javë, të njohur. Me famën në një vend të vogël ndodh si me lulet….!
Krasta, në forumin që keni hapur për "Ethet" ka edhe nga ata që vënë në dyshim mënyrën e votimit, dyshohet për paracaktim. Si mund tua heqim këto dyshime njerëzve dhe të mbyllim "gojët e liga"?
Është vonë për mua të preokuohem për të gjithë llojët e gojëve. Kur janë "të liga" ca më pak. Njerëzit e pasigurtë merren me gojët, ata që dinë c'duan merren me destinacionin. Forumi është çelur nga Top Channel dhe e çmoj faktin që janë të hapur e realistë për të marrë nga publiku reaksione. Në një cikël si "Ethet" në fund të titrave sikurse dhe në kontratën me konkuruesit është një paragrap që nuk e ka fshehur asnjëherë të drejtën e plotë dhe të pa-apelueshme të stafit për të bërë zgjedhje të cdo lloj natyre editoriale për mbarëvajtjen cilësore të shfaqjes. Thënë kjo, më duhet të pohoj se votimi me sms i publikut është zgjedhje dhe dëshirë e jona. Çështjet e natyrës teknike, si vijnë mesazhet, kush i sheh, kush i mbledh, kush i sjell, çfarë mendohet, komentohet, hamëndësohet për to, nuk ma kanë interesuar asnjëherë.
Të nxjerrësh një yll nga anonimati, sigurisht që është suksesi i "Etheve", ia keni "frikën" komercialitetit?
Nëse ju i referoheni komercialitetit të manifestuar nga ne, më duhet të them se i trëmbemi natyrshëm por edhe e njohim mirë, për ta luftuar. Nëse i referohemi rrezikut të komercialitetit të finalistëve të Etheve, gjithçka kurohet që të mos ketë shënja të tij gjatë programit. Cikli vazhdon të jetë, purist, i çiltër dhe me shumë vërtetësi. Ajo që mund të ndodhë pas përfundimit të ciklit televiziv është shqetësim i finalistëve tanë dhe familjeve të tyre.
Futja në juri e Bojken Lakos…
Bojken Lako, një djalë artist me sjellje shëmbullore, është menduar të futet në juri përpara se cikli të fillonte. Ne menduam se ndihma dhe ajo që ai përfaqëson, do sillte vlera, duke filluar nga finalja e parë e madhe, pikërisht mbrëmjen kur ai u ul në panelin e jurisë. Jemi shumë të lumtur që Boku është në juri dhe ai, siç pritej, po e justifikon plotësisht.
Krasta, jo rrallë herë i atakoni gazetarët, i quani edhe "gazetarucë", apo "gazetarka", është një fobi ndaj gazetarëve të rinj, apo vërtetë vini re një nivel "mediokër" në gazetarinë shqiptare?
Është e kundërta. Rrallë i kam dhënë vetes të drejtën të jap ndonjë konsideratë për kolegët e kulturës. Por, them se, përkundrejt kritikave që shpesh i kanë të pastudiuara, sipërfaqësore e të pandjeshme, nuk më duket që u biem shumë në qafë.
Jam i ndërgjegjshëm që vetë cilësia e drejtimit të programeve të përditshme e shfaqjeve në Shqipëri ka lidhje direkte me mentalitetin e përgjithshëm të popullatës dhe si e tillë ndoshta nuk shkëlqen, por qasja e gazatarëve, sidomos atyre të kulturës është për tu analizuar me shumë seriozitet me kërkesën për reformim të thellë e të shpejtë.
Ju jeni pedagog dhe jepni mësim tek gazetaria, mendoni se shkak i nivelit të këtyre gazetarëve të rinj është edhe vetë sistemi arsimor e konkretisht fakulteti i gazetarisë?
Për ti qetësuar ata edhe mund ta kishim bërë këtë lidhje, por kjo nuk do na kishte justifikuar shumë dhe përfundimisht. Ajo që bëjmë në jetë na bën vetëm ne dhe ne vetëm, përgjegjës. Varet shumë nga serioziteti me të cilin e marrim atë që duam të bëjmë e ku besojmë dhe sa përgatitemi.
Juve, personalisht ku do ta fusnit veten, tek gazetari, prezantuesi, prezantuesi-gazetar? Ç'kostum ju rri më mirë?
Mua më rri mirë një kostum i zi që kam në gardërobën time. Ndërkaq, jam mërzitur duke u përpjekur ta fus veten në kategori të ndryshme, për të qënë OK me mendimin e turmës që pi kafe duke dollapëzuar njerëzit. Tanimë jam në paqe me veten. Jam çfarë më pëlqen të jem dhe atëhere kur dua të jem.
Në emisionin tuaj të mëngjesit ju keni të ftuar personalitete të ndryshme të cilët flasin dhe japin opinionet e tyre. Nuk mendoni se publiku është "velur" nga analiza, opinione, mendime?
