E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona: Për Argjentinën, duket si Botërori 1986

BUENOS AIRES- Trajneri i Argjentinës Diego Armando Maradona bëri të ditur se ende nuk e ka përcaktuar listën me 23 futbollistë që do të grumbullojë për Botërorin e Afrikës së Jugut. Argjentina do të luajë gjatë natës një miqësore me Haitin dhe sipas tij, disa prej lojtarëve që janë në dyshim, do të përcaktohen pas kësaj ndeshjeje. Maradona e krahasoi situatën në kombëtaren argjentinase me atë të Botërorit 1986, kur ai ishte ylli i kësaj skuadre. “E mbaj mend vitin 1986. Nuk kishte asnjë gazetar që të guxonte të kritikonte Bilardon. E njëjta gjë po më ndodh edhe mua tani, kështu që shpresoj të kemi të njëjtin rezultat”, deklaroi tekniku argjentinas referuar trajnerit të atëhershëm. Një nga çuditë e radhës të Maradonës ka qenë grumbullimi i Ariel Ortegës, i cili kohët e fundit ka patur probleme të mëdha me alkolin. “E kam thirrur Ortegën, sepse besoj se mund t’i rikthej motivimin për të luajtur, në mënyrë që t’i rikthehet jetës normale. Edhe unë si ai kam kaluar shumë probleme dhe mendoj se e meriton të jetë në skuadër. Mendoj se ne argjentinasit shpesh jemi të padrejtë me njerëzit”, u shpreh Maradona. I emëruar gati një vit e gjysmë më parë si trajner i Argjentinës, Maradona është kritikuar shpesh për zgjedhjet e tij në ekipin kombëtar, që rrezikoi shumë të mungonte në Botërorin e Afrikës së Jugut.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›