E Diel, 1 Nëntor 2026

Lindja e Mesme, rajoni më i rrezikshëm për gazetarët në vitin 2011

Vdekja e gazetarit televiziv francez, Gilles Jacquier në Siri, e ka rritur më tej numrin e gazetarëve të vrarë, të ndaluar apo të sulmuar, ndërkohë që punonin për të mbuluar kryengritjen “Pranvera Arabe”. Lindja e Mesme ishte rajoni më i rrezikshëm për gazetarët gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të organizatës Gazetarët Pa Kufij.

Franca ka kërkuar zhvillimin e një hetimi të plotë për vdekjen e gazetarit të kanalit televiziv France 2, Gilles Jacquier, i cili u bë gazetari i parë perëndimor i vrarë në Siri që pas fillimit të kryengritjes anti-qeveritare 10 muaj më parë.

Ndryshe nga shumë gazetarë, të cilët janë përpjekur të futen në Siri pa viza, gazetari 44-vjeçar francez ishte në qytetin Homs të Sirisë me leje qeveritare. Ai u vra nga një raketë e hedhur, ndërkohë që ai po mbulonte një tubim pro-qeveritar.

Vlerësime të shumta i janë bërë punës së francezit Jacquier, një gazetar veteran që ka mbuluar konflikte në Irak, Afganistan, Kongo, Ballkan, etj.

Vdekja e francezit Jacquier shton numrin e gazetarëve të vrarë, të sulmuar dhe të ndaluar gjatë mbulimit të kryengritjes Pranvera Arabe.

Organizata Gazetarët pa Kufij përllogarit se 20 gazetarë u vranë dhe 553 të tjerë u sulmuan ose u kërcënuan në Lindjen e Mesme gjatë vitit 2011, që përfaqëson numrin më të lartë të çdo rajoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›