PS, hetim Topallit për shpenzimet në Kuvend

Deputetët e PS-së i kundërvihen kryetares së Kuvendit, Topalli, për mbajtjen e rrogës dhe të të gjitha të ardhurave të tjera që iu siguron statusi i deputetit
TIRANË - Abuzimet me pagat, dietat dhe buxhetin nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, rrezikojnë të bëhen objekt i një hetimi parlamentar ose në më të keqen objekt i një hetimi penal.
Grupi parlamentar socialist teksa ka diskutuar dje lidhur me penalizimet e herëpashershme të Kuvendit me të ardhurat për kryerjen e funksionit të deputetit nuk ka përjashtuar mundësinë që në ditët në vijim të kërkojë edhe zyrtarisht ngritjen e një komisioni parlamentar për të parë mënyrën e përdorimit të buxhetit të Kuvendit nga ana e kryeparlamentares Topalli dhe trajtimin financiar të çdo deputeti përfshi këtu edhe atë vetë si spikere e këtij institucioni.
Duke i konsideruar penalizimet e vazhdueshme me pagat dhe dietat, si një hakmarrje dhe tentativë për të paralizuar jetën parlamentare të opozitës dhe kryerjen e funksionit të ligjvënësit, të zgjedhurit socialistë nuk kanë përjashtuar as mundësinë e paditjes në Gjykatë të kryetares Jozefina Topalli, sekretarit të Përgjithshëm, Marlind Myftiu, si dhe financieres së Kuvendit.
Grupi
Deputetët socialistë kanë vendosur që të mos ia falin më kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajtjen e rrogës dhe të të gjitha të ardhurave të tjera që iu siguron statusi i deputetit për kryerjen e funksionit të të zgjedhurit të popullit.
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar midis të tjerave përfaqësuesit socialistë kanë diskutuar edhe për këtë çështje, duke e vlerësuar këtë veprim si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit.
I pari që ka ngritur si çështje mësohet të ketë qenë deputeti Erion Braçe, i cili nuk e ka parë çështjen e pagës dhe dietave thjesht si një e ardhur për deputetët, por si instrumente që bëjnë të mundur ushtrimin e funksionit kushtetues të deputetit.
Qëndrim ky që ka gjetur dhe mbështetjen e të zgjedhurve të tjerë socialistë, të cilët kanë vendosur që të mos heshtin më, por ta ngrenë këtë çështje si një përpjekje të kryeparlamentares Topalli për të cenuar aktivitetin e parlamentarit, por pse jo edhe si një abuzim të kësaj të fundit me të drejtat dhe liritë që i jep Kushtetuta, si dhe dhunuese e ligjit "Për statusin e deputetit".
Për t'i prerë rrugë një herë mirë këtij problemi dhe për të vendosur në vend figurën e deputetit, grupi ka diskutuar edhe për mundësitë e ndërmarrjes së disa hapave ligjor për të kërkuar transparencë për mënyrën sesi shpenzohet buxheti i Kuvendit.
Kështu, deputetët kanë vendosur që të konsultojnë edhe me juristë mundësinë e ndërmarrjes së një kërkese për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili të mund të shihte mënyrën e trajtimit financiar të deputetëve dhe të vet kryeparlamentares Topalli, si dhe sa është zbatuar ligji "Për statusin e deputetit".
Gjithashtu, objekt i punës së këtij komisioni mund të jetë dhe hetimi i mënyrës së menaxhimit të buxhetit të Kuvendit në pesë vitet e fundit, kohë gjatë së cilës ai është drejtuar nga Jozefina Topalli. Pra, një hetim për të parë raportet e buxhetit që përdoret për mbështetjen e aktivitetit legjislativ të deputetëve dhe buxhetit që përdoret për aktivitetin e kryetares së Kuvendit.
Seanca
Një çështje e tillë është bërë objekt i debateve të gjëra dhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët socialistë të gjendur përpara një veprimi të përsëritur për disa muaj me radhë të ndalimit të pagës dhe dietave, kanë denoncuar në fjalimet e tyre këtë akt të drejtueses së Kuvendit si abuziv dhe kundër opozitarizmit dhe parlamentarizmit në përgjithësi.
"Sulmi që i bën statusit të deputetit, trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. Ti do që ne mos të funksionojmë, mos kemi mjete të ndjekim elektoratin", - tha deputeti Arben Ahmetaj.
Ndërsa deputeti tjetër socialist, Damian Gjiknuri, ndërsa e ka konsideruar këtë akt si dhunim të ligjit për statusin e deputetit, e ka akuzuar Topallin se po përdor paratë e Kuvendit për të shpërblyer veten e vet me dieta të justifikuara me faktin se gjoja jeton në Shkodër, megjithëse realisht jeton në Tiranë.
