Lindje e Mesme, SHBA përgatit detajet e bisedimeve
Pas 20 muajsh ndalese, pritet të rinisin negociatat për paqe në Lindjen e Mesme, ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Të dyja palët, bën të ditur një burim diplomatik amerikan, duhet të pranojne ftesën për të rinisur takimet e drejtpërdrejta që nga 2 shtatori në Washington. " New York Times' shkruan se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti palestines Abu Mazen priten të shkojnë në Washington në fillim të shtatorit, me ftesë të presidentit amerikan Barack Obama. Kështu administrata Obama tha se është pranë sigurimit të marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve për t'ë vazhduar bisedimet paqësore.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, u tha gazetarëve se marrëveshja e tillë është "afër, shumë afër", por detajet ende po përpunohen. Ndërkohë, në Lindjen e Mesme, zyrtarët izraelitë dhe palestinezë refuzuan të komentojnë, duke thënë se do të reagojnë pas njoftimit zyrtar për bisedimet. Palestinezët ndër të tjera kanë caktuar si kusht për kthimin në tryezën e bisedimeve ndërprerjen e të gjitha punimeve izraelite në ngulimet e Bregut Perëndimor. Aktualisht në mes të izraelitëve dhe palestinezëve zhvillohen vetëm negociata "indirekte" . Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se ai është i gatshëm për të rifilluar negociatat, por se ai është kundër parakushteve. Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, P.J.Crowley edhe Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton po zhvillon bisedime diplomatike me zyrtarë të lartë përmes telefonit për të arritur marrëveshjen. Zëdhënësi po ashtu tha se shpresonte se katërshja ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Mesme do të publikonte një dekleratë në mbështetje të rifillimit të bisedime direkte të paqes.