Liliputë dhe dinozaurë
Në fillimet e erës demokratike në Shqipëri, atë fund dimri të vitit 1991, në të gjithë vendin po zhvillohej një fushatë zgjedhore e pasionuar. Një nga drejtuesit e Partisë Republikane kishte vajtur në një fshat të Lushnjes, që numërohej në atë kohë si vatër frymëzuese për të gjithë antikomunistët e atij rrethi. Foli e foli, gjatë e gjerë, politikani republikan, duke sharë me ç'të mundej regjimin e egër totalitar komunist e duke i kënduar himne demokracisë. Në fund të ligjëratës së tij, paksa i lodhur, i hodhi një vështrim auditorit përqark për të marrë miratimin e shumëpritur.
"Ik në Tiranë rehat ti Babam, mos na e ki merakun se ne ashtu siç na the ti do të bëjmë, Demokratikes do ia japim…"- ia priti njeri nga të moshuarit e pranishëm në mbledhje. I gjithë mundimi i politikanit të lartpërmendur vajti dëm. Nuk e dimë nëse sot zotëria në fjalë e ka marrë vesh se për elektoratin e zakonshëm, jo doemos tiranas, po sulmove Ramën, je i PD-së e po kundërshtove Berishën, je i PS-së. Thjeshtimin e bëjnë njerëzit poshtë në terren, kurse ndërlikimet i sjellin kuadrot, sipër, në forume shtetërore apo partiake.
Në kampin e majtë ka pasur një paradoks: Partia Socialiste paraqitej më e moderuar dhe më liberale se aleatja e saj Socialdemokrate. Në të gjithë botën, partitë socialdemokrate pozicionohen djathtas atyre socialiste. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta: PSD ka qenë në përgjithësi, gjatë gjithë këtyre 17 vjetëvemë radikale, më militante dhe më agresive në marrëdhëniet me formacionet e tjera politike se vetë PS-ja. Ndërkohë që zëri i lartë i PSD-së kontrastonte me fuqinë reale të saj, fuqi që pompohej çdo katër vjet me dashamirësi nga Partia Socialiste. Tregojnë për një kandidat të saj në qendrën elektorale ku votonte vetë kandidati. Zotëria e tij jetonte me prindërit dhe familja përbëhej nga katër zgjedhës. Mori në atë qendër socialdemokrati gjithsej dy vota. As i ati me t'ëmën nuk deshën t'i shpenzojnë votat kot. Ata, megjithëse nuk kishin asnjë arsye t'i kundërviheshin birit të tyre, gjithsesi i shpjegonin atij se votat për të shkonin dëm, ato ishin vota të humbura.
E njëjta histori edhe në kampin e djathtë. Në një qendër elektorale në Tiranë, kunetërit e kandidatit për deputet të një partie të vogël të djathtë në zgjedhjet e 2005-ës, ia dhanë votën PD-së. Zemërimit të ligjshëm të tij, ata iu përgjigjën se Fatos Nanon mund ta rrëzonte nga froni vetëm PD-ja, e jo partia e tij e vockël që ecte me paterica.
Dalëngadalë kjo bujari e dy partive të mëdha ndaj aleatëve të vegjël mori nuancat e detyrimit. U kristalizua opinioni se dy të mëdhenjtë duhet të shpërndanin se s'bën dhurata majtas e djathtas, ndryshe bëhej qameti. Sigurisht, një opinion i tillë nuk shfaqej në trajtën e vet bruto, por mbështillej me frazeologji demokratike, me nevojën për të pasur shumë zëra e shumë ngjyra në parlament, për të krijuar një atmosferë debati të gjerë, për të shmangur "kontrastin e egër bardhë e zi" etj. Mirëpo, kjo mendësi polli Dushkun, atë dukuri që diskreditoi jo vetëm autorët e tij, por gjithë shqiptarët. U bë imperativ ndryshimi i gjendjes, u bë detyrues ndryshimi i kushtetutës, madje ky ndryshim u kërkua konkretisht nga vendet e mëdha mike perëndimore. Barrën e këtij ndryshimi e mbajtën dy forcat e mëdha politike dhe rezultati është ai që dimë: 115 me 17 në votimin e Kuvendit natën e 21 prillit.
