E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popullizmi në ofensivë

Hungaria ndodhet në një moment shumë të vështirë dhe ndërkohë ka anuar aq shumë djathtas, sa Bashkimi Evropian ka nisur një veprim ligjor në mbrojtje të demokracisë në këtë vend. Por problemi është shumë më i përhapur. Nacionalistët dhe popullistët janë duke fituar terren në të gjithë Evropën.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte nevojë vetëm për pak vjet. Brenda kësaj kohe të shkurtër, ai arriti që të shndërronte vendin e tij. Të drejtat civile dhe liritë e shtypit u shkelën, u zhbë pavarësia dhe ndarja mes pushteteve dhe një Kushtetutë e re e miratuar rishtazi është formësuar në frymën e ish-liderit autoritar e nacionalist, Miklos Horthy. Hungaria është izoluar politikisht nga Bashkimi Evropian dhe në prag të falimentimit ekonomik si shtet. Bashkimi Evropian ka nisur tani një veprim ligjor kundër këtij vendi. Brukseli e sheh reformën kushtetuese të Orban si një dhunim të ligjit të BE-së dhe kërcënoi që t’ia mohojë Hungarisë ndihmën ekonomike, në një situatë kur vendi është zhytur keqas në borxhe. Është ky një zhvillim i rëndësishëm për një vend, që dikur shihej si një model i reformave.

Orban personalisht, dikur tepër i mbështetur dhe i admiruar si politikan, tani duket si një përzierje mes Putinit dhe Hugo Chavezit. Por politikani që vjen nga fshati verior i vendit me emrin Alcsutdoboz, është pa dyshim një rast i veçantë. Orban dhe Hungaria e tij përfaqësojnë një lëvizje politike që po përhapet në mbarë Evropën Qendrore dhe Jugore. Një stuhi e rrezikshme është duke u përgatitur nën hijen e krizës së euros. Pasojat shkatërrimtare të krizës financiare të vitit 2008 nuk u shëruan kurrë plotësisht në Evropën Lindore dhe janë të shumta vendet e zhytura në krizën e borxheve që i kanë drejtuar sytë te ndihmat nga jashtë. Por në rrezik nuk janë vetëm ekonomitë e brishta. Mungesë të stabilitetit politik dhe social kanë edhe shumë shoqëri evropiane në qendër dhe në jug të kontinentit. Këto rajone, prej dy dhjetëvjeçarësh kanë ndërmarrë reforma të pandërprera dhe politika të ashpra kursimesh. Në këto kushte shumë njerëz janë tejet të lodhur dhe tashmë edhe euro-skeptikë. Edhe kundërshtitë ndaj atij sistemi vlerash, që dikur përcaktohej si sistemi “perëndimor”, janë duke u shtuar.

“Në shumë drejtime ky është një proces që i ngjan zhgënjimit që pësuan njerëzit në Evropën Lindore me socializmin në vitet 70-ta dhe 80-ta”, thotë studiuesi ekonomik hungarez, Lazlo Lengyel. “Rreziku i kësaj situate është se të gjitha klasat shoqërore apo rajonet si ato në Poloninë Lindore, Sllovaki dhe Hungari, kanë rënë viktimë e mungesës së shpresës dhe të pesimizmit”. Shkencëtari politik rumun, Cristian Parvulescu, thotë se kemi të bëjmë me një krizë të demokracive të Evropës Lindore.

“Pritshmëria e madhe që evropiano-lindorët patën në lidhje me anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian nuk u përmbush në disa drejtime”, shpjegon ai. “Ne jemi duke parë një rikthim të popullizimit dhe nacionalizmit në shumë zona aktualisht. Në këtë këndvështrim, zhvillimet në Hungari duhet që të na shërbejnë si një kambanë alarmi të gjithëve dhe veçanërisht Brukselit”, vazhdon ai.

Në fakt, Hungaria është një objekt mësimi për tragjeditë e shoqërive në tranzicion. Një ndryshim i elitave në aparatin shtetëror dhe ekonomi që supozohej se ndodhi në të vërtetë nuk ndodhi asnjëherë, pas daljes vullnetare dhe paqësore të këtyre vendeve nga periudha komuniste në vitet 1989-1990. Pas një periudhe të shkurtër euforie fillestare, në përfundim të sistemeve diktatoriale, ekonomia hungareze përjetoi një kolaps të menjëhershëm dhe të rëndë dhe befas qindra mijëra vetë e gjetën veten të papunë. Ndërkohë një grup i vogël elitar nisi që të grumbullonte pasuri të pafund rreth vetes, përmes procesit të privatizimeve të dyshimta, shpesh jo vetëm të dyshimta, por edhe kriminale. Prona publike u shndërrua në pronë private të pak vetave që kishin në dorë pushtetin politik dhe ekonomik dhe ishin zgjatime të regjimit të së shkuarës. E ndërkohë pjesa tjetër e popullsisë u shtrëngua që të vuante në mënyrë të vazhdueshme dhe të pamëshirshme të gjitha pasojat e së ashtuquajturës “terapi e shokut”. Kjo do të thotë që realisht u bënë shumë pak përpjekje për të reformuar financat kombëtare dhe publike.

