Limaj: I shtuam investimet për 700 për qind
Ministri në largim i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka prezantuar të arriturat e punës trevjeçare të ministrisë që ai drejton, duke thënë se janë realizuar mbi 400 projekte, janë hapur 10 mijë vende të reja pune, si dhe janë shtruar, ndërtuar dhe rehabilituar mbi 1200 kilometra rrugë.
Në një konferencë për media, të fundit për këtë vit, Limaj tha se për tri vjet, kjo ministri ka rritur për 700 për qind investimet kapitale.
Sipas tij, hetimet e EULEX-it nuk e kanë penguar stafin dhe vetë atë për të vazhduar projektet, përfshirë autostradën Morinë-Merdar.
“Kjo qeveri e mobilizuar tërësisht ka arritur që të krijojë hapësirën dhe mundësin që ‘Bechtel-Enka’ të zhvillojë normalisht punimet dhe tash dinamika varet nga ta dhe prandaj flasim me siguri të plotë që ne të gjithë së bashku do të jemi dëshmitarë se në tetor të vitit të ardhshëm të shfrytëzohen 34 kilometrat e para dhe të qarkullojmë dhe të lëshohet për qytetarët në drejtim të Shqipërisë”, ka thënë Limaj, transmeton KosovaPress.
Si suksese të tjera, Limaj përmendi edhe dhënien me koncesion të ANP-së “Adem Jashari”.
Nga 84 milionë euro sa ka qenë buxheti i MTPT-së për 2010, janë shpenzuar 81 milionë e 432 mijë e 316 euro, ose 96.1 për qind.