Lila e Francës kërkon Ujkanin, Sadiku drejt Serisë A në Itali
Rritet konkurrenca mes skuadrave që kërkojnë shërbimet e portierit Samir Ujkani, por edhe të sulmuesit Armando Sadiku. Pas interesimit zyrtar të Udinezes, që sheh te portieri 25-vjeçar zëvendësuesin ideal të Zheljko Bërkiç, i cili do të mungojë deri në janar për shkak të një dëmtimi në shpatull, del në skenë edhe klubi i Lilës në Francë. Skuadra franceze, sipas mediave italiane ka nisur kontaktet me Palermon, që ka në pronësi kartonin e portierit shqiptar. Gjatë fazës së dytë të Serisë A, Ujkani nuk luajti asnjë minutë me Kievon. Ndërsa e ardhmja e Armando Sadikut është Seria A. Presidenti i Luganos ka arritur një marrëveshje paraprake me një skuadër italiane, por e ka shtyrë zyrtarizimin për një arsye të thjeshtë, shpreson që të rritet vlera e kartonit. Në gjurmët e Sadikut janë tri klube të Serisë A, ndonëse vetëm një prej tyre ka avancuar me një ofertë konkrete. Nga kampionati zviceran e kërkon Zyrihu dhe Lucerna, që shpresojnë ende se mund ta bëjnë të vetin talentin shqiptar. Për momentin Sadiku vijon përgatitjet me Luganon, por presidenti i kësaj skuadre e ka bërë të qartë se deri në përfundim të merkatos, 22-vjeçari do të transferohet në Serinë A.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)