Linda Halimi ndahet nga i fejuari pas dy vitesh, zhgënjehet nga dashuria
“I këndoj dashurisë së dështuar, por me të fejuarin dashurohem si e marrë”, kështu ishte shprehur disa muaj më parë për gazetën “Panorama”, këngëtarja e talentuar nga Kosova, Linda Halimi. Por pak ditë më parë, ai ka ndryshuar statusin e saj në facebook, duke e vendosur “single”, dhe ka komentuar në profilin e saj duke shprehur hapur zhgënjimin e saj me fjalët “dashuria nuk ekziston”. Nuk dihet më shumë për arsyet e ndarjes, një fejesë që zgjati dy vjet, po aq sa dhe lidhja e tyre, një dashuri me shikim të parë që ndodhi në Tiranë. Për herë të parë ata u shfaqën të dy në tapetin e kuq të “Top fest”, ku Linda konkurronte një vit më parë. Linda dhe kitaristi Ilir Halili, 21-vjeçari nga Peja janë njohur në një ambient ku i lidhte muzika. Gjatë fejesës së tyre ai e shoqëronte ngado Lindën, edhe për faktin se janë në të njëjtin profesion. Ai nuk e shoqëroi vetëm në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar, ku ajo konkurroi në duet me Erti Hizmon, këngën me titull “Nuk të dorëzohem”. I fejuari i saj jeton në Pejë ndërsa Linda në komunën e Vitisë. 21 vjeçarja Halimi, edhe pse është shumë e re ka një repertor të gjerë këngësh, kryesisht që i kushtohen dashurisë së dështuar. Për këtë arsye ajo në një intervistë për “Panoramën”, pak kohë më parë pohoi se me të fejuarin e saj ishin të dashuruar si të marrë me njëri-tjetrin, dhe këngët e saj s’kishin lidhje me jetën e saj. Gjithsesi ende nuk dihet nëse edhe kjo dashuri e saj ka dështuar përfundimisht, apo nëse mund të ketë një rikthim në fejesën me instrumentistin e bandës që luan muzikë metal në Kosovë. Tashmë Linda duket e preokupuar me koncertet, ndërkohë që sapo ka publikuar një këngë të re në duet me Remzie Osmanin.