E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutet Irani

BE diskuton me Teheranin, marrin pjesë edhe SHBA-të

Presidenti iranian i linjës së ashpër, Mahmud Ahmedinexhad, i ka cilësuar bisedimet lidhur me programin bërthamor të vendit të tij, që u zhvilluan këtë fundjavë në Gjenevë, si “një hap para”. Komentet e presidentit iranian janë dhënë në agjencinë zyrtare të lajmeve “Irna”. Said Xhalili, i dërguari iranian në bisedimet për çështjen bërthamore, u takua në Gjenevë me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Havier Solanën, si dhe përfaqësuesit e grupit  5+1, (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani), në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të krizës lidhur me programin bërthamor iranian. Me gjithë praninë për herë të parë të një zyrtari të lartë amerikan, zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Uiliam Bërns, nga këto bisedime nuk pati arritje konkrete. Në një deklaratë të dhënë pas takimit për çështjen bërthamore të Iranit, Solana ka theksuar se gjithnjë në këto bisedime shënohet progres, por megjithatë, është i pamjaftueshëm. “Irani duhet të bëjë një zgjedhje mes bashkëpunimit ose përballjes”. Kjo është deklarata më e fundit e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Sean Mckormak, pas një aktiviteti të zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës për çështjen e programit bërthamor që po ndjek Irani. Përfaqësuesi i BE-së, Havier Solana, pas takimit që pati me palën iraniane në këtë përballje, shpjegoi se Irani nuk ka dhënë akoma një përgjigje të qartë, por gjithsesi, sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë. Përfaqësuesit e Iranit dhe BE-së kanë rënë dakord që të takohen sërish gjatë ditëve në vazhdim. “Teherani nuk ka dhënë një përgjigje “Po” ose “Jo” për ofertën e vendeve e 5+1”, - ka shpjeguar Solana. Për herë të parë në takimin mes palëve, BE-Iran, i pranishëm ka qenë edhe numri 3 i Departamentit të Shtetit, Uiliam Bërns. Pjesëmarrja e tij shënon pa diskutim një zhvillim të paprecedentë nga ana e Uashingtonit. Amerikanët i kanë mbyllur marrëdhëniet diplomatike me Teheranin në vitin 1980 dhe kishin vënë si kusht ndërprerjen e programit bërthamor nga ana e Iranit, në mënyrë që ata të uleshin në tryezën e bisedimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›