Më i ashpër në fjalën e vet ka qenë deputeti Taulant Balla, i cili i ka komunikuar Topallit pikërisht atë që ishte diskutuar edhe në mbledhjen e grupit, pra mundësinë e kërkesës për transparencë të shpenzimeve të Kuvendit.
Por të gjitha këtyre akuzave Topalli iu është përgjigjur me argumentin se administrata ka zbatuar vetëm ligjin dhe se ajo nuk mund t'u japë dieta deputetëve për ditët që kanë qenë në grevë urie.
Debati në Kuvend
Ahmetaj:
Ne kemi menduar se në tentativën dhe në dëshirën, madje dhe në kënaqësinë për të shtypur dhunuar opozitën, kryeministri Berisha nuk ka pasur konkurrencë, por këto ditët dhe muajt e fundit mendojmë se ti je një konkurrente dinjitoze që shpesh më krijon dhe idenë se del dhe jashtë kontrollit.
Sulmi që i bën statusit të deputeti, trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit.
Ti do që ne të mos funksionojmë, të mos kemi mjete të ndjekim elektoratin. Dua t'ju them se ju jeni një nga arsyet kryesore pse ky parlament sot quhet një parlament që nuk funksionon. Konkurrente e denjë jo kompliment".
Topalli:
"Më lejoni që të mbështes tërësisht administratën, meqenëse i keni bërë jashtëzakonisht presion për dietat që nuk u kanë dhënë ju. Unë mendoj se administrata ka vepruar drejt se një grevë pa vënë gjë në gojë dhe me marr dieta nuk mund të shkojë. Kështu që ju kërkoj që t'i kërkoni ndjesë administratës së kuvendit".
Ahmetaj:
"Merri dhe çoji në Shkodër dietat tona se të duhen për atje"
Gjiknuri:
"Fatkeqësisht është vazhduar dhe me dhunimin e ligjit për statusin e deputetit. Jo vetëm me instrumentet financiar që nuk janë teka të deputetëve, por janë instrumente që bëjnë të mundur ushtrimin e funksionit kushtetues.
Jo më dietat që përmendi ju se nuk i merituakan disa njerëz në çadër apo që pa dashje na shkuakan te një shtëpi virtuale në Shkodër, megjithëse ju banoni në tiranë, por e kam fjalën për një sërë të drejtash që i garanton ligji për statusin e deputetit. Siç është kontrolli mbi veprimtarinë qeveritare. Sa nga ju e dinë që për të marrë një informacion nga një institucion publik shkresën duhet ta siglojë zonja Jozefinë.
Sa nga ju e keni këtë problem, por ju mbylleni në heshtjen tuaj se keni dhunën e diktatit politik të mazhorancës dhe unë e kuptoj këtë shumë mirë. I keni mohuar këto se keni frikën e zërit të opozitës. Është koha për veprim, jo për atë që ju mendoni, për një veprim të përbashkët për ta shpëtuar parlamentin nga dita më e zezë".
Topalli:
"Konstatoj prej disa ditësh se keni hequr dorë nga transparenca dhe ju duket dita më e zezë ajo ditë, në të cilën ju nuk merrni dietat për ditën e grevës së urisë. Ju vë në dijeni se kjo nuk është parimi dhe principi themelor.
Do respektohet rregullorja. Vendimet e parlamentit ditë për ditë për secilin prej deputetëve. Më vjen mirë se ju jeni të pranishëm në Parlament. Jemi tamam një vit pas zgjedhjeve.
Balla:
"Zonja drejtuese e seancës na je bërë si ajo brigadierja Lume tek filmi "Parullat". Ti moj zonjë ke një problem shumë të madh, ti di të përdorësh vetëm gomën, nuk di të përdorësh lapsin, ti di vetëm të fshish nuk di të ndreqesh.
Zonja topalli po flasim këtu për transparencë dhe unë po u them këtu se nuk do të vonojë dita që transparenca do t'i kthehet dhe kuvendit të Shqipërisë për ta marrë vesh dhe Shqipëria që ka një kryetare kuvendi që merr 17 milionë lekë në vit për shpinë e saj në Shkodër, se ka një kryetare kuvendi që për 5 vjet me radhë ka marrë 27 mijë e 30 euro dieta për rrugët jashtë shtetit. Këtë transparencë do ta bëjmë dhe mos guxo të flasësh për dieta për grevat e urisë se nuk keni nevojë për dietat e tua.
Topalli:
"Mbaroi koha"
Balla:
"Ty të ka mbaruar koha me kohë"
Braçe:
"Ku banon, tregojua këtyre që banon në Tiranë dhe merr dietat sikur banon në Shkodër"