E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat dhe pensionet, rritje 6 miliardë lekë

 Inflacioni në rritje ka detyruar ministrin e Financave që të rrisë fondin shtesë për pagat dhe pensionet me 30 për qind

Indeksimi i inflacionit për pagat dhe pensionet në 6 mujorin e dytë do të realizohet me një fond prej 6 miliardë lekësh

Inflacioni rekord gjatë pjesës së dytë të vitit 2007 dhe në 3 mujorin e parë të këtij viti ka detyruar qeverinë që të rishikojë politikën e saj të indeksimit të pagave dhe pensioneve. Por pavarësisht rritjes së Fondit të Kontigjencës, që sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, do të jetë në 6 miliardë lekë për 6 muajt e dytë të vitit 2008, nga 4.6 miliardë që është parashikuar në buxhet, buxhetorët do të mund ta përfitojnë këtë shtesë të përgjysmuar. Kjo pasi rritja do të jetë vetëm për 6 mujorin e dytë, ndërsa institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar që shtresat me të ardhura të ulëta të kompensohen sa më shpejt për krizën e çmimeve. Pavarësisht faktit se rritja e pagave do të jetë vetëm për 6 muaj, Bode sqaron se me anë të kësaj rritjeje do të indeksojë pagat dhe pensionet për inflacionin dhe njëkohësisht do të realizojë edhe rritjen e parashikuar që në fillim të vitit në buxhet. "Vlera që ne hedhim nuk është siç thuhet në publik, rreth 170 milionë lekë në muaj, përkundrazi është shumë më e lartë, sepse vetëm aq sa kemi parashikuar ne në buxhet për 6 mujorin e dytë si rritje pensionesh dhe pagash është4.6 miliardë lekë, por mendojmë se do të jetë edhe më shumë se kaq në momentin që do bëjmë ndërhyrjen e rritjes së pagave dhe pensioneve, pra do jetë rreth 1 miliard lekë në muaj. Mendoj se kjo është një shumë e konsiderueshme si rritje për të përballuar presionet dhe pasojat inflacioniste që vijnë për këto shtresa shoqërore", - tha Bode. Në analizën e tij për krizën e çmimeve Bode ka sqaruar se "mendojmë që kjo konjukturë e favorshme e çmimeve të prodhimit bujqësor për shitësin, jo për konsumatorin, do të mundësojë që një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare e cila merret me aktivitet bujqësor, jo vetëm të mos ketë pasoja nga rritja e çmimeve të mallrave ushqimore për shkak të natyrës së vet konsumatore që ka prodhimi bujqësor dhe nivelin e ulët të tregtimit që ka PBB në sektorin e bujqësisë, por përkundrazi për shkak të rritjes së interesit dhe mundësive për të rritur prodhimin bujqësor të mund të dalin në treg dhe të shfrytëzojnë këtë periudhë për një rritje në terma realë të fuqisë blerëse për gjysmën e shoqërisë që merret me aktivitet bujqësor dhe për përmirësimin e kushteve të saj të jetesës. Pra mendoj që në masë të madhe kjo shtresë është e zgjidhur. Nga ana tjetër, sigurisht që mbetet një kategori që merret dhe që është e punësuar në biznesin privat. Sigurisht që do t'i kërkojmë të gjithë komunitetit të biznesit që gjithë këto politika që ndërmerr qeveria të mund t'i shoqërojë dhe ajo me të njëjtin ritëm, për të mos lejuar krijimin e diferencave të ndryshme shoqërore. Deri më sot sektori privat ka qenë më i paguar, por rezulton që dy-tre vitet e fundit nuk ka ndjekur të njëjtat ritme si sektori publik dhe ajo ulje e madhe e taksave dhe tatimeve që ka bërë qeveria nuk është thjesht një atribut dhe një dhuratë që i bëhet pronarëve të biznesit, por duhet të përfitojë i gjithë komuniteti, përfshirë këtu edhe të punësuarit në këtë sektor. Pra mendoj që një veprim më i kujdesshëm dhe më njerëzor edhe nga komuniteti i biznesit, nuk do të krijojë diferencat dhe problemet që mund të shkaktohen në buxhetet familjare arsye të rritjes së çmimeve dhe goditjes që ka tregu i brendshëm për shkak të presioneve në tregun ndërkombëtar". Skema e kompensimit të inflacionit që do të realizohet gjatë pjesës së dytë të vitit 2008 do të përfshijë vetëm një pjesë të atyre që të ardhurat e tyre të vetme kanë pagat. "Sigurisht që ekonomia e qeverisë nuk është e gjithë shoqëria shqiptare. Qeveria ka dy aspekte, së pari punonjësit buxhetorë të cilët zënë rreth 30 – 40 % të punonjësve të deklaruar sot, ka dhe pensionistët të cilët përbëjnë një numër prej rreth 540 pensionistësh. Me këto dy shtresa që përbëjnë dhe shtresat më të ekspozuara pasi janë me të ardhura mesatare ose nën mesatare, pensionistët sigurisht që përbëjnë një shtresë të veçantë, mbulimi me rritje pagash dhe pensionesh sigurisht që përbën një ndihmesë dhe njëkohësisht një shtysë për konsumin", - tha Bode.

