Shtohen borxhet me 230 milionë euro
Kredia e re do të shkojë për rritjen e kostos së segmentit Rrëshen-Kalimash me 100 milionë euro
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje përmes debateve borxhin më të ri të shqiptarëve, 230 milionë euro të huazuara nga tre banka greke me interes vjetor euribor plus 1.25%, si dhe me kosto ndërmjetësimi prej 2.7 milionë eurosh. Euribori është një tregues i kostos bazë të kredimarrjes mes bankave në tregun ndërkombëtar. Sipas ligjit, në pesë vitet e para, Shqipëria do të shlyejë interesat për të gjithë shumën, ndërsa nga viti 2013, do të fillojë të shlyejë interesat plus këstin e principalit prej 23 milionë eurosh në vit. Vetëm shlyerja e kësteve me bazë vjetore përmban një kosto shtesë në interesa të paguara. Kjo është kredia më e madhe që ka marrë vendi që pas rënies së komunizmit. Ajo përbën 23% të të gjithë borxhit të jashtëm që Shqipëria ka marrë në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit. Kredia do të përdoret për të financiar rrugën Durrës – Kukës. Ajo do të shkaktojë për këtë vit deficitin më të lartë buxhetor që nga viti 2001, ndërsa pasojat e saj do të ndjehen pas shumë vitesh.
Bode: Nuk kishim projekt
Ministri i Financave iu përgjigj deputetëve të opozitës që pyetën se për çfarë arsye qeveria mori kredi tregtare, pa kërkuar më parë kredi me interes të ulët nga Banka Botërore, duke pranuar se paraqitja e një kërkese formale te Banka Botërore kërkonte një projekt paraprak që mungonte. "Qeveria ka marrë përsipër koston politike të këtij projekti", - tha Bode. Por fakti që kostot e kredisë do të fillojnë të shlyhen pas vitit 2012, nuk tregon marrjen e ndonjë përgjegjësie.
Kontrata për ndërtimin e segmentit 57 kilometra të gjatë u nënshkrua para se një projekt i detajuar i kostove të hartohej. Vetëm për këtë vit, rruga do të kushtojë rreth 120 milionë euro më shumë sesa parashikimi. Kompania Bechtel-Enka ka kërkuar një shtesë të konsiderueshme në pagesë, me argumentimin se projekti fillestar ka ndryshuar dhe se kostoja e materialeve bazë në tregun ndërkombëtar është rritur. Qeveria nuk e deklaroi publikisht rinegocimin e kontratës dhe shtimin e kostos, por lajmi u bë i ditur falë transparencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Shqipëria ka rreth 1.6 miliardë dollarë borxh të jashtëm ekzistues që ka filluar ta shlyejë. (Shifra e saktë e borxhit të jashtëm nuk është e qartë për shkak se Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar të dhënat për vitin 2007, ndërsa për të dhënat e borxhit të brendshëm, statistikat e BSH kanë ngecur në vitin 2005).
Opozita kritikoi projektligjin e qeverisë duke e konsideruar atë si një barrë tepër të rëndë për buxhetin dhe ekonominë.
"Kjo kredi është vetëvrasje e pastër në fushën ekonomike", - deklaroi deputeti socialist, Andis Harasani, i cili është ekonomist. "Kriza botërore e rritjes së çmimeve po ndikon edhe në Shqipëri. Në këto kushte, kredia që po marrim është e rrezikshme", - tha ai. Edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e kundërshtoi projektligjin. Ai tha se qeveria nuk ka realizuar planin e investimeve të huaja për këtë vit dhe marrja e një kredie të re është e pavend.
Shlyerja e interesave të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm për këtë vit kushton 237 milionë euro. Interesat e borxhit të jashtëm do të rriten nga 35 milionë euro këtë vit në 50 milionë euro vitin e ardhshëm.
"Jemi më mirë se Bullgaria e Hungaria"
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se Shqipëria është dukshëm më mirë se Rumania, Bullgaria, Hungaria e vende të tjera të zonës Shengen përsa i përket inflacionit. "Unë mund t'ju them që Bullgaria e pati 14 % nivelin e inflacionit për tremujorin e parë, Rumania 9 %, Hungaria, Maqedonia, vendet e tjera të rajonit kanë një nivel përsëri më të lartë se Shqipëria", deklaroi Bode. Sipas tij, Shqipëria ka disa faktorë që e bëjnë më pak të prekshme nga kriza botërore e çmimeve. "Ekonomia jonë u rrit me minimumi 6.5% vitin e kaluar, ndërkohë që ekonomia e Bashkimit Europian u rrit jo më shumë se 1%", tha ai. Bode nuk e citoi burimin e tij për këto të dhëna. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Eurozonës pritet të ngadalësohet këtë vit me një rritje 1.4%. Rritja ekonomike në Bullgari, Rumani e Hungari, është në shifra të përafërta me Shqipërinë.
