E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahasim dhe gjykim

Prej kohësh jemi rrekur ta themi, atë që vuan dhe u mungon plazheve tona, por jemi stepur me merakun se po na zemërohen plazhistët, siç edhe jo rrallë na ka ndodhur, ose po na brengosen kryetarët e bashkive, kësisoj s`do mund të japim e të marrim ndonjë copëz projekt, por kur këqyr se vendet përbri (Mali i Zi), përballë (Korfuzi), mbrapa (Maqedoni), para (Bari-Rimini) po vrapojnë për të përthithur turistë, ndërsa ne ecim madje në drejtim të gabuar, rrekja dhe stepja nuk është maturi, por frikë për t`u ndeshur me të vërtetën, deri në paaftësi për të krahasuar e gjykuar. Por, kupa u derdh, madje kish kohë që derdhej, por ne shikonim qimen në traun e tjetrit, jo traun në syrin tonë. Shkurt, pilafi nuk mban më ujë.

Le të krahasojmë e gjykojmë për një çast, zonën bregdetare Velipojë-Golem me atë të Ulqin-Budvë, dhe më pas Sarandë-Vlorë me atë të Korfuz-Rimini. Velipoja e Ulqini lagen nga i njëjti det, furnizohen me rërë nga i njëjti lum – Buna- jetohet nga i njëjti komb – shqiptarë, kanë të njëjtën gjerësi gjeografike, rrihen nga të njëjtat erëra mesdhetare, pra kanë vlera natyrore të njëjta, por që reflektojnë vlera njerëzore të ndryshme. Kufiri ndan si me thikë dy pjesë të një torte, ku njëra (Ulqini) piqet dhe tjetra (Velipoja) zhuritet.

Këtu, në pjesën e zhuritur, sheh ngrehina e kabina të kohës së Duçes apo të qoftëlargut siç thotë populli, ndërsa atje në pjesën që po piqet sheh shtëpiza, vila. Këtu sheh ndërtesa para dunës së rërës, para dhe brenda pyllit me pisha, si për të treguar që jemi shtet barabar, atje këto zona janë të paprekura deri në 300-600m, si për të treguar se jemi shtet ekologjik. Këtu, në dheun amë, sheh rërë me rrecka, me letra, me qeska, me plastika që duken sikur nuk shterin, por vetëm mbijnë, atje sheh rërë të qëruar nga bishtat e cigareve deri në halat e pishave. Këtu në dheun at, sheh rrëmujshëm njerëz që flenë, rrinë, hanë, pinë, luajnë që vetëm zhurmë gatuajnë, atje sheh ambiente të sistemuara sipas një rregulli ushtarak, ku metrat e parë të bregut liheshin për të shëtitur e jo për t`u mundur si tek ne, dhjetë metrat e dytë me çadra kashte e me dy shezllone të ujdisura si me magji për të pushuar e jo për të bërtitur si tek ne, disa metra të tretë vetëm me çadra kashte, si për të treguar se plazhi është dhe për ata që kanë pak, por që duan rregullin dhe rreshtat e fundit për ata që çadrat i kanë vetë, por që duan jetën në komunitet. Ndryshe nga ne, atje çadrat paguheshin njëherë dhe pa u ndjerë, ndërsa këtu qehajai të vjen si shigjetë edhe sikur të ulesh të çlodhesh për pesë minuta, madje dhe në minutat e fundit të plazhit (kujto Nimfën-Zhirom, Vlorë).

Disiplina vazhdon me disa gjysmë dhomëza natyrore të piketuara si në autokad, ku mund të ndërrohesh, jo si tek ne që dhurohen spektakle falas, pastaj me dushe me ujë të ëmbël, po aq në propocion, ku mund të shpëlahesh, jo si tek ne me ujë që ngaherë mban erë, dhe bukurazi sistemohen në hapësira rërore kasten fusha volejbolli, basketi, minifutbolli, tenisi, kënde lojërash dhe gjithë kjo gjerësi apo mirësi shërbimi të rërës së artë mbyllesh me parkim falas të makinave nën hijen e pishave. Tërë ky shërbim i besohej një kompanie private, që përpos territorit me përmasa fikse të caktuara qeveriste dhe një bar-restorant, prej kashte apo druri dhe jo prej betoni si tek ne, provizore dhe miqësore me mjedisin, jo si tek ne të përhershme dhe armiqësore. Dhe këto pika ishin si të bëra me kompjuter sipas një drejtimi, në të njëjtën marrëdhënie me çka qeverisnin, me të njëjtin stil arkitekture.

