E Diel, 1 Nëntor 2026

Lincoln dhe vampirët

Vizitorët e internetit tash e disa ditë kanë mundësi që të shohin sekuencat e filmit “Abraham Lincoln: Gjuetar vampirësh 3D”, i cili nëpër kinema do të dalë gjatë kësaj vere.

Filmi “Abraham Lincoln: Vampire Hunter” është xhiruar sipas romanit të Seth Grahame-Smith, dhe merret me hulumtimin e jetës së fshehtët të njërit prej presidentëve më të njohur amerikan, të cilin e prezanton si një nga gjuetarët më të mëdhenj të vampirëve në historinë e njerëzimit.

Në fakt, në film hamendësohet se nëna e presidentit Lincoln ishte vrarë nga vampirët, dhe se presidenti i 16’të i SHBA’ve ia dedikoi gjithë jetën e tij shkatërrimit të “thithësve të gjakut”, me një sëpatë. Madje, ai vazhdoi ta bënte këtë gjë edhe gjatë gjithë kohës sa ishte president...

Realizimi prapa të cilit qëndrojnë autorët e njohur filmik, Tim Burton (“Alisa në Botën e Çudirave”, “Charlie dhe Fabrika e Çokollatave”, “Hijet e Errëta”) si producent, dhe Timur Bekmambetov (“Roja e Natës, “Roja e Ditës”, “I Kërkuari”) si regjisor, u krijua në bazë të romanit të Grahame-Smith.

Në romanin e tij, Grahame-Smith i kombinon me shumë zhdërvjelltësi faktet ekzistuese historike me fiksionin dhe me zhanret e tjera të popullarizuara - në këtë rast me horronin e vampirëve – saqë lexuesi nuk është më në gjendje të ndajë çka është reale e çka jo.

Grahame-Smith, i cili romanin e tij e adaptoi vet për skenar filmik, njihet si autor i edhe një vepre tjetër të ngjashme: “Krenaria dhe Paragjykimet dhe Zombit”. Edhe sipas kësaj vepre të tij, e cila është pjesë e librave bestseller të gazetës ‘The New York Times’ - është xhiruar një film.

Ndryshe, në rolet kryesore në filmin “Abraham Lincoln: Gjuetar vampirësh -3D” paraqiten aktorët Benjamin Walker (si Abraham Lincoln), Dominic Cooper (si Henry Sturges), Anthony Mackie, Mary Elizabeth Winstead (si Mary Todd Lincoln), Jimmi Simpson, Robin McLeavy, Alan Tudyk dhe Rufus Sewell.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›