Likaj: Gratë që kam pranë

Më të forta dhe përmbi burrat, të suksesshme po edhe të vetmuara. Si e mendon botën e gruas Armando Likaj.
Baritoni 27-vjeçar flet për rolin në operën "Anna Bolena", nesër në premierë. Ai është burri që mund të zgjedhë cilëndo grua
Roli i Enriko VIII në operën "Anna Bolena" të Gaetano Donizettit, me regji të Eleonora Paternitit është i pari rol mbreti që i besohet baritonit Armando Likaj.
Likajn e kemi parë në rolin e mikut besnik, atij që di ta ruajë sekretin, pra personazhe deri-diku pa nerv, ndonjë ndërlikim aventuror.
Nesër mbrëma në skenën e Teatrit të Operës, ai është njeriu i pushtetshëm, që arrin gjithçka ku vë gishtin dhe ka në dorë jetën e cilitdo që jeton në oborrin e tij, oborr i mbushur sidomos me gra të bukura dhe të çiltra, me gra joshëse dhe djallëzore.
Enriko braktisë të shoqen Ana Bolena (në rol Marjana Leka) për Xhovanën (në rol Vikena Kamenica) një grua e cila ç'nuk bën për të pasur vëmendjen e tij,.
Armando Likaj është pyetur fare pak për rolin që interpreton nesër mbrëma në Teatrin e Operës, duke i dhënë më shumë rëndësi atij informacioni intim që mund të jetë burim për personazhin e tij. Armandi flet për raportet e tij me botën femërore për gruan si nënë, motër, bashkëshorte, për gruan që rri në shtëpi, gruan e suksesshme dhe atë që zapton kopertinat.
Në dy vitet e fundit Likajn e kemi parë pothuajse në çdo shfaqje të TOB-it. Kujtojmë Rajmondon te "Lucia di Lammermoor", Orovezon te "Norma", Krouni te "Porgy and Bess", Pistola te "Falstaff", Klotaldo te "La vita é sogno" e David Tukiçit etj..
Armando, është hera e parë që interpreton rolin e një mbreti. Është ndryshe nga rolet e tu të mëparshëm, karaktere disi të kufizuar dhe statikë?
Jam i kënaqur që interpretoj rolin e një figure kaq autoritare. Ndihem mirë sepse
edhe vokalisht më është përshtatur ky rol. Me regjisoren kemi bërë një punë serioze për interpretimin. Gjithçka që organizon Enriko do t'ia mbërrijë qëllimit patjetër. Ai është një mbret egoist që bën gjithçka do. Si çdo mbret fundja.
Po regjisorja çfarë ka kërkuar prej teje?
Ideja për këtë personazh sipas regjisores Eleonora Paterniti më duket vërtet e bukur dhe e thjeshtë. Ka punuar mbi disa detaje që mendoj janë të dukshme edhe për një publik që nuk e njeh ngjarjen.
Më ka bërë përshtypje që Paterniti nuk ka viktimizuar asnjë personazh. Tek "Ana Bolena" jonë gjithkush lufton për një qëllim. Mbreti Enriko ka për qëllim të largojë nga oborri gruan e vet Anën, për t'i hapur rrugë Xhovanës, dashnores së tij, për t'u martuar me të. Beson se ajo do t'i japë një trashëgimtar.
Enriko mbledh informacion për Anën dhe zbulon që ajo në vajzërinë e saj i kishte premtuar dashuri të përjetshme Persisë, i cili jetonte larg mbretërisë së tij. Ai urdhëron që ta sjellin në Mbretëri, për të zbuluar nëse ekziston akoma tek Ana kjo dashuri. Kërkonte qoftë edhe një provë të vogël, që në sy të të gjithë popullit të tregojë se Ana ka qenë dashnorja e dikujt tjetër dhe ta këtë më të lehtë ndarjen.
A dallon rreth teje forma të epërsisë dhe të pushtetit mashkullor?
Fenomene të tilla njihen dhe dihen. Mua më duken të shëmtuara, ndërsa personat që pretendojnë të kenë një pushtet të tillë, thjesht më duken të degraduar, jashtë normales. Gjithsesi, sido që të jenë format e pushtetit, unë nuk dua t'i njoh. Të kesh epërsi ndaj dikujt, ose të duash ta posedosh atë, është gjë e rëndomtë.
Sot jemi në kohë tjetër, kur mendjet janë të hapura dhe kushdo mund të zgjedhë, edhe femra edhe mashkulli.
A ke një model për gruan?
I pari model është nëna ime. Një grua e devotshme që e vlerësoj shumë. Jo vetëm se është nëna ime, por duke njohur edhe jetën që bën ajo në çift. Një grua që mban mbi shpatulla përgjegjësi dhe pa marrë parasysh vështirësitë, ia del gjithmonë mbanë. Kush më shumë sesa nënat shqiptare e bëjnë këtë?
Mendon se "nëna shqiptare" përbën një tip më vete gruaje?