Secili plazh kish kullën e vet të vëzhgimit për të papriturat në det, ndërsa këtu tek ne mezi sa mund të kenë ngritur një sa për të thënë. Gjithë plazhi në një distancë për pak metra thellësi kish gondolën me topa të kuq, për të kujtuar rrezikun që të vjen, ndërsa këtu tek ne ç`mund të ketë ndonjë shenjë rudiment e ngulur nga koha e austriakut apo italianit. (Vlorë). Sikur nuk mjaftojnë këto, vjen ajo që quhet "big difference", ku si një magnet shfryn turizmin tonë dhe mbath atë përtej. Vjen ajo, për të cilën qytete respektivisht me 12 mijë banorë si Ulqini e Budva presin po aq turistë sa gjithë zona jonë bregdetare me 300 mijë banorë. Vjen ajo, që bën turistët të zgjedhin Ulqin – Budvën apo Dubrovnik, megjithëse 60 euro kilogramin e peshkut dhe jo bregdetin tonë 6 euro.

Cila është kjo forcë magjike, që punon si baticë për bregdetin andej dhe kurdoherë si zbaticë për ne këtej, kur dimë të qeshim, ndryshe nga ata që nuk të urojnë mirëseardhjen, kur dimë të sqarojmë jo vetëm në një gjuhë turistin, ndryshe nga ata që i bëjnë të flasin si memecë, kur kemi hotele të ngrohta, të reja e të lira, ndryshe nga ata që ca dhomëza dikur mejhane e fjetore po i kthejnë në bujtina thjesht për të futur kokën, kur dimë të shërbejmë me larmi vaktesh, gjellërash e restorantesh, ndryshe nga ata që dinë të servirin veçse çorbë, fasule e qofte, kur syri të çlodhet në bukurinë e pamat natyrore deri tek ajo femërore, që si zonjëza rrugës nusërojnë, ndryshe nga ata që deti në 90% të lagies së tij me sterenë iu përplaset mbi brigje shterpë shkëmbore deri në pamjet gërdallë të femrës.

Cila është ajo energji, që andej karikohet me 200,000 turistë klasi për 15,000 banorë (20 turistë/një banor-Budva) dhe këtejza 100,000 turistë të vobektë e patriot për 200,000 banorë (0,5 turistë/banorë-Durrës-Golem). E thjeshtë dhe e përbërë. Ata formatuan qysh 17 vjet shtetin ekologjik, ndërsa ti atë barabar. Ata ngritën qeveri shërbimi në dobi të turizmit, ndërsa ti ngrite shërbime për qeverinë e qeveritarët. Ata mbathën dhe asfaltuan rrugë, dhe drejt një shtëpize të vetme në bregdet, ndërsa ti i muzeon ato ende si shtigje e monopate dhish (kujto Kakomenë, Krorëzin, Shën Pjetrin, Spilen etj). Ata e ruajtën rërën, pyllin, dunën, ndërsa ti i urbanizove, i betonove, i gangrenizove ato. Ata kujdesen për mbetjet familjare dhe rrugët pastër mbajnë, ndërsa ti nëpër rrugë, nëpër rërë, nëpër byth pishash i flak, i hedh e i djeg ato.

Dhe vijmë tek ajo që për turistin është më e padurueshmja. Që më kot yjet nëpër hotele vë, që më kot çmimet e pjatës apo të shtratit ul, që më kot gjuhët evropiane përdor, që më kot buza gaz i pret, që më kot vlera natyrore shfaq, që më kot një nur femëror ofron. Cila?! Derdhja e ujërave të zeza në përrua, në lum, nëliqen, në rërë, në tokë në det, ku shqiptarëve të këtushëm nuk iu mjafton vetëm kaq. Por ata përzihen keqas me të, duke u zhgërryer si derra të kënaqur në lerën e gatuar vetë. Këtë turisti nuk jua fal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›