E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç "pushon" Mançinin

Ishte e paevitueshme, që të gjithë i kishin kthyer sytë nga Interi, pas deklaratës së trajnerit Roberto Mançini, i cili kishte anonçuar largimin në fund të sezonit (fjalët u thanë në gjaknxehtësi e sipër pas eliminimit nga Liverpuli në Champions). Zikaltrit reaguan mjaft mirë në kampionat, duke fituar me Palermon: lojë me ritëm të lartë, mbi të gjitha gjatë 45 minutave të para dhe një Vieira i rikthyer si në kohën e artë kur militonte me Arsenalin. Tashmë skuadra bind dhe titulli kampion duket gjithmonë më afër. Megjithatë, në fund të ndeshjes nuk kanë munguar polemikat. Telekamerat kanë kapur pamjet e Zlatan Ibrahimoviç, që në momentin e zëvendësimit ishte tejet nervoz. Nga buzët e sulmuesit suedez lexoheshin fare qartë fjalët "shpresojmë që ky të largohet", të adresuara për Mançinin, duke lënë të kuptohej se edhe marrëdhëniet e tij me trajnerin nuk janë nga më të mirat.

Episodi, i cili është përgënjeshtruar në orët e vona të mbrëmjes së të dielës në sajtin zyrtar të klubit nga vetë futbollisti, është shenja e tensionit që ekziston në dhomat e zhveshjes. Në të kaluarën, protagonistë të skenave të tilla kanë qenë edhe Adriano, Vieira, Figo dhe Krespo. Duke u kthyer tek Ibrahimoviç, në kohën kur luante te Juventusi, kur marrëdhëniet e suedezit dhe trajnerit Fabio Kapelo morën krisje, momenti i vështirë u pasqyrua edhe me rendimentin e dobët në fushën e lojës. Edhe me zikaltrit tashmë po verifikohet e njëjta gjë. Ibrahimoviç nuk shënon nga një aksion loje prej disa javësh dhe paraqitjet e tij nuk janë në nivelet maksimale (edhe për shkak të problemit në gju). Edhe kontrata duket se e shqetëson sulmuesin: anonçimi i rinovimit me Interin po vonon. Nuk ka asnjë dyshim që Morati dëshiron ta mbajë në skuadër, ndërkohë përflitet se përfitimet e Ibras do të jenë marramendëse (rroga shkon në afro 11 milionë euro në sezon). Megjithatë, në të gjithë këtë situatë kanë filluar edhe zërat e merkatos, që shohin një interesim të fortë të Realit të Madridit. Spanjollët kërkonin ta blinin që në periudhën kur ai luante te Juventusi dhe Ibrahimoviç shpresohet të jetë përforcimi i sezonit të ardhshëm, së bashku me 20-vjeçarin e Lionit, Benzema. Sulmuesi asnjëherë nuk i ka refuzuar "ofertat" e madrilenëve. "Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kam një kontratë afatgjatë me Interin, por në fund nuk mund të flasësh me siguri", ka deklaruar së fundmi ai. Por, më parë duhet bërë "paqe" me Mançinin, e më pas do të shihet se çfarë do të ndodhë.

E gjithë kjo situatë nuk i ka pëlqyer presidentit zikaltër, Masimo Moratit. Njëshi i Interit është i lodhur nga tensionet që ngrihen rreth skuadrës. Gjatë hyrjes në këshillin federal të FIGC (Federatës Italiane), ku po merr pjesë, ai ka thënë vetëm dy fjalë për atë që ka ndodhur në takimin Inter-Palermo. "Polemikë ndërmjet Ibrahimoviç dhe Mançinit? Çdo ditë duhet të gjeni ndonjë problem", deklaroi me bezdi Morati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›