Marrëveshje edhe me Akademinë bullgare

Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, kryetari i ASHAK, Hivzi Islami, këtë akt e cilësoi tejet të rëndësishëm, meqë përveçqë Akademia e Shkencave e Bullgarisë është ndër akademitë më të vjetra në Ballkan dhe Evropë, ngase është themeluar në vitin 1869, ajo edhe i takon një vendi mik të Kosovës.
“Me këtë marrëveshje ne i forcojmë edhe lidhjet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë. Ne kemi pasur dhe kemi në tërë këto vite një mbështetje të fuqishme. Bullgaria është ndër shtetet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë një avokate shumë e fuqishme në gjykatën ndërkombëtare të Hagës”, u shpreh Islami.
Nga ana e tij, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, Atanas Atanasov, është shprehur i lumtur që po nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me ASHAK, kapacitetet dhe njerëzve të së cilës i ka cilësuar si garancinë më të mirë se marrëveshja e nënshkruar edhe do të zbatohet.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Bobi Bobev, i cili u shpreh në përkrahje të marrëveshjes së nënshkruar mes të dy akademive.
Ndryshe, marrëveshja e nënshkruar mes të ASHAK dhe Akademisë së Shkencave të Bullgarisë parashikon bashkëpunimin në fusha të ndryshme shkencore, si në shkencat natyrore e shoqërore, por edhe në ato kulturoro-historike, informative, bibliotekare, etj.
Bashkëpunimi kryesisht do të konsistojë në organizimin e tryezave shkencore, konferencave ndërkombëtare, por edhe në formë të këmbimit të kuadrove të reja, etj. Marrëveshja e nënshkruar ka një kohëzgjatje prej tri vitesh, dhe para vazhdimit të saj të dy palët paraprakisht do ta vlerësojnë bashkëpunimin e deriatëhershëm.