Pjekuria dhe Inteligjenca e një fëmije
Sjellja, ashtu sikurse çdo veprim i fëmijës si ecja, të folurit, të pirët e të ngrënët vetë etj, zhvillohen kur truri të ketë arritur pjekurinë e tij. Pjekuria e truritështë e lidhur ngushtë me zgjuarsinë e tij. Një fëmijë i prapambetur nga ana mendore është i vonuar edhenë të gjitha fushat e zhvillimit. Një fëmijë me një mesatare zgjuarsie të ulët është një fëmijë që mëson ngadalë dhe nuk mund të presim prej tij më shumë se ai mundet. Në se kërkojmë më shumë fëmija bëhet i pa sigurtë e me sjellje jo normale. Një fëmijë me zgjuarsi maksimale mëson shumë shpejt dhe tek ai, mund të vërejmë mërzitje me shkollën dhe përparim më të ulët. Duhet të kemi parasysh gjithmonë se jo të gjithë janë njëlloj. Disa janë të prerë për të drejtuar e disa të tjerë për t'u drejtuar. Disa shkëlqejnë si intelektualë e disa të tjerë si mekanikë, shoferë, infermierë apo parikierë shumë të zotë. Përderisa është kështu atëhere: Metodat standarde për të mësuarit e fëmijëve janë plotësisht të dështuara! Ato mund të përdoren në një fëmijë mesatar, por asnjëherë tek ekstremet nën e mbi mesataren
Negativizmi. Negativizmi është një veçori dhe gjëndje normale në fëmijët e moshës 15 muaj deri në tre vjeç e pak më shumë. Në këtë moshë duket sikur fëmijët ndjejnë një kënaqësi të veçantë kur bëjnë të kundërtën e asaj që i thuhet të bëjë. Sidoqoftë, për arësye të zhvillimit të egos, un-it, eshtë e gabuar dhe shumë e dëmshmeqë të luftohet me fëmijën për çdo gjë sepse në këtë luftë, të jeni të bindur: Do të fitojë ai. Po kështu, është jo e drejtë dhe e paleverdisëshme ta detyrojmë fëmijën të bëjë gjithëçka kundër vullnetit të tij. Kjo, deri në atë masë që veprimi nuk është me rrezik për të. Shpesh herë negativizmi nuk është i lidhur me revoltën, kokëfortësinë e fëmijës, por me arësye të tjera si p.sh. nga padituria apo mos pasja e idesë për masën që kanë gjërat apo veprimet. Një fëmijë nuk është në gjëndje të diferencojë nëse ka luajtur dy apo tre orë. Orën ai e njeh vetëm si lodër e jo si matës i kohës që kalon e në këtë mënyrë nuk mund ta kuptojë ndalimin që i bëhet për të luajtur se u bë vonë, se duhet të hajë apo, se duhet të shkojë në shtrat.
Imagjinata. Shumë foshnje pas moshës 15 muajshe, fillojnë të kenë një imagjinatë të shprehur. Imagjinata varet në rradhë të parë nga zgjuarsia e çdo fëmije. Sa më i zgjuar të jetë ai aq më e shprehur është dhe imagjinata. Ne na vijnë fëmijë të moshës 2-3 vjeç të cilët na tregojnë për shokët apo shoqet e tyre, bile edhe me emra të cilët i kanë në pallat apo brënda në sirtarët e dollapeve të shtëpisë. Ata duke luajtur me kukullat apo makinat që kanë, imagjinojnë histori të jashtëzakonëshme dasmash, ahengjesh apo edhe aksidentesh. Për këtë imagjinatë të fëmijëve të tyre, prindërit shpesh herë shqetësohen, vihen në pozita të vështira dhe nuk dinë se si të veprojnë. Shpesh herë ata, mbajnë qëndrime jo të drejta, duke bërë të pamundurën për të frenuar këtë veti të fëmijëve të tyre. Edhe një herë do të desha të nënvizoja: çdo ndalim i palogjikshëm, çdo frenim i paarësyeshëm, nuk do të sillte tjetër veçse dëmtimin e zhvillimit psikomotor normal të fëmijës suaj!
Faktorë biokimikë dhe endokrinologjikë
Këta faktorë po zenë sot, gjithënjë e më shumë, një vënd shumë të rëndësishëm në rolin që luajnë për sjelljen e fëmijëve. Kështu, funksionet jo normale të gjëndrave me sekrecion të brëndëshëm si pankreasi që sjell me vete diabetin (sëmundjen e sheqerit), tiroidja me funksionin e pakësuar të saj, gjëndra e mbiveshkës që sjell një sëmundje të veçantë etj, ndikojnë fuqimisht në sjelljen e fëmijëve. Për ta bërë më të qartë, kini parasysh se të gjthë fëmijët diabetikë, ashtu sikurse edhe të rriturit, në momente kur niveli i sheqerit në gjak bie nën normat e lejuara (Hipoglicemi), paraqitin një sjellje me temperament të keq dhe janë agresivë. Po kështu edhe epilepsia, sëmundja e tokës. Në këto raste nuk duhet ti akuzojmë e t'i ndëshkojmë fëmijët, pasi ata nuk duan dhe janë krejtësisht jo fajtorë për sjelljen e tyre.
Në kohë të ndryshme të 24-orëve, ka ndryshime të theksuara të nivelit të prodhimit të urinës, të ritmit të pulsit, të punës së zemrës etj, ç'ka sjell me vete ndryshime të veçanta edhe në sjelljen e njeriut, pra edhe të fëmijës.
Edhe gjëndja e motit luan një rol të veçantë tek njeriu. P.sh. në kohë të keqe, me erë dhe shi eshtë vërtetur se ka më shumë vetvrasje. Veprimin negativ të motit e vërejmë tek fëmijët e vegjël të cilët reagojnë me të qara të pashpjegueshme. Po kështu eshtë vërtetuar se edhe përdorimi i disa barnave, si kurse ato gjumë sjellëse, mund të modifikojnë e të vështirësojnë sjelljen e fëmijëve.
Ç`duhet të bëjnë prindërit.
Së pari duhet të dimë se fëmijët problem, për prindërit, edukatorët dhe shoqërinë janë fëmijë me probleme. Ato, pra problemet, shumë rallë mund ti gjejmë të veçuara. Së dyti, prindërit kanë edhe ata problemet e tyre të personalitetit.
Në këto raste, detyra e parë e prindit është të marrë kontakte të shpeshta, të hapura e të mirëkuptueshme me mjekun e këshillimores. Po kështu edhe mjeku pediatër i këshillimores ka një detyrë të veçantë. Për të gjetur shkakun e problemeve e për të vënë diagnozën ai duhet të mësojë sa më shumë nga jeta e prindërve, nga mjedisi ku jetojnë dhe mbi të gjitha për qëndrimin e tyre ndaj fëmijëve. Ai duhet edhe të bëjë një egzaminim të hollësishëm për të zbuluar ndonjë sëmundje që favorizon apo shton problemet. Është shumë e gabuar nëse do të bëjmë fajtorë prindërit sepse problemet e fëmijëve nuk janë e nuk mund të jenë faje të prindërve. Shumë shumë ato mund të jenë një drejtim i gabuar i fëmijëve të tyre. Mjeku duhet të përpiqet që duke krijuar lidhje të forta e miqësore me ta, t'i ndihmojë të kuptojnë pse fëmija i tyre sillet në këtë apo atë mënyrë e kështu ata të gjejnë vetë përgjigjen dhe rrugën për të shëruar fëmijën.