E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Dora e Mustafës, e së kaluarës

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 19:02

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për BBC-në, e ka hedhur poshtë mundësinë e formimit të ndonjë qeverie teknike, ose përsëritjen e zgjedhjeve në vjeshtë, sikur ka kërkuar lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Duke iu përgjigjur Mustafës, i cili ka deklaruar se nuk është i gatshëm t’ia shtrijë dorën e fitores për këto zgjedhje, Thaçi ka thënë se “ajo është një dorë e së kaluarës” se ai i shtrëngon duart me njerëzit e së ardhmes për vendin.

Për më tepër, lideri i PDK-së e ka akuzuar rivalin kryesor politik se ka ardhur në krye të partisë, përmes një “revolucioni jogurt”.

Thaçi ka lënë të kuptohet se në zgjedhjet e ardhshme synon të fitojë zgjedhjet edhe në kryeqytet, një prej bastioneve të pamposhtura, deri më tani, të LDK-së.

“Fillimisht zgjedhjet do të mbahen në Prishtinë në vitin 2013. Tani jemi duke e ndërtuar një platformë që t’a kthej identitetin dhe dinjitetin e Prishtinës. Jam duke punuar për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe nuk do të harroj për të ndërtuar Prishtinën, gjithashtu evropiane. Që ta nxjerr nga ky kolaps, nga kjo ngulfatje, nga ky kaos urbanistik, nga kjo keqqeverisje dhe nga papastërtia numër një në Evropë. Nga ky vision i munguar evropian për Prishtinën”, është shprehur Thaçi në intervistë me BBC-në.

“Pra, fryma evropiane e Kosovës do ta përfshijë edhe Prishtinën në një të ardhme të afërt, kjo me një lidership të ri, me qeverisje të re efektive, duke mos u marrë shumë me politikë, por duke u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit. Kështu që unë do të punoj maksimalisht që në zgjedhjet e ardhshme në Prishtinë, të ketë një alternativë evropiane për Prishtinën evropiane dhe ajo të nxirret nga një qeverisje e një mentaliteti të së kaluarës”.

Thaçi e ka akuzuar Mustafën se ka dalë në krye të partisë përmes një revolucioni “jogurt”. “Mund të them dhe të udhëhequrit e partisë në mënyrë demokratike është diçka tjetër dhe mentaliteti i së kaluarës është diçka tjetër. Ndërtimi i së ardhmes së vendit më mentalitetin e së kaluarës, është diçka e pa përballueshme për frymën euroatlantike për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Sa u përket zgjedhjeve që u zhvilluan më 12 dhjetor, Thaçi është shprehur se ato janë me mandate katërvjeçar, dhe ato “tashmë e kanë marrë edhe legjitimitetin qytetar, si dhe mbështetjen e plotë ndërkombëtare”.

Kryeministri Thaçi thotë se 2010-ta ishte një vit historik në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Ai e ka pranuar se ky ishte një vit i sfidave dhe i vështirësive të mëdha, por të tejkaluara më sukses.

Duke folur për sfidat e vitit të ardhshëm, ai ka premtuar se Kosova në fund të vitit 2011 do të jetë shumë afër liberalizimit të vizave, ndërkaq në mandatin e tij katërvjeçar si kryeministër, ajo do të jetë anëtare e NATO-s.

Në intervistën më të gjatë, Thaçi është pyetur edhe për raportin e Dick Marty-t, të cilin e ka quajtur “raport racist”.

“Unë kurrë në jetën time nuk kisha dëgjuar diçka të tillë. Raporti i Dick Martyt është një raport racist, proserb, gebelsian, duke sharë e sharë sa më tepër kundër shtetit të Kosovës, atij të Shqipërisë, drejtuar kundër kombit shqiptar, kundër konsolidimit dhe forcimit të shtetit, kundër njohjeve të reja dhe frymës euro-atlantike të Kosovës. Pra, Dick Marty ka vazhduar aty ku e kishte lënë Sllobodan Millosheviqi, duke kryer argatin me shërbime të fshehta serbe, por në të njejtën kohë duke përpunuar këto të dhëna edhe në Rusi”.

Ai ka shtuar se Kosova do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë legale dhe politike për t’u ballafaquar me këtë padrejtësi, me një të pavërtetë prej më të rëndave drejtuar kombit shqiptar, por edhe shteteve që e kanë mbështetur Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›