E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindita Kodra në vijën e zjarrit olimpik

Nga Aida TUCI
Nga 6 përfaqësimet tona në historinë e Lojërat Olimpike Verore, qitja shqiptare ka qenë prezente në 5 prej tyre. Vetëm në Lojërat Olimpike "Sidnei 2000" qitjes shqiptare iu mohua e drejta e përfaqësimit në lojërat e atij viti. Por Lindita Kodra rikthen sportin e qitjes në traditën e saj të suksesshme, ku pas rreth 20 vitesh risjell titullin Kampione e Europës në Shqipëri.
Qysh prej viteve '80, qitja shqiptare nuk kishte përjetuar më vonë asnjë sukses të tillë. Por me shpalljen kampione e Europës në Kampionatin Europian të Qitjes me armë zjarri, që u zhvillua në Granadë të Spanjës më 22-29 korrik të vitit 2007, Lindita Kodra është e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Ajo, përvec titullit kampione e Europës, fiton edhe të drejtën e përfaqësimit në Lojërat Olimpike të 2008-s me kualifikim individual. Titulli i kampiones së Europës nuk vinte në Shqipëri që në kohët e arta të 1980-s, atëherë kur Ermira Dingu arriti të ngjitej në podin e fitueses së titullit kampione e Europës për të rritura. Sigurisht, rezultati i arritur në garat e kampionatit europian nga qitësja e ekipit Studenti Lindita Kodra i hapi rrugën qitjes shqiptare për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Përfaqësimi i Lindita Kodrës në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" është dhe i pari përfaqësim i saj në një olimpiadë...
Pekini, një ëndërr që u realizua
Nuk e kishte menduar se do të arrinte të ngjitej në podin e fitueses së kampiones së Europës. Synimi i saj dhe i trajneres Diana Mata kishte qenë finalja e europianit, që do t'i hapte rrugën për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Por atë ditë, në Granadë të Spanjës, ajo arrin dy objektivat madhore në karrierën e saj si sportiste: titullin kampione e Europës dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Në fakt, Spanjën vetë Lindita e ka konsideruar gjithmonë vendin që i ka dhuruar fat në përfaqësimet e saj ndërkombëtare. Shpreson që këtë fat t'ia dhurojë edhe Pekini, por sic shprehet vetë, kjo mbetet dëshirë dhe gjithcka do ta tregojë gara.
Ëndrra e saj më e madhe në gjithë këto vite ka qenë përfaqësimi në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Për të relizuar këtë ëndërr ka punuar jashtëzakonisht, sidomos dy vitet e fundit. "Vitet e fundit kemi zhvilluar stërvitje intensive. Drejtuesit e klubit "Studenti" si dhe federata na kanë ndihmuar mua dhe trajneren time Diana Mata në realizimin e ëndrrës sonë, prandaj një pjesë të suksesit e kanë dhe ata,"- shprehet Kodra. Për dy vjet poligoni i qitjes së klubit "Studenti" ka qenë 24 orë në dispozicion të qitëses. "Jemi stërvitur me orare të zgjatura, aq sa kemi lënë pas dore edhe familjen,"- shprehet Kodra, që është nënë e dy fëmijëve. Ndërsa rrëfejnë për emocionet dhe ankthet që kanë përjetuar një vit më parë, duket se ato janë kthyer sërish me të njëjtin intensitet para startit të Lojërave Olimpike të Pekinit.
Pjesëmarrja në olimpiadë për herë të parë
Ajo e ka për herë të parë përfaqësimin në një olimpiadë dhe kjo ia shton akoma më shumë emocionet. Lindita nga natyra është njeri emotiv dhe për këtë arsye nuk do që në aktivitetet më të rëndësishme të karrierës së saj të ketë pranë njerëzit që do. Madje dhe kur kaloi në finalet e Kampionatit Europian (ku u shpall kampione e Europës) mblodhi gjithë stafin para garës dhe i kërkoi me dashamirësi që gjatë konkurrimit të mos ishte asnjë në sallë. "Prania e të tjerëve në sallë m'i shton më shumë emocionet,"- justifikon qëndrimin e saj qitësja Lindita Kodra. Por stafi i ekipit e gjeti zgjidhjen. Të gjithë ishin prezentë në sallën ku ajo u shpall kampione, por duke e njohur Linditën, u detyruan të fshiheshin pas karrigeve. Edhe në Pekin, në momentet e garës së saj ajo do të dëshironte të mos kishte asnjë pranë, përvec trajneres së saj, Diana Mata. E sigurisht, atje vetëm atë do të ketë pranë si pjesë e delegacionit olimpik. "I vetmi objektiv imi gjatë gjithë karrierës sime ka qenë kualifikimi në Lojërat Olimpike. Dua të them që viti 2007 u tregua shumë bujar me mua. Përvec kualifikimit, kishte rezervuar edhe titullin kampione e Europës për mua. Tani ndihem e plotësuar si sportiste."
