E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind ideja për miqësore me Kosovën

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit mund të luajë me datë 26 mars një miqësore me kombëtaren e Kosovës. Pezullimi ndërkombëtar ka hedhur në erë planet për miqësoret me Arabinë Saudite dhe Moldavinë, të cilat zyrtarisht janë të anuluara. Si rrjedhojë, FSHF-ja po mendon për mënyrën se si trajneri Han mund ta shfrytëzojë këtë datë të lirë nga UEFA, kur mund të grumbullojë edhe "legjionarët". Zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Tritan Kokona, bëri të qartë para gazetarëve se aktualisht po shqyrtohen disa variante, mes të cilave edhe një miqësore e mundshme me përfaqësuesen e Kosovës. "Pezullimi i Shqipërisë, me përjashtim të ndonjë çudie në ditët e ardhshme, ka sjellë anulimin e miqësoreve të përfaqësueses. Aktualisht nuk mund të themi me siguri se cilat janë planet e kombëtares, pasi do të jetë në dorën e trajnerit Ari Han për të vendosur se çfarë do të bëjë në datën e lirë të UEFA-s. Hipotezat janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga një grumbullim stërvitor, një miqësore me një klub shqiptar apo edhe një miqësore e mundshme me Kosovën. Të gjitha këto hipoteza lindën gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, por do të jetë trajneri Han ai që do të ketë fjalën e fundit rreth kësaj çështjeje", u shpreh Kokona para gazetarëve. Hipoteza e një miqësoreje me Kosovën duket se tërheq edhe palën kosovare. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka lënë të hapur mundësinë e zhvillimit të një ndeshjeje të tillë, ndonëse do të preferonte që ajo të zhvillohej në Prishtinë. "Nëse vendoset që ky takim të luhet më 26 mars, ne do të kërkojmë që ndeshja të luhet në Prishtinë, pasi Kosova ka shpallur pavarësinë. Por nuk do të prishë shumë punë edhe nëse luhet në Tiranë", deklaroi Vokrri për gazetën kosovare "Express". Tani është në dorën e trajnerit Han të vendosë për një gjë të tillë, pasi ai do të përcaktojë përfundimisht se si do të veprohet në këtë situatë emergjence të futbollit shqiptar. Tekniku holandez ka mbërritur mbrëmë vonë në vendin tonë, ndërsa sot do të ketë një takim me drejtuesit e FSHF-së për t‘u informuar gjerësisht rreth pezullimit ndërkombëtar dhe për të dhënë verdiktin nëse i shërben apo jo një grumbullim i kombëtares dhe një miqësore me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›