Në fillim të mijëvjeçarit të ri, Hungaria u bë vendi i parë i Evropës Lindore që ra viktimë e globalizmit. Kjo sepse në këtë vend u dyndën në mënyrë të paparë shumë kompani dhe korporata të huaja. Hungaria ishte e para, por jo e vetmja. Të tjera vende nisën që të shndërroheshin në seli të korporatave të fuqishme perëndimore. Korporata me emra të mëdhenj dhe me afera të dyshimta.

Ndërkohë pjesë të mëdha të ekonomisë së vendit, të tilla si bujqësia dhe industritë ushqimore, ishin tepër të pazhvilluara për të qenë në një linjë me standardet e BE-së e megjithatë vendi u bë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2004, së bashku me disa shtete të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore, edhe ato vende të pa-konsoliduara në shumë fusha. Qeveria e koalicionit socialist-liberal, e cila kishte pushtetin në vend nga viti 2002 deri në vitin 2010, nuk arriti që të zgjidhte asnjë nga problemet akute dhe të mëdha të Hungarisë. Madje në të kundërt të kësaj, ajo shkëlqeu në krijimin e një situate konfliktuoze politike, shkëlqeu në tejkalimin të “planit” në korrupsion dhe në keq-menaxhim të së gjithë ekonomisë së vendit. Pa këto tetë vite në pushtet të të majtëve, Orban dhe partia e tij e nacionalistëve të djathtë, Fidesz, nuk do të kishin arritur që në vitin 2010 të korrnin një fitore të tillë, të cilën sot po e përdorin për të bërë lëmsh ligjin dhe të drejtën në vend.

Një analist polak i çështjeve të tranzicionit, Ivan Krastev, i konsideron politikat e Orbanit si “përpjekje shumë serioze për të zgjidhur krizën hungareze, përmes mjeteve nacionaliste”, por ai ndërkohë paralajmëron se nuk duhet kurrsesi që lideri hungarez të konsiderohet si një i çmendur. “Orban dhe modeli i tij zakonisht nënvlerësohen në Perëndim. Pikërisht tani fqinjët e Hungarisë janë duke e parë Orban me shumë rezerva. Por çfarë ndodh kur një qeveri nuk ka gjë tjetër për të ofruar veç modeleve nacionaliste? Po sikur këtë model ta ndiqnin edhe vende të tjera në rajon? Çfarë do të ndodhte atëherë me Bashkimin Evropian dhe vlerat e demokracisë që ai mbron? Atëherë kjo do të thotë se probleme të mëdha do të ketë edhe vetë Bashkimi Evropian”, theksoi Krastev.

Ekziston ndërkohë një skenar i tillë paraprak. Bashkimi Evropian e ka humbur prej kohësh rolin e tij si forcë që vendos rend në Evropën Lindore. Nga shtetet baltike e deri në Bullgari, vështirë se një vend mund të qëndrojë deri në fund, pas projekteve të Bashkimit Evropian. Në Republikën Çeke, Presidenti Vaclav Klaus i është kundërvënë Bashkimit Evropian dhe vetë euros, duke shkaktuar trazira në vend. Më së fundi, beteja për paktin fiskal e ka çuar vendin në një krizë politike. Në Estoni, po rritet gjithnjë e më shumë pakënaqësia për koston që po i kushton qytetarëve të thjeshtë paketa e shpëtimit të vendeve që janë në krizë buxhetore. Pas zgjedhjeve në mars, populisti Robert Fico, i cili më parë ka qeverisur në periudhat 2006-2010, mori sërish në dorë drejtimin e vendit. Ndërkohë në Rumani, një tjetër popullist, Presidenti Traian Basescu është mbështetës më i flaktë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se sa Brukselit. Ndërkohë në Bukuresht ka pasur protesta dhe përplasje të mëdha mes popullit dhe presidentit të vendit e politikave të tij shtrënguese. Vetëm Polonia, shteti më i madh ndër vendet lindore të Bashkimit Evropian, po i kundërvihet kësaj tendence. Partia Nacionaliste Ligj dhe Drejtësi ka qenë e aftë që të fitojë zgjedhjet që nga viti 2007 dhe në zgjedhjet më të fundit parlamentare të tetorit të kaluar, pjesa më e madhe votuan në favor të kandidatëve pragmatistë pro evropianë. Politologu polak, Marcin Zaborowski, i cili drejton Institutin Polak të Marrëdhënieve Ndërkombëtare ia atribuon këtë fitore “rritjes së vazhdueshme të pjekurisë së klasës politike polake” dhe “rënies së rrymave populliste dhe nacionaliste”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›