Rivalet në vijën e zjarrit
Nuk është aspak e lehtë për Linditën që të përballojë emocionalisht pjesëmarrjen në një olimpiadë, edhe pse trajnerja e saj shprehet se Lindita, pavarësisht se është njeri emotiv, gjatë garës ka një qetësi për t'u admiruar. Falë kësaj qetësie, ajo ka arritur dhe rezultatet që ka. Vetë protagonistja shprehet se emocionet e Lojërave Olimpike e kanë pushtuar që tani. "Kur mendoj se rivalet e mia në olimpiadë do të jenë kampionia olimpike Maria Grozdeva apo përfaqësuesja e Kinës, e cila është një sportiste e nivelit të lartë, që në aktivitetin e fundit arriti të merrte medaljen e artë, mendoj se do të jetë një garë e fortë dhe e vështirë. Por në fund të fundit të gjitha sportistet që do të jenë në krahun tim në olimpiadë do të kenë të njëjtën armë, të gjitha do të kemi në dispozicion 1 metër, të gjitha kemi fishekë për të gjuajtur, kështu që nuk kam pse shqetësohem shumë,"- i jep zemër vetes Lindia. Për herë të parë, ajo është ndier e barabartë me rivalet europiane në garat e Kampionatit Europian, pasi falë Federatës së Qitjes në këtë kompeticion, ajo kishte një armë cilësore ashtu si dhe rivalet tona europiane. Fakti që gjatë kësaj kohe ajo është stërvitur me atë armë që është blerë vetëm për të dhe me fishekë cilësorë e bën ndihet më e qetë. "Besoj se dhe rritja cilësisht e bazës materiale ka pasur ndikimin e saj në arritjen e suksesit. Por dua të theksoj se ky sukses, në fillim titulli dhe më pas pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, erdhi në momentin më të mirë për mua. Sidomos për klubin "Studenti", ai klub që më ka mbështetur maksimalisht për të realizuar ëndrrën time dhe të gjithë pjesëtarëve të Federatës së Qitjes, pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Por sërish nuk mund të lë pa përmendur që një pjesë të suksesit tim dhe të asaj që do të arrij në Pekin ia dedikoj edhe trajnerit tim tek ekipi i Lacit, Rrok Lucaj. Ishte ai që më dha bazat si sportiste,"- thotë Lindita.
Mamaja që e ndjek edhe në Pekin
Zeliha Palushi është ajo që e ndjek kudo vajzën e saj, Lindita. Aq shumë është e lidhur me të, sa emocionet që përjeton Lindita në një garë është e pamundur që ajo të mos i përjetojë dyfish. Kur Lindita u shpall kampione e Europës, një nga cështjet që e shqetësonte ishte se si do t'ia thoshte mamasë, sepse ajo i përjeton me shumë emocione garat e saj. Të njëjtin problem do të ketë edhe në Pekin. Sigurisht, për cdo gjë që ajo do të kalojë në Pekin duhet të informojë edhe të ëmën. "Mamaja ime i përjeton me shumë emocione garat e mia. Gjithmonë tregohem e kujdesshme me të, sepse e di që ajo vuan sa herë që nuk arrij dicka dhe gëzohet pa masë kur arrij objektivin tim."
Gjithcka ia lë garës
Asnjëherë nuk nxitohet të japë objektiva të mëdha para një gare. Edhe pse në Lojërat Olimpike shkon me titullin kampione e Europës, vetë Lindita shprehet se do ta ketë të vështirë garën. Rivalet e saj në olimpiadë tashmë nuk janë vetëm ato europiane. Shpreson të japë më të mirën e saj dhe të shkojë te rezultati i saj më i mirë. Nëse rezultati do t'i sjellë medaljen, ajo do ta mirëpresë po aq me entuziazëm sa dhe titullin kampione e Europës. Por kjo, sic shprehet vetë Lindita, para një konkurrimi kaq të vështirë mbetet një dëshirë, gati-gati një ëndërr. "Një ëndërr m'u bë realitet, nëse bëhet dhe e dyta, kam frikë se kërkoj shumë,"- e mbyll kampionia e Europës, që debuton në Olimpiadën e Pekinit.
Lindita Kodra
Datëlindja 11.05,1962
Vendlindja Kukës
Sporti qitje (25m pistoletë sportive dhe 10m pistoletë ajri)
Gjatësia 160cm
Pesha 80kg
Rezultatet: 2006 - Kampionati Botëror Koraci/ 376 pikë vendi 27 të
2007 - Kupa e Botës Gjermani/ 579 pikë vendi i 7 të
2007 - Kampionati Europian Spanjë/ 583 pikë kampione e Europës
2008 - Kupa e Botës në Pekin, Kinë/782 pikë vendi i 4-t
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim individual si kampione e Europës Granda Spanjë 2007
Objektivi në "Pekin 2008": Në pistoletë sportive grumbullimi i 580-583 pikë dhe klasifikimi në 8-10 vendet e para. Në pistoletë ajri grumbullimi i 382 pikëve dhe klasifikimi nga vendi 15-20.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›