Mendoj që ajo i ka bërë gjithmonë të dyja: u ka dalë zot problemeve brenda dhe jashtë shtëpisë. Në një çift e mira dhe e keqja ndahen bashkarisht. Në botën e qytetëruar marrëdhëniet ngrihen mbi barazinë.
Femra sot është më e lirë. Dikur ajo është dominuar nga një lloj ideali mashkullor. Personalisht e çmoj seksin femëror si një natyrë të pajisur me dhunti.
Ç'lloj dhuntish sheh tek ajo?
Ndjeshmëria e saj natyrore zbut çdo gjë. Femra është e fortë dhe ka moral për të ngritur atë që bie, për të ndërtuar atë që po shkatërrohet. Flasim gjithnjë në aspektin e një marrëdhënie që e lidh dashuria.
Opera vetë duket se ekziston falë modelit të femrës heroinë, të gruas fatale që në fund vetmohohet për dashurinë.
Është e vërtetë. Shohim shpesh gra fatale. Muzika, elementi bazë i të shprehurit të dashurisë, depërton aty ku nuk depërton asgjë tjetër.
Çfarë të bën përshtypje tek gratë e operës "Anna Bolena"?
Janë tendencioze. Në këtë operë është mashkulli ai që vendos, ai është i gjithëpushtetshmi dhe femra duhej të përdorë si mjeshtëri më vetë djallëzinë, armët e fshehta të joshjes. Vetëm me ato armë mund të arrinte qëllimet e veta. Kjo ndodhte dikur, ndodh edhe sot. Mendoj që çdo gjë e ka një arsye, gjithmonë.
Ç'mendon për gruan e suksesshme, po t'i referohesh edhe mjedisit ku ti punon?
U prin i njëjti fat edhe në jetën jashtë pune?
Këtë temë e diskutojmë shpesh me kolegë. Është vërtet shumë e vështirë për të patur një karrierë të suksesshme dhe një jetë private po aq të suksesshme. Është e vështirë për të dyja sekset, pa dashur të bëj dallim. Këtu shquhet pastaj forca e individit, e artisti që di të mbajë një balancë mes karrierës dhe familjes.
Në botën e artit operistik një këngëtari i duhet të lëvizë nëpër botë. Personalisht synoj të bëj një karrierë tani sa jam i paimpenjuar. Dhe më vonë, për t'iu dedikuar një kohe, që për mua është e shenjtë: krijimit të një familjeje.
Me çfarë karakteresh femërore je i rrethuar dhe cilën natyrë pëlqen ta kesh pranë?
Jam i rrethuar nga femra të mira dhe të forta. Nuk do të përjashtoja asnjë nga koleget e mia me të cilat këndoj në skenë. Madje aty kam marrë edhe mbështetjen e parë, shtysën e parë që unë të vazhdoja këtë rrugë.
Por nga rrethi i femrave ku ndodhem pothuajse përditë, do të kisha veçuar njërën: Motrën time, që në vogëli më ka dhënë një shtysë të madhe për t'u bërë artist. E ndiente ajo, e doja edhe unë këtë gjë. Ende sot ajo më mbështet që të jem aty ku duhet. Më kontrollon dhe më jep opinionet e saj.
Pa harruar një person vërtet me vlera, i pranishëm në karrierën e 2-3 viteve të fundit, pianisten time të mrekullueshme, që më ka ndihmuar shumë Ingrid Pulizo. Ingridi përveçse është një pianiste virtuoze, njeh shumë mirë këngëtarin operistik.
Më ndihmon dhe më sugjeron shumë gjëra. Personi i parë që më ka dhënë dorën në Teatrin e Operës dhe Baletit, ka qenë në atë kohë drejtoresha artistike, Edit Mihali. Më ka dëgjuar për herë të parë dhe më ka dhënë besim që të isha në skenë. Janë të gjithë këto forca pozitive që e bëjnë një njeri solid, të sigurtë për të ecur përpara.
Të bën përshtypje modeli që vetë gruaja reflekton për gruan, siç duket për shembull në kopertinat e revistave?
Sa për këtë lloj modeli të krijohet përshtypja se ke të bësh me njerëz që nuk lodhen fare për të qenë në ballë të kopertinës. Por ndoshta është më mirë të mos e zgjas në këtë pikë, meqë s'jam kompetent dhe nuk u kushtoj kohë. Megjithatë edhe ai është një realitet.
Ke një njeri të zemrës?
Për momentin po njoh vërtet një vajzë që mendoj ia vlen ta njoh, ia vlen të rri me të. Por që vërtet nuk jam në stadin që të krijoj një marrëdhënie stabël. Sepse për të bërë një karrierë të mirë, mbase duhet sakrifikuar diçka. Nuk them që do sakrifikoj gjëra shumë të mëdha, pasi edhe mosha ime e re ma lejon.
Kur e kupton se dikush është njeriu i duhur për ty?
Kur të fal qetësi dhe mendime të bukura. Kur një person, mua m'i fal këto lloj cilësish dhe ndihem mirë me të, them ia vlen.