Braktisja e Tiranës!
Dritan YLLI
Që prej momentit kur u bë Kryetar i PS-së, Edi Rama ka krijuar një hendek në mes tij dhe kryetarit të Bashkisë, një diferencë në kohë dhe hapësirë midis tij dhe punëve e halleve të shumta të kryeqytetit, një boshllëk që nuk mund ta mbushë artificialisht Edi Shalësi. Pavarësisht dëshirës së mirë dhe zellit që tregon, Shalësi nuk mund të jetë kryetar, pasi krijon de juro një kontradiktë të madhe morale. Populli ka votuar për të qeverisur Tiranën, Ramën e jo Shalësin. Fakti që Rama i është larguar halleve të kryeqytetit, ndoshta ... dhe ngaqë po merret me hallet e gjithë Shqipërisë, duket qartë në shfaqjen e tij çdo ditë në ekranet e TV-ve, nganjëherë edhe dy-tri herë, në disa pozicione, por rrallëherë si kryetar i Bashkisë. Nuk është parë prej kohësh Rama duke mbjellë ndonjë pemë, apo duke prerë ndonjë shirit rruge të përfunduar, megjithëse këto vazhdojnë të mbeten në stilin mediatik “të dukjes”, jo të rezultatit dhe dobiprurjes të qeverisjes së tij. Në lagje të ndryshme të kryeqytetit, që notojnë në ujë qoftë dhe me një orë shi që bie, nuk duket gjëkundi Edi Rama. Në ndonjë konflikt (që për fat të keq janë të shpeshtë) në mes të qytetarëve të Tiranës dhe Policisë Bashkiake, shihet rëndom Shalësi, Rama nuk është. Në periferitë e Tiranës, të varfra po aq sa dhe fshatrat e thella nëpër Shqipëri, Rama nuk është parë të shqetësohet për dhjetëra emra të renditur në listat e ushqimeve. Kryetari i Bashkisë, i quajtur si për ironi të fatit, “delegat i Xhuvelit”, nuk e ndjen fare përgjegjësinë e ndotjes së rënduar në kryeqytet. Një raport i OKB-së e rendiste Tiranën si epiqendrën e rasteve të shumta të vdekjeve nga kanceri dhe shkaku kryesor i këtyre pasojave ishte ndotja jashtë mase e kryeqytetit. Ndoshta Ramën nuk e shqetëson shumë kjo gjendje, ngaqë për vete ai ka zgjedhur që ta bëjë gjumin e natës në mjedise më idilike dhe me ajër të pastër, larg ndotjes dhe rrëmujës së Tiranës.
Rama po dialogon me Shqipërinë, Tiranën e ka lënë në një dorë tjetër. Atë nuk e shqetëson fare jolegjitimiteti i delegimit të vullnetit të zgjedhësve të Tiranës, tek një tjetër person. As për fyerjen që mund t’i bëjë çdo votuesi të tij, duke i lënë ata në ndjesinë e të braktisurit, apo më keq akoma të besëprerjes.
Dy kungull në një sqetull është e vështirë t’i mbash, thotë populli. Veltroni, kreu i opozitës në Itali, e zgjidhi ndryshe këtë ngërç. Veltroni ishte kryetar i Bashkisë së Romës, kur u bë kryetar i Partisë Demokratike, një parti përfaqësuese e të majtëve italianë. Por Veltroni, si një politikan tepër i përgjegjshëm dhe vizionar që është, në këtë moment dha dorëheqjen nga Bashkia, për t’ju përkushtuar fushatës së tij në krye të Partisë Demokratike të Italisë. As Veltroni vetë, as populli i Romës dhe gjithë italianët, nuk do ta pranonin kurrsesi që ai të drejtonte fushatën e së majtës në gjithë Italinë dhe njëkohësisht të vazhdonte të ishte edhe kryetar i Bashkisë më të rëndësishme të vendit. Veltroni aspironte për të qenë në “Palazzo Chigi”, vendi ku qëndron Qeveria italiane dhe nuk kishte si të ishte edhe në krye të bashkisë njëkohësisht. Populli roman e kishte votuar atë për të qeverisur Romën. Nëse donte të qeveriste Italinë, duhej të linte Romën, tjetërkush duhet të merrte votëbesimin e qytetarëve romanë.
Sigurisht që krahasimi në mes të Veltronit dhe Ramës është shumë larg, sadoqë Rama po mundohet ta imitojë në çdo hap Veltronin. Dhe në të vërtetë rasti Veltroni si i tillë, do të ishte një fat i madh për Ramën që ta marrë si shembull, apo si një mënyrë për t’u korrigjuar. Por, deri tani kemi parë që Rama kopjon nga Veltroni en-block vetëm fjalimet, jo veprimtarinë e tij politike, apo moralin kundrejt qytetarëve dhe votuesve.
Rama erdhi në krye të PS, pa njohur qoftë dhe vetëm një anëtar të kësaj partie, në qytete të tjera të vendit. E dinë të gjithë që kreu aktual i PS, nisur nga vitet e jetës politike në këtë parti, tani duhet të ishte në FRESSH. Vetëm pak vite më parë, Rama thoshte që është kushëri i socialistëve, dhe e ka përçmuar anëtarësimin në këtë parti, deri në momentin që i duhej për të realizuar interesat dhe ambiciet e veta. Ai ka merita të patjetërsueshme që pushtetin ta fitonte nga PS-ja, por ta ndante me miqtë e tij të afërm. Ai ka ditur të përdorë PS, për t’u bërë ministër, kryetar bashkie, madje e ka përdorur partinë edhe në ndonjë moment që zihej ngushtë me njerëzit e doktor Rrumpallës, që i tundnin përpara syve dokumente të tëra abuzimesh me fondet publike në Bashkinë e Tiranës.
Ndaj duke e ndjerë kompleksin e “të huajit” brenda familjes së socialistëve, Rama menjëherë sapo erdhi në krye të PS, filloi turin e dialogut me Shqipërinë, që realisht është një përpjekje e tij për t’u njohur me anëtarësinë dhe me strukturat e partisë në rrethe të ndryshme. Pikërisht në këtë kohë, ndodhi edhe vetëpërjashtimi i tij nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Duke rravguar nëpër Shqipëri, më shumë për t’u prezantuar me socialistët dhe jo për t’u njohur me hallet e tyre, ai harroi menaxhimin e halleve dhe shqetësimeve të kryeqytetasve dhe për më tepër të votuesve të tij. Do të jetë apo jo Rama kandidat për të qeverisur Shqipërinë, kjo është çështje që koha do e sqarojë. Por momentalisht kemi një fakt, që Rama nuk po qeveris Tiranën hallemadhe. Ndaj nuk ka pse ai të mos gjejë forcë e kurajo dhe ashtu si Veltroni të japë dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë, që populli të votëbesojë dikë tjetër. Në këtë mënyrë ai do të ishte më i lirë për të rendur drejt ambicieve të tij.