E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sahit Prizreni: Realizova një ëndërr, kam të tjera

Nga Aida TUCI
"Ëndrra ime, më e madhe ka qenë medalje në kampionatin botëror dhe vajtja në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" me kualifikim direkt."- shprehet sportisti i vetëm shqiptar që ka arritur të ngjitet në podin e fituesit të një medaljeje në një kampionat botëror për të rritur.
Dy vitet e fundit kanë qenë vërtet të sukseshëm përtë. Në shtator të 2007-ës ai shpallet fitues i medaljes së bronzit në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Baku Azerbajxhan duke fituar dhe të drejtën e përfaqësimit në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Një rezultat që asnjë sprotist nuk e ka arritur deri tani. E për këtë ai u vlerësua nga Komitetit Olimpik Shqiptar i cili vendosi që Prizreni të ishte dhe flamurmbajtësi i delegacionit tonë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. "E cfarë mund të kërkoj më shumë se kaq nga fati"- shprehet Prizreni i cili për nga natyra në fakt nuk është aspak supersticioz.
Gjithcka nisi nga Botërori
"Të them të drejtën, nuk e prisja të hyja në zonën e medaljes në Kampionatin Botëror. E dija që ky botëror do të ishte shumë i vështirë, pasi ishte aktiviteti i parë kualifikues për në Lojërat Olimpike të Pekinit. Gjatë gjithë krrierës sime kisha shpresuar vetëm kualifikimin në olimpiadë, por bashkë me të realizova edhe ëndrrën time më të madhe, një medalje në botëror dhe sigurisht që bashkë me të erdhën edhe Lojërat Olimpike. Nuk besoj se ka sukses më të madh për një sportist. Ky është një sukses jo vetëm imi, por i gjithë mundjes shqiptare. Unë dhashë maksimumin tim dhe ia dola. Për gjithë sukseset e mia të dy viteve të fundit dua të bëj një falenderim të vecantë për atë që ka kontribuar më shume së kushdo, trjneri im Sylejman Shala"- shpreh mirënjohen e tij i 3-ti i botës në peshën 60kg Sahit Prizreni.
La Amerikën për ekipin Olimpik
Nga vitit 2005-së deri në fillim të vitit 2007 mundësi i stilit të lirë Sahit Prizreni ka jetuar në Amerikë ku i ishte bashkuar ekipit të Nju Jorkut NYAC. U pikas nga ekipi amerikan në vitin shkurt të 2005-së. Sapo kishte fituar medaljen e artë në Turneun Ndërkombëtar "Dave Schultz" që zhvillohej në Amerikë. "Ishin të shumtat ofertat që më erdhën pas asaj medaljeje por unë zgjodha ekipin që më ofroi kushte më të mira"- shprehet Prizreni. Atje i krijuan kushte mjaft opitmale madje ndjehej shumë mirë me miqtë e rinj që kishte njohur. Për dy 2 vjet la Shqipërinë për të konkurruar për ekipin e Nju-Jorkut NYAC, dhe mekëtë ekip u shpall fitues i medaljes së artë edhe të turneut Dave Schultz (tuneru më prestigjoz i mundjes në Amerikë) të dy viteve që do pasonin. Por edhe pse atje i kishte të gjitha i mungonte ajo për të cilën ai i ishte përkushtuar gjithë jetën sportit: ëndrra e madhe për tu përfaqësuar në olimpiadë. Kështu pas dy vjetësh në Anmerikë ai u kthye në Shqipëri me synimin e vetëm për të qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar të mundjes që do të përfaqësohej në sfidat kualifikuese për në Pekin, aty ku zhvillohen dhe Lojërat Olimpike të 2008-ës.
Arsyeja e kthimit të tij në fakt kishte të bënte me karrierën e vetë sportistit. Ekipi njujorkez, ku ia stërvitej, nuk i krijonte dot mundësinë për t'u përfaqësuar në Lojërat Olimpike të Pekinit, me gjithë këmbënguljen e tij. Synimi kryesor në karrierën e tij ishte pikërisht kualifikimi në olimpiadën e rradhës, kësisoj Shqipëria ishte i vetmi vend që mund t'ia plotësonte ëndrrën e madhe. Për këtë arsye veshi sërish fanellën kuqezi dhe në Kampionatin Botëror u ngjit në podin e fituesit të medaljes së bronzit nën ngjyrat tona kombëtar. Në fakt ai mendoi se do të gjente në këtë rikthim të tij të njëjtat kushte stëvritore dhe mbështetje financiare që kishte pasur dhe në Amerikë, por jo gjithcka doli si e priste. Pro pavarësisht vështirësive për asnjë moment ai nuk është penduar për zgjedhjen që ka bërë. Sahit Prizreni tashmë është veshur kuqezi dhe përvecse se është pjesë e ekipit tonë olimpik në Lojërat Olimpike "Pekin 2008", mundësi kjo që nuk ia ofroi dot Amerika e largët ai është dhe flamurmbajtësi ynë në Pekin.