Rritja e pagave dhe pensioneve

Rritja e pagave gjatë pjesës së dytë pritet që të ketë një impakt më të madh në sektorin e arsimit parauniversitar dhe në atë të shëndetësisë. Për këta sektorë parashikohet që të ketë një rritje pagash që mesatarisht shkon në 10 për qind. Ndërsa për sa i përket pensioneve, rritja që do të ketë për pensionet e qytetit do të jetë vetëm 5 për qind, ndërsa për fshatin 10 për qind. Premtimi i ministrit të Financave është se inflacioni në 3.1 për qind do t'i shtohet kësaj rritje pagash të deklaruar që në fillim të vitit.

------------------------------------

Banka Botërore kërkoi rritje të pagave për shtresat e varfra për të gjithë vitin 2008

Qeveria, indeksim pagash vetëm për 6 muaj

Rritja mesatare e pagave dhe pensioneve për vitin 2008 nuk kalon 5 për qind, nëse i referohemi të dhënave të dhëna nga ana e Ministrisë së Financave. Normat e larta të inflacionit, që për shtesat me të ardhura nën mesataren kanë mbërritur tashmë në një nivel prej 7 për qind kanë gërryer të ardhurat e tyre për 6 mujorin e parë të këtij viti në këto vlera. Duke pasur parasysh që inflacioni ka ardhur kryesisht nga produktet bujqësore dhe ato zënë rreth 70 për qind të njerëzve me të ardhura të pakta, behet më e lehtë të besohet edhe kriza e ushqimit që po paralajmëron Banka Botërore. Si pasojë e çmimeve në rritje edhe buxheti i shteti ka mbledhur më shumë taksa bazuar mbi këto çmime dhe xhiro në rritje të biznesit. Por qeveria kthen inflacionin që kanë paguar qytetarët vetëm në 6 mujorin e dytë të vitit. Duke marrë për bazë deklaratën e bërë në relacionin e buxhetit për një rritje mesatare në muajin korrik prej 10 për qind për buxhetorët, rritja në të vërtetë për të gjithë vitin 2008 është vetëm 5 për qind. Me këtë indeksim të pagave për 2008, qeveria nuk mund të marrë më shumë merita se një ruajtje të vlerave të pagave reale, duke besuar se inflacioni i nxjerrë nga INSTAT është i matur siç duhet. Ligji parashikon që qeveria duhet të indeksojë pagat me inflacionin e vitit paraardhës, por indeksimi nuk fillon në muajin e parë të vitit pasardhës, por 6 muaj më vonë. Duke luajtur vetëm me vlerën nominale të të ardhurave dhe jo me atë reale, politika e indeksimit të pagave dhe pensioneve është kthyer tashmë në një politikë më shumë votash sesa sociale. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, ministri i Punës, Kosta Barka, kishte paraqitur një vendim për indeksim të pagave me inflacionin mesatar vjetor të vitit 2007, por vendimi është refuzuar me shpejtësi nga ana e ministrit të Financave që ka kërkuar shtyrjen e këtij projekti për pjesën e dytë të vitit 2008.

Bode: Ja pse nuk pranuam propozimin e Barkës

Por ministri i Financave e argumenton shtyrjen me 6 muaj të indeksimit të çmimeve rekord të ushqimeve me faktin se nuk janë të sigurt për inflacionin e 6 mujorit të parë të këtij viti. "Dje qeveria diskutoi rreth një propozimi të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për të rritur me 3 % nivelin e pagave dhe të pensioneve. Ne konsiderojmë që niveli i rritjes së pagave, i cili bëhet çdo korrik në Shqipëri dhe korrigjon njëkohësisht dhe inflacionin, do të jetë pasi të vërtetohet norma e inflacionit për 6 muajt e parë të vitit, nivel që mund të jetë më i lartë nga ai që është konstatuar vitin e kaluar. Dhe në këtë moment do të ndërhyjmë me rritje të pagave dhe pensioneve, të cilat do të marrin në konsideratë që jo vetëm të mbulojnë inflacionin e ndodhur në harkun vjetor, por njëkohësisht të mund të vijojë politikën e deklaruar të qeverisë për një rritje më progresive të pagave dhe pensioneve të ulëta për të krijuar kushte dhe mundësi që gradualisht fuqia blerëse të jetë promotore në zhvillim sikurse ka qenë për një kohë të gjatë", - tha Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›