Po i bëni autorit të një programi një pyetje që duhet t'ja bëni publikut duke shkruar një esse të gjatë, ose duke çelur në shtyp një debat të gjërë me çka është velur ose jo publiku në Shqipëri. E kemi përsëritur shpesh se stradegjistët e programeve televizive dhe ata që krijojnë formate, prej viteve 50' kanë krijuar programe të brezit orar mëngjesor me prani të njerëzve të njohur të fushave të ndryshme që tregojnë, analizojnë, kritikojnë, japin opinione për fushat ku punojnë e janë specialistë. Të shqetësohesh se publiku shqiptar, nuk "asimilon", nuk "nxë", në mëngjes, ose nuk është i përgatitur të shohë politikanë në mëngjes, mund të merret si një paternalizëm banal, dhe natyrisht tregon fare pak besim në qasjen mëngjesore të një popullate që deri në orët e vona të natës sillet si tejetë e politizuar, e përçarë dhe e polarizuar, e cila befas na qënka bërë aq selektive sa nuk e duroka opinionin (politik ose jo)në mëngjes. Kuptohet që ajo që po ndodh, është e kundërta e kësaj.
PYETËSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Kam një përgjigje jo shumë të qartë për vetë lumturinë. Kur ju i shtoni absolutizëm e largoni edhe më shumë nga mundësia ime për ta shpjeguar. Kur njeriu është i lumtur, kjo dallohet. Ai madje nuk ka nevojë ta shpjegojë.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Ti çohesh në mëngjes sepse një ditë e re fillon. Në një jetë që është "luftë", për të rritur fëmijët dhe për tu vetërealizuar.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Më qëllon për fat të qesh dhe të bëj të qeshin të tjerët. Me shpirt qesh vazhdimisht.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Nga sa kam mundur të studioj karakterin tim nga jashtë (detyrë e vështirë për një njeri), kuptoj se kam karakter të rrëmbyeshëm dhe të papërmbajtshëm. Të ngjizur me gabime e gafa batutash të pakujdesshme. Por ia kam justifikuar vetes me faktin tjetër të patjetërsueshëm se i dua njerëzit dhe përpiqem të jem mirëkuptues dhe pozitiv.
Defekti juaj kryesor?
Vendosni një set me dhjetë pika dhe shkruani cfarë të doni.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
Nuk e di. Nuk mund të kategorizoj. Por, bëj përpjekje të vazhdueshme për të ndarë veprimet racionale nga ao irracionale. Është një ndarje me fuqi të konsiderueshme dalluese.
Hera e fundit që u përlotët?
Nuk ka një herë të fundit. Ka përlotje të përsëritura momentesh të veçanta.
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Nuk dua të bie në këtë kurth dashamirës. Por figurat liberale e kanë gjithë stimën time.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Nga ato që kam bërë mbaj mend udhëtimin në Toskanë. Nga udhëtimet që dua të bëj, më vjen një vizitë në Tokën e Shenjtë, Izrael.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Kadarenë e dua. Dhe kam një shtysë të brëndshme për ta dalluar kur ma bëjnë këtë pyetje. Shkrimtarë të tjerë të veçuar nuk kam. Edhe pse lexoj më pak letërsi, më shumë publicistikë e histori këto kohë.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Burrërinë.
Tek një grua?
Nuk ja specifikoj grave arsyet e vlerësimit.
Kompozitori juaj i preferuar?
Ka shumë të tillë, të cilët edhe në saj të miqve po i zbulojmë ngadalë.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Unë këndoj në dush (fishkëllima më duket relativiste edhe pse një art më fin se të kënduarit). Pjesë këngësh, pjesë që i përsëris për të gjetur intonacionin e duhur. Nuk ngjan me një koncert, i ngjan më shumë një ushtrimi të bezdisshëm.
Libri që ju la mbresë të pashlyshme?
Napoleon (Jam munduar të lexoj disa autorë që të bëj krahasime)
Filmi që ju la mbresë të thellë?
The dead poet society, Novecento.
Piktori juaj i dashur?
Ibrahim Kodra
Kë konsideroni si suksesin tuaj më tëmadh?
Rezistencën. Individualitetin.
Pija juaj e preferuar?
Më pëlqen vera të cilën e kam zbuluar relativish vonë. Vera spumante më pëlqen në çdo rrethanë.
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Pendohem në një njësi të vogël kohe dhe pas kësaj vazhdoj jetën.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Jam konfuz për këtë. Është një mish-mash elementesh jetësorë që nuk më vijnë shumë të identifikuar.
Frika juaj më e madhe?
Frika se për një arsye apo për një tjetër nuk jam i pranishëm në çaste vendimtare të pjesëtarëve të familjes time.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Gënjej rrallë. Më çliron fakti se pothuaj gjithmonë më del gënjeshtra pas pak minutash.
Cila është motoja e Krastës?
"Bëje por justifikoje", thënie që kishte qejf ta përdorte profesori im i komunikimit Ted Schëalbe në Fredonia NY.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Po të ketë mundësi, do kisha parapëlqyer të vdisja natyrshëm, plak, në prani të fëmijëve dhe gruas time.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?
Ne e takojmë Zotin shpesh në mënyra të ndryshme dhe i flasim. Halli është mos bëjmë monolog vetëm për veshët tanë!
Keni dhënë ndonjëherë rryshfet?
Patjetër. Nuk mund të të them sistematikisht, por kam dhënë. Dhe nuk jam penduar.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
Vënde-vënde jam mirë. Shumë faleminderit që pyetët!!