Rreziku i dëmtimeve ekziston, por ne duhet të stërvitemi
Edhe pas dëmtimit të rëndë të mbrojtësit qendror dhe njëkohësisht kapitenit të Anglisë, Rio Ferdinand, i cili i ka thënë lamtumirë përfundimisht Botërorit, për shkak të një frakture në gju gjatë një seance stërvitore, trajneri i Kombëtares angleze, italiani Fabio Kapelo, nuk ka ndërmend të lërë pushim askënd edhe për miqësoren e parashikuar për sot, kundër skuadrës së Premier League afrikanojugore të Platinum Stars. “Dëshiroj të shikoj për 45 minuta apo për një orë të gjithë ata lojtarë, që do të zbresin në fushë, në takimin e parë në grup kundër SHBA-së”, nënvizoi dje tekniku Kapelo. Anglia do ta bëjë debutimin e saj në Botërorin 2010 të shtunën e ardhshme, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Nuk e di nëse kjo që po bëjmë është me rrezik, por duhet t’i provojmë të gjithë lojtarët. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj dëmtimeve të mundshme, por po ashtu duhet edhe të përgatisim sa më mirë ndeshjen debutuese. Një dëmtim është një gjë që mund të ndodhë, e di, por kjo është loja. çfarë duhet të bësh? T’i çosh të gjithë lojtarët të bëjnë not? Ne duhet të stërvitemi. Ndoshta mund edhe të ndodhë që të jesh i kujdesshëm për gjithçka dhe në fund dëmtimi mund të vijë krejt papritur”, u shpreh trajneri. Kapelo duhet të provojë me detyrim dyshen e re të qendrës së mbrojtjes, e cila do të aktivizohet në Botëror. Në krah të Xhon Territ, trajneri i anglezëve do të duhet të vendosë të impenjojë njërin mes Ledley King, Xhimi Karrager, Metju Upson e Majkëll Dauson, të grumbulluar për të zëvendësuar Rio Ferdinandin. Po sot, do të zbresë për herë të parë në fushë si kapiteni i ri i Anglisë njëri mes dy yjeve të futbollit anglez, Stiven Xherrard, ose sulmuesi Uejn Runi. Anglia, nën drejtimin e Kapelos, shihet si një nga favoritet kryesore për fitimin e Botërorit 2010.
#