Ligji i ri kushtetues për zgjedhjet nuk është atentat ndaj partive të vogla ekzistuese, ai është sanksionim i realitetit, i gjendjes së vërtetë në terren, ku parti që nuk mbledhin më shumë se një autobus me zgjedhës, bërtasin fort për "të drejtat e tyre të dhunuara", kur në të vërtetë protesta bëhet për të mbrojtur privilegjet e tyre të avulluara.
Ndiejnë se po u rrëshqet toka nën këmbë, sepse ligji i ri do të nxjerrë lakuriq në shesh forcën e tyre reale. Shumë shpejt do të marrë fund situata qesharake e përfaqësimit në spektrin politik shqiptar të 60 -70 partive politike, të cilat nuk ka burrë që t'ua mbajë mend emrat e aq më pak bëmat e tyre, pasi diçka që nuk ekziston nuk ka se çfarë të demonstrojë në veprimtarinë politike, përveç se tymit të hirtë të "protestës".
Akuzat janë të shumta. Thuhet se me këtë ligj u vendos "diktatura e dy partive". Termi është jashtë logjikës. PS dhe PD nuk mund të bëhen aleatë, pasi ato janë dy forcat më të mëdha që konturojnë pluralizmin në vend. Nëse gjeografia do t'i kishte vendosur në të njëjtën hapësirë gjuetie, nuk ka se si përfytyrohet që luani me tigrin të bëjnë aleancë me njeri-tjetrin kundër qenit dingo. Pra partiçkat e zemëruara nuk mund të pretendojnë se dy dinozaurët e politikës shqiptare kanë nevojë të bashkohen për t'iu bërë ballë liliputëve politikë. Kjo nuk do të thotë detyrimisht se këto parti të vogla nuk kanë vlera. Veçse në demokraci përcaktuese është vota popullore. PD dhe PS mund të mos jenë ashtu siç e reklamojnë veten, mund të kenë të meta të mëdha, madje mund të jenë edhe fajtore për shumë hapa të hedhur gabim apo në kundërshtim me interesat e popullit. Mirëpo, ato votohen dhe gjersa votohen masivisht nga elektorati shqiptar, kjo do të thotë se edhe zgjidhjet e mëdha do të gjenden e të vihen në jetë po prej tyre.
Thuhet se zgjedhja e deputetëve do të jenë ekskluzivitet i kryetarëve të dy partive të mëdha. Po pse, sot, kush vendos për kandidatët për deputet, a nuk janë edhe tani shefat e mëdhenj që i venë vulën listave të kandidatëve? Nuk janë listat e hapura apo të mbyllura ato që përcaktojnë shkallën e emancipimit demokratik të shoqërisë sonë. Ajo shkallë përcaktohet nga guximi dhe kurajoja qytetare e anëtarëve të forumeve drejtuese të PD-së dhe PS-së. Kur njerëzit të mos rrinë si pula të trembura para shefave të gjithëfuqishëm, atëherë edhe shqetësimi për fuqizimin e skajshëm të shefave do të bjerë dhe demokratizimi i brendshëm i partive të mëdha do të bëhet një fakt real.
Reforma zgjedhore është një hap i madh përpara në zbutjen e kontrastit ndërmjet fasadës ylberistike politike shqiptare dhe realitetit dyngjyrësh rozë e blu. Shqetësimi se po na cenohet demokracia mund të bjerë sapo të kthejmë sytë nga dy vendet e mëdha mike e përkrahëse të Shqipërisë dhe të reformave të saj – SHBA dhe Britania e Madhe. Kanë shumë dhjetëvjeçarë të gjatë me dy parti e askush nuk i ka akuzuar gjer tani se po restaurojnë një sistem diktatorial dypartiak. Nëse bindemi se atyre deri sot u kanë ecur punët mirë, le të ndjekim gjurmët e tyre. Është një rrugë e njohur dhe e provuar. E pra, nuk ka pse të pendohemi se nëpërmjet një vendimi të guximshëm parlamentar iu dha secilit haku që i takon.