Shqipëria pati rritje të çmimeve të konsumit me 4.6% për marsin e këtij viti, ndërkohë që çmimet e ushqimeve u rritën me 7.7%, udhëhequr nga drithërat me 31%. Sipas ministrit të Financave, një vlerësim i ri i GDP-së së Shqipërisë për vitin e kaluar, pritet të nxjerrë rritjen ekonomike të vendit 6.5%, shumë më lart se parashikimi fillestar prej 6%. Për këtë rritje, ka ndikuar rivlerësimi i sektorit të bujqësisë. Sektori i bujqësisë konsiderohet, krahas me atë të industrisë, si një nga fushat me statistika më të pasakta në ekonominë shqiptare. ---------------------------------------------------------------------------------------------
"Duke taksuar pagat e shtresës së varfër të popullsisë, qeveria mblodhi 20 mln USD shtesë"
Malaj: Qeveria po zhyt vendin në varfëri
Rritja e varfërisë dhe mungesa e skemave të asistencës së drejtpërdrejtë e bën të qarte mungesën e përgjegjësisë së qeverisë dhe dështimin e saj në sfidën e luftës kundër varfërisë, e cila është sot kriza më tronditëse për gjithë qeveritë. Qeveria ka dështimin historik në thithjen e investimeve të huaja, gjatë tremujorit të parë ndihmat që ka planifikuar buxheti nga donatorë të ndryshëm janë realizuarvetëm 6%,
Niveli tepër i ulët i investimeve gjatë tre mujorit të parë të vitit 2008 dhe rritja e varfërisë si pasojë e taksave të reja që janë shtuar kanë qenë tema e konferencës për shtyp të nënkryetarit të komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj. "Rritja e të ardhurave vjen kryesisht nga tatime indirekte dhe tatimi i të ardhurave personale. Barrën në rritje e kanë përballuar konsumatorët me të ardhura të pakta në vendin tonë. Kjo tregon se varfëria është duke u rritur me ritme të shpejta. Tejkalimi i të ardhurave nga TVSH është realizuar vetëm në doganë dhe ka mosrealizim në tatime. Kjo e rëndon akoma më shumë pjesën e biznesit, duke rënduar situatën e likuiditeteve edhe për shkak të mos rimbursimeve. Tejkalimi me 2 miliardë lekë i tatimit mbi të ardhurat personale, vetëm pasi ka filluar të tatohet edhe minimumi jetik imponon ndërtimin e një skemë kompensuese për të varfrit. Qeveria duhet të sqarojë faktorët e tejkalimit, sa vjen nga rritja reale e pagave e cila e vështirë të ndodhë kur janë rritur kostot e tjera të biznesit dhekur rritja në sektorin publike ështësimbolike. Numri i punësuarve të rinj gjatë vitit 2007,sipas Bankës Qendrore, ka qenë vetëm 2.000 veta, një nivel shumë i vogël për tëjustifikuar këtë tejkalim të tatimit mbi të ardhurat personale. Tejkalimi i të ardhurave nga aplikimi abuziv i pagave me detyrim nga administrata tatimore dhenga tatimi edhe punonjësve me të ardhuraminimale jetike do të sjellë një impakt negativ ne rritjen e varfërisë dhe në situatën e biznesit", - tha Malaj.
Kontrabanda
Deputeti Malaj ka analizuar të dhënat financiare të tremujorit të parë të vitit 2008, ku konstatohet edhe një rritje e kontrabandës. "Tremujori ka mosrealizim të të ardhurave të akcizave, ku gjatë vitit 2007 u konstatua nivele të larta të kontrabandës në disa prej tyre. Rritja e kontrabandës në vitin elektoral është një risk në rritje e influencës së parave buxhetore në financimet politike. Shpenzimet operative janë realizuar vetëm 62.6%,ndërsa spitalet, shkollat, institucionet e rëndësishme kanë mungesë të theksuar të shpenzimeve për mirëfunksionimin e tyre. Kjo konstatohetnë reagimin e përditshëm publik për mungesat e theksuara për materialet më jetike në spitale dhe institucione të tjera. Edhe pse varfëria është rritur, edhe pserritja e pagave dhe pensioneve është në nivele simbolike, qeveria gjatë 3 mujorit të parë nuk kadërguar tek shtresat në nevojë rreth 470 milionë lekë, 250 milion për energjinë, 47 milionë lekë ndihmë për papunësinë dhe 175 milionë lekë ndihmë ekonomike. Rritja e varfërisë dhe mungesa e skemave të asistencës së drejtpërdrejtë e bën të qarte mungesën e përgjegjësisë së qeverisë dhe dështimin e saj në sfidën e luftës kundër varfërisë, e cila është sot kriza më tronditëse për gjithë qeveritë. Qeveria ka dështimin historik në thithjen e investimeve të huaja, gjatë tremujorit të parë ndihmat që ka planifikuar buxheti nga donatorë të ndryshëm janë realizuar vetëm 6%, ndërsainvestimet me fonde të huaja edhe pse planifikimi është ulur ndjeshëm janë realizuar vetëm 12.7 %, ose vetëm për tre muajt e parë të vitit janë realizuar më pak, rreth 5.7 miliardë lekë ose rreth 75 milionë dollarë", - tha Malaj.