Për herë të dytë në Olimpiadë
Në Lojërat Olimpike "Athina 2004" kishte qenë shumë pranë kualifikimit, por nuk arriti dot. Gjithsesi mundësi i stilit të lirë përfaqësimin e tij të parë në një olimpiadë e ka pikërisht në Lojërat e Athinës atje ku atij iu akordua një ftesë e vecantë si sportisti më i mirë kombëtar nga Federata Botërore e Mundjes (FILA). Në Athinë ai u klasifikua në vendin e 17-të mes 50 sportistëve konkurrues në peshën e tij. Por që atëherë kishte vendosur që në lojërat e ardhshme do të synonte kualifikimin. "Realizova dy dëshira në një herë: medalje në botëror dhe kualfikimin në olimpiadë"- thotë Prizreni.
Botërori i vështirë olimpiada sfidë e vërtetë
Ai i njeh nga afër kundërshtarët e tij në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Pjesën më të madhe e takoi në Kampionatin Botëror. "Pjesën kryesore të rivalëve të mi në olimpiadë i kam takuar në Kampionatin Botëror. Sigurisht që nuk jam ndehsur me të gjithë por një pjesë të mirë e njoh edhe ne tapet. Të gjithë sportistët e peshës ku unë konkurroj janë shumë të përgatitur dhe të gjithë në olimpiadë kanë ardhur për të fituar. Si rival të fortë në peshën time do të shihja bullgarin Anatoli Guidea, i cili u shpall dhe nënkampion bote në Kampionatin Botëror. Unë e humba takimim me të në Botëror dhe them me bindje se ai takim ishte një nga ndeshjet më të bukura që kam zhvilluar por shpresoj që në olimpiadë të jem unë fituesi."- shprehet Prizreni. Në botëror konkurrentët e tij shkonin në 43 por në olimpiadë sigsursht që do jenë shumë më shumë. Prizreni sheh sirivalë të tij edhe në olimpiadën e Pekinit kampionin e botës në fuqi rusin Mavlet Batirov, nënkampionin bullgarin Anatoli Guidea, kirgistanezin Bazar Bazarguruev, turkun Tevfik Odabasi, rusin Mourad Ramazanov...etj?. "Oh janë shumë- shprehet ai teksa i përmend- ajo që dua të them është se Lojërat Olimpike "Pekin 2008" do të jenë sfida e vërtetë e imja."
Ajo që e tremb më shumë gjykimi
Raporti i tij me gjyqtarët asnjëherë nuk ka qenë ashtu si ai do të kishte dashur të ishte. "Mund të them se në më të shumtën e rasteve në karrierën time fati më shumë ka qenë kundër meje se me mua. Jo vetëm fati që është kundër, por edhe gjyqtaria. Shpesh në takimet e mia më është dashur që të dominoj tërësisht vetëm për të bindur gjyqtarinë për fitoren. Sepse sporti i mundjes përvecse është një sport që kërkon përgatitije të lartë fizike kërkon dhe pak fat. Bëhet fjalë për shortin që të bie. Mund të ndodhë që qysh në takimin tënd të parë të të bie si kundërshtar një kampion bote apo kampion olimpik dhe kështu të priten krahët që në fillim. Por mund të ndodhe që pavarësisht se ti je ke një epërsi të vogël, gjyqtaria duke të paragjykuar si spotist që vjen nga një vend i vogël dhe përballë teje është një sportist që ka mbi supe titullin kampion bote apo kampion olimpik ia jep fitoren rivalit tënd. Kjo është ajo që më trembe më shumë. Por besoj se në Olimpiadë është disi më ndryshe dhe aq më shumë që unë kësaj rradhe shkoj me kualifikim direkt dhe me medaljen e bronzit në Botëror të varur në qafë"- përfundon Sahit Prizreni.
Sahit Prizreni
Datëlindja 23.02.1983
Vendlindja Kukës
Sporti Mundje (stil i lirë)
Gjatësia 165 cm
Pesha 62kg
Rezultatet: Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike "Athina 2004".
2005 - Medalje në turneu ndërkombëtar "Dave Schultz", SHBA
2006 - Medalje bronzi Arizona SHBA
2007 - Medalje ari në turneun "Dave Schultz" Kolorado SHBA
2007 - Medalje bronzi në Kampionatin Botëror të Mundjes Baku Azerbajxhan
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me kualifikim i 3-ti në Kampionatin Botëror Baku Azerbajxhan
Objektivi në "Pekin 2008": Klasifikim në 5-shen më të mirë të peshës 60kg në olimpiadë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›